Flet Endri Meksi, Administrator MCN TV
Teksa shumica po vrapojnë pas reality, duket se MCNTV ka zgjedhur të shkojë kundër rrymës, duke zgjedhur të zgjerojë programacionin në një terren krejt të ri për të siç është sporti.
Administratori Endri Meksi shprehet se kjo erdhi krejt surprizë edhe për vetë atë, duke parë interesin e publikut.
Programi këtë sezon përmban shumicën e emisioneve të sezonit të kaluar të testuara tani në publik, teksa shtohen disa të tjerë, që synojnë të jenë një opsion për një kohë më cilësore të segmenteve të ndryshme të audiencës, që nuk është besnike e politikës negative që mbyt përditshmërinë.
Kjo e fundit sigurisht ka peshën e saj, por duke mos u bërë udhëheqëse.
Z. Meksi shprehet se mbajtja e raportit mes cilësisë dhe së vërtetës sjell përpara dilemën nëse do ta kesh apo jo pas vetes audiencën, të cilën të duhet ta gjurmosh, por jo të kthehesh në skllav të saj.
Jemi në sezonin e ri në televizione ku shumica u nënshtrohet ndryshimeve në program, në përpjekjen për të mbajtur pranë vetes audiencën. Cili është fokusi i MCN këtë sezon, të rejat në ekran?
Ne patëm një përvojë gjatë korrikut dhe gushtit me ndeshjet e futbollit të Champions League dhe Europa League të klubeve shqiptare. Reagimi që patëm nga publiku ishte shumë interesant dhe përtej pritshmërisë sime.
Nisi si një eksperiment me dëshirën e Gent Çarcanit dhe eci. Jam befasuar që ka një interes të tillë ku qytetarët telefonojnë dhe bëhen pjesë aktive në televizion. Kanë interes për ndeshjen që do të transmetohet.
Për ne kjo shkoi përtej çdo fantazie. Në fund të korrikut ishte një bisedë me Gentin për të hyrë në një garë te FSHF për një ndeshje, pra në skemën që ndahen ndeshjet në free (pa pagesë) dhe pay (me pagesë) dhe ideja ishte që të merrnim ndeshje në free.
Kjo ndryshoi në pak ditë dhe hymë në një garë për të gjithë ndeshjet. Fituam dhe ja ku jemi. Sfida e parë ishte tentativa për të dhënë sa më shumë ndeshje në free. Ndërkohë që negociojmë me palët e interesuara në pjesën pay.
Kjo ishte risia kryesore këtë vit në televizionin tonë. Për të tjerat kemi vijuar stabël që do të thotë konfirmohet ekipi ekzistues. Kemi bërë disa forcime, nëse mund të quhen kështu me Pano Soko tek ekonomia.
Është forcuar stafi i gazetarëve edhe për projektin e MCN 24 me emra të rinj dhe ndoshta një format të ngjashëm me atë që quhet BMF në Francë apo Euronews. Do jetë diçka më moderne, me më shumë podcast-e për të mundësuar edhe disa zëra antikonformistë, zëra kritikë të gjithë shoqërisë në formate joklasike të televizionit.
Nuk do përfshihemi te reality. Kemi marrë për tre vite të drejtën për “Miss Universe”. Synojmë që të bëjmë një format ndryshe nga ai që ka qenë deri më sot, me një garë më të zgjeruar, një proces të ri ku të vlerësohet më shumë imazhi i së bukurës për të ndryshuar pak nga politika dhe ekonomia, që është fokusi kryesor i mediave në Shqipëri.
Jemi ende në fillim dhe as vetë s’e kemi qartësuar formatin. Po konceptojmë ndërkohë edhe dy-tre programe të reja ku mund të përmend Ermira Çaushollin apo Edi Ogën.
A është qasja që keni pasur me sportin dhe showbizzin reflektim i asaj që shihni apo perceptoni se do audienca apo si një formë për t’ju larguar politikës dhe aktualitetit që janë në mbidozë në treg?
Arsyeja e parë në kokën time ka qenë të shmangim sa më shumë debatin e politikës në lidhje me aspektet negative të saj.
