Shoqata Industria e Përpunimit të Qumështit nëpërmjet një komunikimi për shtyp ka sqaruar se rritja e çmimeve për produktet e bulmetit është lajmëruar vetëm nga 1 kompani, kryesisht për produktet me qumësht dele dhe dhie, pasi qumështi është blerë 50% më shtrenjtë se vjet.
Shoqata pohon se operatorët e tjerë nuk kanë lajmëruar rritje të çmimeve të këtyre produkteve, ndërsa nënvizon se asnjë kompani përpunuese në treg nuk do të rrisë çmimet e produkteve të bulmetit të lopës.
Sakaq pak ditë më parë Monitor publikoi se një nga kompanitë përpunuese të qumështit njoftoi marketet dhe supermarketet në vend se nga 15 shkurti çmimet e bulmetit të qumështit të deles dhe dhisë do të rriteshin deri në 37%. Shkaku i shtrenjtimit ishte pasi 1 litër qumësht deleje nga ky operator këtë vit po blihet 160 lekë nga 110 lekë që ishte vjet.
Pas paralajmërimit për një rritje të re të çmimeve të nënprodukteve të qumështit, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të nisë monitorimin e këtij tregu, për të evidentuar nëse ekzistojnë shenja të marrëveshjeve të ndaluara, sjelljeve të bashkërenduara apo shkeljeve të tjera të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Shoqata nënvizoi se duke qenë se asnjë nga kompanitë e tjera nuk do të kenë ndryshim të çmimeve të produkteve të tyre, qartazi vërtetohet se nuk ka asnjë dakordësi apo marrëveshje për çmimet në sektorin e përpunimit të qumështit.
“Ky është një treg i lirë dhe asnjë operator nuk ka mundësi të vendosi për çmimet. Nuk jemi në një treg të kontrolluar apo monopol pasi aktualisht importi po zë vend gjithmonë e më shumë në raftet e supermarketeve shqiptare”, citohet në deklaratë.
Deklarata e Shoqatës Industria e Përpunimit të Qumështit
Nisur nga keqinformimi dhe informacionet e pavërteta që kanë qarkulluar këto ditë në media mbi çmimet dhe kostot e sektorit të përpunimit të qumështit, shoqata jonë që në përbërje të saj ka 8 anëtarë, dëshiron të sqarojë opinionin publik dhe veçanërisht konsumatorët tanë si me poshtë vijon:
Asnjë nga kompanitë anëtare të shoqatës sonë nuk ka ndryshuar apo rritur çmimet për produktet me qumësht lope, të cilat përbëjnë 92-95% të produkteve që gjenden dhe tregtohen në raftet e marketeve dhe supermarketeve. Pra, lajmi i qarkulluar në media në ditët e fundit se do të ketë rritje të çmimeve për produktet me qumësht lope është i pavërtetë dhe keqinformues.
Është vetëm 1 kompani, që është anëtare e shoqatës sonë, e cila ka lajmëruar për rritje të çmimeve, VETËM për produktet me qumësht dele dhe dhie. Theksojmë që është VETËM 1 kompani dhe është VETËM për produktet me qumësht dele dhe dhie. Edhe kjo kompani, e gjendur në një situatë shumë të vështirë të kostove të operimit, është ndikuar nga kostot e shtuara në grumbullimin dhe përpunimin e lëndës së parë për qumështin e deles dhe dhisë. Konkretisht, në analizën financiare që kjo kompani ka bërë sqaron se: a. Qumështi i të imtave po blihet sot nga blegtorët mbi 50% më shumë se para 1 viti. b. Qumështi i të imtave është sezonal dhe kjo bën që të ketë çmim të lartë gjatë periudhës së prodhimit të tij, sepse nuk është disponibël në muaj të tjerë. c. Sasia e prodhuar e qumështit të të imtave është në rënie nga viti i kaluar, kjo e konfirmuar dhe nga statistikat e INSTAT, sepse ka rënë numri i krereve të deleve dhe dhive që mbarështohen në vendin tonë.
