Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë. nëpërmjet një letre drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. kërkon lejimin e vazhdimësisë normale të punës për prodhimin dhe transportin e betonit, lejimin e lëvizjes së autobetonierave të sektorit të ndërtimit gjatë orarit të punës në Tiranë.
Sipas tyre, punonjësit e Policisë Rrugore nuk po lejojnë lëvizjen e autobetonierave para orës 20.00 në qytetin e Tiranës.
“Theksojmë që ky ka qenë problem i përsëritur ndër vite për ne.
Duhet të sqarojmë se, për specifikat e betonit dhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet ky lloj procesi, është e pamundur që të punohet natën në lartësi të mëdha dhe pa ndriçim normal. Gjithashtu, ekzistojnë edhe procese pune që detyrimisht duhet të vazhdojnë pa ndërprerje 12 (dymbëdhjetë) orë e më tepër. Lënia në gjysmë e një bazamenti, strukturave mbajtëse ose e soletave është teknikisht e ndaluar mbasi dëmton qëndrueshmërinë e objektit.
Gjithashtu, betoni nuk është material i cili shkarkohet si inertet dhe përpunohet në një moment të dytë. Betoni trasportohet me makineri të cilësuara si makina teknologjike (autobetoniere), ka një orar teknikisht të caktuar brenda të cilit duhet të jetë i hedhur në vepër.
Për këtë arsye, kërkojmë nga institucionet kompetente lejimin e vazhdimësisë të punës tone normale, duke shmangur kështu, “abuzimet” e punonjësve të policisë ndaj firmave të betonit, në mënyrë të përditshme, në çdo rrugë të Tiranës”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.