Debati politik në vend zhvillohet gjithmonë në terma negativë, ku akuza është fjalë kyçe dhe publiku jo detyrimisht e kërkon këtë. Sporti na tregoi që ka një publik, i cili nuk ka interes për politikë.
Vajzat apo gratë, nga ana tjetër, nuk e pëlqejnë debatin politik të egër përgjithësisht.
Padyshim, politika ka rolin dhe peshën përkatëse, por përtej kësaj, ka një audiencë që nuk ka asnjë interes për politikë apo ekonomi. Ju përmendët audiencën dhe nëse ky ndryshim i yni lidhet me atë që kërkon kjo e fundit.
Audienca është vështirë të matet, për aq kohë sa nuk ka një mënyrë efektive si të matet.
Në Shqipëri nuk ka asnjë shoqëri matje të kësaj natyre dhe perceptimi ynë vjen nga interesimi i palëve të treta për çështje që na prekin.
Cilët janë mekanizmat që ju përdorni për të parë edhe mënyrën sesi perceptoheni apo çfarë pëlqehet në publik?
Rrjetet sociale, Facebook YouTube, Instagram, Tik-Tok, faqja e ueb që ka të dhënat e saj, si dhe perceptimi nga përshtypjet që marrim në mënyrë të tërthortë se kush interesohet apo kush ankohet.
Këto janë format më të drejtpërdrejta që kemi për të parë një ide mbi audiencën.
A është i interesuar biznesi sot për të dhëna reale mbi audiencën?
Në media mund të përjashtohen nja dy emisione, për të cilat ka një ide të qartë për audiencën, ndërsa për të tjerat, perceptimi i biznesit për audiencën është zero.
Kemi rritje të kërkesës së klientëve të marketimit në lidhje me sportin, por është i vetmi rast, për të tjerat, interesi është i fshehur, nuk kërkohen numrat.
Do doja shumë që një ditë të na kërkojnë numra e shifra mbi audiencën, por kjo gjë nuk po ndodh fatkeqësisht.
Një nga debatet që lidhet me televizionet dhe platformat televizive është ai për piraterinë online. A e mendoni se kjo e dëmton televizionin?
Pirateri do të ketë, për aq kohë sa ka metodologji të botës së internetit që e mundëson atë. Është e vështirë të luftohet në sensin teknik.
Duhet të luftohet, me një ofertë komerciale të zgjuar dhe me partneritetin e të gjithë operatorëve të tregut, për të ofruar përmbajtjen në një formë të volitshme për publikun.
Familjari shqiptar do ta blejë atë që kërkon, por interesi i tij nuk shkon në kufijtë, a është pirat apo i ligjshëm.
Për të mjafton që siguron atë që do. Kostoja e përmbajtjes apo krijimtarisë nuk është e lartë në Shqipëri. I vret ana komplekse.
Nëse do të kishte një bashkërendim të vendimeve nga operatorët, mendoj se do të ndihmonte dhe në luftën ndaj piraterisë.
Tjetra që gjykoj se duhet të ndodhë herët ose vonë është që prodhuesi i kontentit duhet të jetë i pavarur nga platforma, pra duhen stimuluar njerëzit që kanë kapacitet të krijojnë përmbajtje. Ne nuk kemi treg serialesh, jemi zero.
Nuk kemi treg filmash, vazhdojmë të ikim në Greqi e Turqi. Kjo ndodh sepse ata kanë një treg më të rëndësishëm në prodhimin e filmave dhe serialeve dhe i kanë demagogjike, kanë propagandën e tyre.
Ne i marrim dhe bëjmë një rol të influencës së çështjeve që s’na takojnë.
Ju keni transmetuar seriale dhe filma më herët. A keni bërë blerje të re në këtë aspekt në sezonin e ri?
Vitin e kaluar kishim tre seriale në gjuhën turke. Shumë interesantë dhe prodhime të fundit. Këtë vit jemi në proces analize tregu. Gara është shumë e fortë, por jemi bërë më përzgjedhës në atë që duam të transmetojmë.
E kemi kaluar fazën që duhet të tregonim që jemi stabël në treg, ndaj tani jemi te pjekuria për të treguar vazhdueshmëri dhe zgjedhja e përmbajtjes do një dorë më të kujdesshme, pasi audienca reagon në mënyrë të habitshme dhe ne nuk kemi vlerësues tjetër përveç rrjeteve sociale.
