Transporti urban dhe interurban në vend nuk do të nisë shërbimin, deri në ndryshimin e protokollit të sigurisë të udhëtimit dhe plotësimin e katër kërkesave financiare, që nga ulja e TVSH-së dhe heqja e akcizës të naftës.
Përfaqësuesi i Shoqatës të Transportit Ndërqytetës dhe Rrethqytetas të Udhëtarëve, Kostandin Foni thotë për Monitor, se protokolli i sigurisë është kontradiktor, i paqartë dhe i padrejtë dhe si i tillë rezulton i pazbatueshëm. Në transportin publik për rastet, kur masat e përcaktuara te urdhri i protokollit nuk zbatohen nga qytetarët, sipas tij, kompanitë ngarkohen jo vetëm me gjobë deri në 700,000 lekë, por edhe për ndjekje penale.
“Urdhri i protokollit të operimit parashikon respektimin e distancës 1 metër mes pasagjerëve, gjithashtu është e detyrueshme që pasagjerët të jenë të pajisur me maska dhe doreza. Në transportin urban të Tiranës distanca mes stacioneve është 150 metra. Nëse një autobus merr në çdo stacion 25% të kapacitetit të vendeve, atëherë nuk duhet të marrë pasagjerë të tjerë në stacionin e radhës. Por si do t’i ndalojmë ne qytetarët që të mos hipin në autobus? Ne nuk jemi gardianë. Pra, këto masa janë të pazbatueshme. Sapo shërbimi të nisë me këtë protokoll, çdo operator mund të përfundojë në burg, pasi ngarkohet me përgjegjësi operatori për moszbatimin e masave nga qytetarët që përdorin shërbimin e transportit publik. Fillimisht janë masat ndëshkuese me gjobë që variojnë nga 100 mijë lekë deri në 700 mijë lekë dhe deri në ndjekje penale”.
Punonjës të shërbimit të transportit urban, shoferë dhe faturino protestuan sot para ministrisë të Transportit dhe Infrastrukturës për ndryshimin e protokollit, pasi kërkojnë rinisjen e punës. Protestuesit u përplasën me forcat e policisë, e cila ndërhyri për të shpërndarë protestën, pasi nuk lejohet grumbullimi në kohë pandemie.
“Prej 12 marsit dhe deri më sot punonjësit e transportit urban, si shoferët dhe faturinot kanë përfituar vetëm bonusin prej 40 mijë lekësh dhe asnjë të ardhur tjetër. Realisht këta punonjës janë në pamundësi financiare për familjet e tyre. Sot në vend ka rinisur puna për 20% të linjave interurbane, kryesisht furgona edhe kjo kategori janë në pamundësi financiare për të mbajtur familjet”, nënvizon përfaqësuesi i shoqatës të Transportit.
Protokolli i udhëtimit për transportin urban
- Në transportin qytetës të udhëtarëve me autobus do të lejohet udhëtimi me kapacitet të reduktuar, vetëm duke respektuar distancën prej 1 m midis udhëtarëve.
- Udhëtarët duhet të jenë të pajisur me maska, doreza, si dhe të respektojnë distancën e sigurisë prej 1 m, nga e cila mund të përjashtohen udhëtarët, të cilët janë pjese e së njëjtës familjeje, vërtetuar/provuar në bazë të dokumenteve të identifikimit.
- Në stacionet e qëndrimit të respektohet masa e distancimit social prej 1 m. 4. Drejtuesi i mjetit duhet të jetë i pajisur me maskë mbrojtëse/doreza.
- Mjetet e operimit do të dezinfektohen çdo ditë në ambientet e subjektit të licencuar nën monitorimin e bashkisë.
- Mjetet e operimit në transportin qytetës/urban duhet të pajisen me dizinfektantë me bazë alkooli dhe me shenja sinjalizuese për qëndrimin e udhëtarëve, duke respektuar masën e distancimit social.
- Në çdo mjet do të vendosen postera për respektimin e rregullave të higjienës të rekomanduara nga OBSH-ja, të vendosura në vende të dukshme për udhëtarët.
- Gjatë udhëtimit duhet të bëhet e mundur ajrimi i ambienteve të brendshme të mjetit, duke mbajtur dritaret hapur, përgjatë gjithë kohës së udhëtimit.
- Subjektet e licencuara duhet të sigurojnë respektimin e masave të higjienës, distancimit social dhe rregullat për hipjen/zbritjen e udhëtarëve.
- Masat e parashikuara në protokollin e sigurisë janë objekt kontrolli nga organet kompetente të parashikuara me aktet ligjore në fuqi.
Plotësimi i 4 kërkesave financiare
Operatorët e shërbimit të transportit publik kërkojnë edhe plotësimin e katër kërkesave financiare për rinisjen e punës, pasi Përfaqësuesi i Shoqatës të Transportit Ndërqytetës dhe Rrethqytetas të Udhëtarëve e kanë të pamundur të mbijetojnë.
“Qeveria duhet të plotësojë edhe 4 kërkesat financiare të kërkuara nga ne. Në fillim grupi i punës i Ministrisë të Infrastrukturës propozoi që shërbimi urban të ishte falas për qytetarët, për një periudhë 6 mujore, deri në daljen e biletave elektronike. Operatorët do të subvencionoheshin për shërbimin që do të kryenin, pa përfshirë fitimin. Në pamundësi të plotësimit të kësaj, ne kemi kërkuar plotësimin e 4 pikave financiare për të mbijetuar. Edhe për dy pikat që kryeministri Rama nëpërmjet FB ka deklaruar se janë plotësuar, nuk ka një vendim të Këshillit të Ministrave.
Është rimbursimi i TVSh-së të naftës në blerje, çka do të thotë që nafta që ne blejmë, në kohë normale, njihet si shpenzim 43% dhe nuk kalohet më shumë se 50%. Kryeministri thotë se do të rimbursohet 100%, por kjo realisht nuk ka asnjë efekt financiar te operatorët. Së dyti, është premtuar falja e tarifave dhe taksave vendore. Bashkia e Tiranës deri tani ka falur vetëm taksën e pastrimit nga datë 1 prill deri në fund të vitit dhe jo për të gjithë vitin 2020, siç është deklaruar. Pra nuk është bërë asgjë nga çfarë është thënë”, pohon përfaqësuesi i shoqatës.
Sipas Unionit kryerja e shërbimit të transportit publik sipas protokollit të publikuar do të kryhet vetëm nëse qeveria do të zbatojë katër kërkesat të mëposhtme:
1.Subvencionimi i të ardhurave të munguara për subjektet transportuese si pasojë e kufizimeve të protokollit të sigurisë;
2.Heqja e akcisës dhe e taksave të karburantet, siç është zbatuar dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë;
3.Zbritja e TVSH-së në shitje nga 20% – 0% për vitin 2020 dhe rikthimin në nivelin 6% në vijim si sektori i hoteleri turizmit;
4.Rimbursimi në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport publik falas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.