Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) ka nisur procesin e vlerësimit të Parimeve Themelore në Sigurime (ICP) për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Një ekip teknik me ekspertë nga rregullatorë të vendeve anëtare të IAIS ka mbërritur kete te hene në Tiranë, ku për disa ditë do të realizojë takime me stafin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, por edhe përfaqësues e aktorë të tjerë të tregut të sigurimeve.
Në takimin me Drejtorin e AMF-së, Ervin Mete u diskutua fillimisht për programin e punës dhe metodikën e realizimit të vlerësimit. Drejtor i AMF u shpreh se qëllimi i procesit është vlerësimi i plotë i progresit të bërë nga Autoriteti dhe përputhshmëria e bazës ligjore e rregullatore, si edhe praktikave mbikëqyrëse me standardet më të larta ndërkombëtare në sigurime. Ai theksoi se që prej vlerësimit të realizuar përmes Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) nga ana e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2013, janë ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në kuadrin ligjor e rregullator, njofton AMF.
Përfaqësuesit e IAIS vlerësuan bashkëpunimin dhe gadishmërinë e shfaqur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare gjatë fazës së parë të vetëvlerësimit, ndërsa theksuan se procesi do të shërbejë për identifikimin e nevojave për përmirësime të mëtejshme të praktikave mbikëqyrëse, apo ndërmarrjen e ndryshimeve ligjore në fushën e sigurimeve.
Ekipi i vlerësuesve të IAIS do të realizojë një vlerësim të plotë të progresit të bërë në aspekte si pavarësia institucionale e mbikëqyrësit, praktikat mbikëqyrëse, vlerësimi dhe analizimi i riskut, baza ligjore, procedurat e licencimit, mbikëqyrja e grupeve të sigurimit, etj.
Parimet Themelore në Sigurime (ICP), të dizenjuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) paraqesin një kuadër të pranuar globalisht parimesh, standardesh dhe guide për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit të sigurimeve. ICP-të paraqesin themelet e mbikëqyrjes efektive të sigurimeve. Ato shërbejnë si një pikë bazike referimi për mbikëqyrësit në sigurime në të gjitha shtetet. ICP-të përdoren gjithashtu në rastet e vlerësimeve të kryera, pjesë e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) të realizuar bashkarisht nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndërmarrja e vlerësimit të ICP-ve është edhe një nga rekomandimet e Kuvendit në drejtim të Autoritetit në rezolutën e fundit.
Në muajin prill, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare aderoi në Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit (MMoU) të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), në funksion të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes mbikëqyrësve në tregun e sigurimeve. Anëtarësimi i AMF në grupin e vendeve nënshkruese të MMoU-së u realizua pas një procesi rigoroz verifikimi të përputhshmërisë së bazës ligjore dhe rregullatore me standardet ndërkombëtare të IAIS.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.