Ndodh që në disa raste kemi kontent shumë të mirë në gjykimin tim, por që në rrjete sociale nuk vlerësohet. Ndërkohë ka disa programe, të cilat personalisht nuk do t’i shihja asnjëherë, për çështje të shijes personale, që publiku i vlerëson, ndaj duhet ftohtësi dhe pjekuri për të sjellë atë që do publiku.
Televizioni shpesh kritikohet se, përveç rolit informues, duhet të ketë edhe rol edukues. Ju si e shihni këtë lloj kritike që haset jo pak në publik?
Për të qenë korrekt, nuk e kam parë edukimin si element që duhet ta kem në vëmendje te televizioni. Edukimi i takon familjes.
Është bërë gjithmonë e më e vështirë, për hir të orareve të jetës sonë, por nuk e shoh sesi një prind mund të gjykojë që një media të edukojë fëmijën e tij.
Do të ishte shumë mirë, por e shoh të vështirë. Jashtë realitetit të botës që jetojmë sot. Të gjithë i kritikojnë këto emisione që cilësohen joedukative, por të gjithë i shohin, ndaj nuk jemi realistë as me veten.
Informimi, nga ana tjetër, po është detyrë e medias për të informuar sa më shumë, edhe për procese apo fenomene të skajshme të vendit tonë. Është shumë e vështirë të kërkosh se cila është e vërteta.
Kemi pasur oferta për programe të stilit të analizës gjyqësore, që për mua mbetet çështja më komplekse në vend, ku kemi vëllezër, familjarë të përfshirë në çështje nga më komplekset, por nuk mendoj se i japim dot përgjigje brenda në një emision.
Jemi në dilemën, a të zgjedhim një emision mediokër, por që bën zhurmë, para një emisioni cilësor, por që zhurmën s’e realizon.
Kjo dilemë do jetë gjithmonë, por do përpiqemi të zgjedhim me një lloj mirëkuptimi, duke gjurmuar audiencën, por jo të kthehemi në skllevër të saj. Pra mbajmë raport me cilësinë dhe të vërtetën. Kjo është sfidë e vazhdueshme.
Cilat janë emisionet bazë që mbeten në MCN nga sezoni i kaluar që e kanë konfirmuar veten?
Emisioni kryesor mbetet “Të paekspozuarit”, i Ylli Rakipit, për audiencën dhe stilin e veçantë personal.
Rozana Radi ka sjellë një emision shumë të mirë me frymë ndryshe. Aulona Musta ka një emision interesant ku bota e fitnessit po luan gjithmonë e më shumë rol dhe do vazhdojmë sërish.
Po bëjmë çdo përpjekje për të ikur nga politika dhe më saktë nga pjesa e vrerit të saj, por jo nga ajo cilësore mbi debatin e çështjeve të rëndësishme.
Numri i platformave të tilla si Netfliz, Amazon Prime, Disney+, Showtime apo Hulu është rritur. A e shihni këtë si konkurrencë për televizionin?
Janë konkurrentë, pa pikë dyshimi. Kanë katalogë gjigantë për zgjedhje, por për shkak të gjuhës shqipe, gjykoj se krijimi origjinal shqiptar ka një shans.
Nëse do të kishte një lloj bashkërendimi me dy kabllorët në vend që në Shqipëri s’kanë pak, por 300 mijë abonentë në total, krijimtaria mund të prodhohej dhe shitej.
Kjo krijimtari/prodhim mund të shkonte edhe në Netflix dhe Prime dhe në momentin që fuqizohet, mund të shihej edhe nga diaspora jonë.
Por duhet ndarje e qartë e roleve të krijuesit të përmbajtjes nga ajo që e tregton. Prodhuesi duhet të ketë fokusin te krijimi dhe financimi i prodhimit dhe jo të merret me shpërndarje. Kanali shitës duhet të ishte i pavarur.
LEXONI EDHE:
Televizionet kërkojnë “formula” të reja; Emisionet më të shtrenjta dhe më të lira
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.