Intervistë me Anxhela Xhaferri, Përgjegjëse e Sektorit Leasing, Banka OTP Albania
Rritja e sektorit të ndërtimit ka dhënë një efekt pozitiv edhe në tregun e qirasë financiare. Në një prononcim për revistën “Monitor”, Anxhela Xhaferri, Përgjegjëse e Sektorit Leasing, Banka OTP Albania thotë se në këtë sektor ka pasur shtim të kërkesave për financim të mjeteve të rënda, pajisjeve dhe makinerive të ndërtimit dhe transportit.
Kjo ka kompensuar, pjesërisht, efektet negative që erdhën nga sektorët e prekur më shumë nga pandemia, si aktiviteti i dhënies së makinave me qira. Një treg që mund të ketë potenciale rritjeje për qiranë financiare, sipas OTP Albania, është financimi i mjeteve lundruese të lidhura me turizmin.
Cila ka qenë ecuria e tregut të qirasë financiare në vitin 2020?
Sigurisht viti 2020 nuk ishte një vit i zakontë. Ka qenë një ecuri jo e lehtë, në raport me vitet e tjera, ku duhej të përballeshim me rreziqet dhe të panjohurat që do të sillte pandemia. Megjithatë, banka jonë ia doli që fatmirësisht të menaxhojë sfidat dhe të papriturat me sukses. Tregu pati një rritje prej 2.1% krahasuar me 2019-n, ku dominimin kryesor e patën mjetet e transportit personal dhe të punës, e më pak linjat e prodhimit.
Sa u ndikua ky treg nga pandemia dhe efektet që ajo solli në ekonominë reale?
Ndikimi në këtë industri ka pasur efekt domino. Shumica e bizneseve rishikuan planet e investimit, duke shtyrë për një periudhë të dytë investime të mundshme në rinovimin e flotave. Gjithashtu, goditja që mori sektori i turizmit pati ndikim negativ në kërkesën e ulët për makina me qira.
Për çfarë qëllimesh dhe produktesh përdoret kryesisht qiraja financiare në Shqipëri? Cilat segmente të tregut u ndikuan më shumë nga kriza dhe cilat u prekën më pak prej saj?
Qëllimet dhe produktet kryesore për të cilat përdoret qiraja financiare në Shqipëri janë blerja e automjeteve personale, pajisje industriale, pajisje mjekësore, pajisje ndërtimi dhe ngarkimi, pajisje të tjera transporti, makineri të ndryshme, etj.
Një nga sektorët më të prekur nga pandemia ishte sektori i dhënies së makinave me qira, i cili zë dhe një pjesë të konsiderueshme të portofolit leasing ku interesi ishte në nivele të ulëta. Por, e kundërta ndodhi me sektorin e ndërtimit, ku pati një rritje të aktivitetit dhe për rrjedhojë, shtim të kërkesave për financim të mjeteve të rënda, pajisjeve dhe makinerive të ndërtimit dhe transportit.
Cilat janë avantazhet e qirasë financiare në raport me kredinë bankare?
Qiraja financiare është një produkt, i cili ndihmon zhvillimin e bizneseve, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, të cilave u lind nevoja për financim, por mund të mos kenë një historik kredie apo kolateral të mjaftueshëm për financime nga burime alternative. Ky produkt ofron disa avantazhe në raport me kredinë bankare, ndër të cilat procedura të shpejta financimi, fakti që nuk ka nevojë për garanci shtesë/kolateral, mundësia e ruajtjes së gjendjes cash për qarkullim në biznes, lehtësi fiskale (rimbursimi i TVSH-së), rritja e formalitetit te biznesi.
Si paraqitet ecuria e biznesit në vitin 2021? A ka ndikuar përmirësimi i gjendjes epidemiologjike dhe lehtësimi i disa kufizimeve në ecurinë e biznesit tuaj?
Deri më tani mendojmë se është në rrugë të mirë dhe në dukje tendenca e 6-mujorit të parë është pozitive, por gjithsesi duhet të presim fundin e vitit për të nxjerrë një pasqyrë më të plotë mbi aktivitetin e zhvilluar dhe investimet e realizuara. Pa dyshim që lehtësimi i masave ka kthyer disi në normalitet situatën dhe për pasojë, kthimin e konsumatorit tek investimi, qoftë individi për automjete personale, apo dhe kompanitë, të cilat kanë nevojë për investime në makineri pune dhe flota transporti.
Shihni potenciale të zhvillimit të mëtejshëm të tregut të qirasë financiare në Shqipëri? Nëse po, kryesisht në cilat produkte apo segmente të tregut?
Duke parë fokusin orientues të ekonomisë shqiptare në rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm në sektorin e turizmit, shohim me interes financimin e mjeteve lundruese për aktivitete turistike. Besojmë se kjo do të mirëpritet nga klientët tanë dhe jo vetëm.
A konstatoni ende probleme të lidhura me trajtimin fiskal të TVSH-së për financimet me leasing? Nëse po, cilat janë problemet kryesore dhe si mund të adresohen ato?
Tashmë, kemi hyrë në një proces tjetër, atë të fiskalizimit, i cili na implikon në marrëdhëniet me palët e treta. Ekzistojnë probleme të hasura në aktivitetin tonë, të cilat kërkojnë një trajtim ligjor dhe tatimor për sa u takon shërbimeve të ofruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, të cilat janë adresuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.