Shoqata Shqiptare e Bankave kërkon që tregtarët në Shqipëri të detyrohen të ofrojnë edhe një metodë alternative pagese, përveç parasë fizike.
Në prezantimin e një fushate ndërgjegjësuese për përdorimin e kartave dhe uljen e përdorimit të cash-it, sekretari i shoqatës, Spiro Brumbulli, tha se çdo tregtar mallrash apo shërbimesh duhet të ketë në mënyrë detyruese, një alternativë pagese përveç parasë fizike që t’i ofrojë klientit për pagesë.
“Paraja fizike është vetëm një mënyrë, por mënyra tjetër duhet të jetë nëpërmjet kanaleve alternative – pagesë me kartë, pagesë e menjëhershme në llogari, etj. Ne duhet të kapërcejmë patjetër fazën ku ndodhemi sot, që paraja fizike mbizotëron si mjet i pagesës. Prandaj kërkojmë nga institucionet dhe autoritetet përkatëse më shumë dhe më shpejt rregullimet infrastrukturore dhe ato rregullative që çdo tregtar të ketë të paktën dy kanale të ofrimit të kryerjes së pagesës. Ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme. Në këtë përpjekje për shtimin e përdorimit të kartave, ne jemi të ndërgjegjshëm se pagesat me kartë varen sa nga mbajtësi i kartës, aq edhe nga tregtari, nga gatishmëria e tij për t’iu përgjigjur kërkesës së blerësit për rrugë alternative të pagesës,” tha z.Brumbulli.
Statistikat tregojnë se Shqipëria ka një përdorim të kartave bankare shumë më të ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Sipas FMN-së, Shqipëria ka 483 karta për njëmijë banorë në moshë madhore. Në rajon, ky tregues luhatet nga 759 për Bosnjë-Hercegovinën, deri në 2449 për Kroacinë. Ç’është më e rëndësishme, kartat në Shqipëri përdoren kryesisht për transaksione cash, në formën e tërheqjes së parave nga bankomatet. Nga 100 lekë veprime me karta, pothuajse 90 lekë janë tërheqje cash. Megjithë rritjen dyshifrore në vite e fundit, numri i transaksioneve me kartë në pikat elektronike në pikat elektronike të shitjes (POS) është katër herë më i ulët se në Kosovë dhe 10 herë më i ulët se në Maqedoninë e Veriut.
Edhe për arsye të historisë së zhvillimit të saj, Shqipëria është një ekonomi me përdorim të lartë të parasë cash dhe kulturë relativisht të dobët në përdorimin e instrumenteve alternative të pagesave. Përdorimi i lartë i cash lidhet shumë me nivelin e lartë të informalitetit dhe evazionit fiskal. Pagesat me kartë e bëjnë më të vështirë fshehjen e të ardhurave, ndaj shumica e tregtarëve të vegjël nuk preferojnë të pranojnë pagesa në këtë formë. Për këtë arsye, bankat mendojnë se ofrimi i një kanali alternativ pagese duhet të jetë i detyrueshëm, në shembullin e Greqisë.
Shoqata Shqiptare e Bankave nisi të mërkurën një fushatë ndërgjegjësuese dymujore për rritjen e pagesave me kartë dhe për uljen e përdorimit të cash, në bashkëpunim me Master Card.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Patjeter z. Brumbulli, keni shume te drejte! Mire eshte qe studimet mos te jene vetem ne kuadrin e vezhgimit dhe te raportimit te diferencave ndermjet vendeve te ndryshme, por te shkak-pasoja qe bankat praktikojne komisione 1.5-2.5% te vleres se transaksionit ndaj tregtarit. Praktikisht nuk stimulohet kjo forme pagese. Edhe po ja bere me detytim paisjen me POS, tregtari nuk do e perdori si pasoje e komisioneve te larta. Mendoj se AAB duhet te merret me gjera me serioze ne perditshmerine e saj