Duke qenë se asnjë nga kompanitë e tjera nuk do të kenë ndryshim të çmimeve të produkteve të tyre, qartazi vërtetohet se nuk ka asnjë dakordësi apo marrëveshje për çmimet në sektorin e përpunimit të qumështit. Ky është një treg i lirë dhe asnjë operator nuk ka mundësi të vendosi për çmimet. Nuk jemi në një treg të kontrolluar apo monopol pasi aktualisht importi po zë vend gjithmonë e më shumë në raftet e supermarketeve shqiptare. Është e drejta e çdo operatori prodhues apo tregtari të ofrojë produktet dhe çmimet e tij, nga ana tjetër është konsumatori ai që zgjedhë në një ofertë të larmishme me jo me pak se 300 oferta produktesh.
Duhet të mbahet në konsideratë në çdo analizë që bëjmë, se në tregun dhe sektorin e përpunimit të qumështit: a). operojnë mbi 300 operatorë të ndryshëm brenda vendit b). Informaliteti është në shifra jashtëzakonisht shumë të larta c). Mbi 40% e tregut dominohet nga produkte të importit d. Është klienti pastaj ai që zgjedh se produktet e cilës kompani vendase të prodhimit apo importuesi do të blejë për të konsumuar.
Përfitojmë nga rasti që të ndërgjegjësojmë të gjitha instancat shtetërore dhe aktorët kryesor të fushës për rritjen e sigurisë ushqimore në sektorin e qumështit dhe mbi të gjitha eliminimin e fenomenit të qumështit të rrugës dhe përpunuesve informal të qumështit. Konkretisht bazuar edhe në shifrat e INSTAT në vendin tonë sasia e prodhuar e qumështit është 1,01 milion tonë, ndërsa sasia e grumbulluar është vetëm 115 mijë ton.
Pra:
a) VETËM 11% e sasisë së qumështit të prodhuar në vend rezulton të kalojë nëpërmjet një procesi kontrolli, përpunimi dhe paketimi të standardizuar në sektorin e përpunimit të qumështit
b) Pjesa tjetër prej 89% është totalisht ekonomi informale në sektorin e qumështit.
-30% e kësaj sasie përdoret për konsum vetjak;
-ndërsa 70% e kësaj sasie përpunohet në informalitet dhe jashtë çdo lloj standardi nga njësi përpunimi dhe baxho të padeklaruara.
Në mënyrë që shqiptarët të ushqehen me qumësht dhe nënprodukte të tij të kontrolluara dhe të përpunuara sipas standardeve të lejuara të ushqimit, është e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme në këtë sektor, për të bërë të të mundur formalizimin dhe standardizimin e të gjitha baxhove dhe njësive të përpunimit të qumështit në vendin tonë.
Fokusi i industrisë së përpunimit të qumështit është prodhimi i fermerit shqiptar, prandaj kërkojmë që të gjitha masat fiskale dhe tatimore dhe mbështetja nëpërmjet subvencioneve të orientohen në nxitjen e prodhimit të blegtorëve shqiptar dhe rritjes së cilësisë së qumështit të prodhuar dhe përpunuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Se pari gjate 3 – 4 viteve te fundit , sasia e qumeshtit te prodhuar ka qene ne renie progresive per faktin e thjeshte se politikat e ministrise se bujqesise ndaj blegtorise ne teresine e tyre jane kunder prodhimit vendas …. Se dyti sa i takon rritjes se cmimeve te qumeshtit ajo vjen kryesisht nga fermat dhe fabrikat e medha te perpunimit te tij per treg , e jo nga shumica e fermereve te lopeve , ku mbi 80 % e tyre duke patur jo me shume se se 3 – 4 krere lope , nuk jane ne gjendje te… Read more »