Ndonëse në tregun e shërbimeve postare të shpejta operojnë 10 operatorë, 15% të këtij tregu i takon Postës Shqiptare me shërbimin e saj EMS. Ndërsa 9 operatorët e tjerë privatë kanë ndarë mes tyre 85 përqindëshin tjetër duke bërë kështu që shërbimi publik të kryesojë. Arsyeja më e thjeshtë e kësaj ndarje të tregut lidhet ngushtë me çmimin e ulët që ofron kjo postë në krahasim me operatorët e tjerë. Luiza Hoxhaj, drejtorja e Postës së Shqipërisë, thotë se “një nga pikat e forta të institucionit tonë është çmimi shumë i ulët si dhe shtrirja në të gjithë territorin e vendit”. Kjo është një arsye mëse e mjaftueshme për ti bërë shqiptarët që të preferojnë në shumë raste shërbimin publik, i cili me një çmim relativisht të ulët mund tiu ofrojë edhe një kohëzgjatje më të madhe për dërgesat, në krahasim me shoqëritë e tjera private.Sipas disa të dhënave nga Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacionit, numri i zyrave që ofrojnë shërbime postare në të gjithë vendin, është rreth 620, nga të cilat 565 janë zyra dhe agjentë të “Posta Shqiptare”. Numri i objekteve postare të pranuar për banor nga të gjithë subjektet është rreth 1.5. Krahas zhvillimit të tregut, ajo që vihet re është zbehja e rëndësisë së dërgimit të një letre me anë të postës. Në kushtet e një interneti (e-mail) të kudondodhur si dhe të përhapjes në masë shumë të gjerë të celularëve, tashmë komunikimi, që deri para disa vitesh zgjatej me ditë të tëra, po zëvendësohet me komunikimet e shpejta. Por kjo teknologji nuk mund të zëvendësojë kurrsesi dërgimin e një pakoje, dërgimin e dokumenteve, apo të objekteve të tjera, qoftë brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij. Tregu i brendshëmFirmat që ofrojnë shërbime postare në tregun e brendshëm (brenda territorit të Shqipërisë) janë YAPS, ACS Albania dhe Albanian Courier Service. Dy operatorët e fundit kanë një infrastrukturë zyrash të shtrira në të gjithë vendin. Por edhe operatorët e tjerë ofrojnë shërbime postare brenda vendit. Foto Zeneli, administrator i Albanian Courier Service, tregon se “tregu i brendshëm është ende i pazgjuar”. Ai e ilustron këtë fakt me fenomenin e furgonave. Sipas tij, nëse shkon në një stacion ku nisen furgonat për qytete të ndryshme, të bëjnë përshtypje dërgesat që bëhen me shoferët e tyre për në një qytet tjetër. Pra, qytetarët, thotë ai, kanë humbur besimin te posta e shtetit, dhe në këtë mënyrë ata zgjedhin një rrugë më të shpejtë dhe më të lirë. Më të lirë, sepse dërgesat e objekteve brenda vendit që ofrojnë shoqëritë private, kushtojnë shumë. Kështu nëse bëhet një dërgesë 2 kg brenda territorit të Shqipërisë, ajo do të kushtojë 750 lekë, dhe shpërndarja e saj do të kryhet brenda 24 orëve (Albanian Courier Service). Gjithashtu, Zeneli thotë se “në Shqipëri nuk ekziston ende kultura e të vlerësuarit të kohës së humbur”. Nëse dikush shkon te furgoni dhe dërgon pakon, atij nuk i intereson që personi që pret këtë pako, humbet kohën që del dhe e pret. “Mangësia jonë është se ne nuk kemi informuar qytetarët se ekzistojmë, jemi edhe ne që ju ofrojmë një shërbim të tillë. Kur shkojmë në një shoqëri na thonë që “nuk e dinim që mund ta bënit edhe kështu”, dhe zakonisht këto janë shoqëri të huaja që operojnë në Shqipëri, të cilat vijnë me mendimin që këtu nuk mund të ketë një shërbim postar të tillë”, -thotë ai.Nga ana tjetër, shërbimet ekspres nuk bazohen thjesht te shërbimet e qytetarëve, por bazohen edhe tek institucionet, te shoqëritë, të cilat janë të lidhura midis tyre. Por edhe në këtë rast ato janë të pakta, p.sh. bankat kanë filluar të kenë filiale nëpër qytete. “Në to ka fonde për të dërguar dokumentet, të cilat nuk i tenderojnë. Me porosi të brendshme apo me shkrim këto kalojnë te posta e shtetit, ndërkohë që në të gjitha vendet e Botës dihet që të gjitha institucionet tenderojnë shërbimet postare”, -tregon Zeneli.Tregu i jashtëmTë gjithë operatorët ofrojnë shërbimet postare të shpejta midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Botës. Shoqëritë më të mëdha të tregut shqiptar tashmë kanë një emër të konsoliduar edhe në tregun botëror. Këtu mund të përmendim DHL, Fedex, UPS, TNT. Shërbimet që operatorët privatë ofrojnë së bashku me shërbimin publik (EMS) kanë pak a shumë të njëjtat nivele çmimesh për tregun shqiptar, ashtu si edhe në tregjet e huaja. Por midis nëntë operatorëve privatë vihen re edhe nivele çmimesh të ndryshme, duke krijuar në këtë mënyrë një paketë ofertash me çmime të lira dhe të shtrenjta. Ndërsa një letër e thjeshtë për jashtë vendit dërgohet me DHL me një çmim mbi 4500 lekë, me Albanian Courier Service kushton 3 herë më pak. Sipas administratorit të kësaj shoqërie, kjo është edhe përparësia e tyre, çmime sa një e treta e operatorëve të tjerë. “Ne mundohemi të ofrojmë te klientët atë që nuk e ofrojnë të tjerët”, -thotë Zeneli. Kryesisht, shërbimet postare të shpejta janë të ndara sipas zonave, ku shoqëria UPS e ka ndarë Botën në tetë të tilla, ku zona e parë është më e lira dhe zona 8 është zona më e vështirë dhe më e kushtueshme. Te zona e parë përfshihen vendet përreth nesh, kryesisht vendet e Ballkanit dhe Italia, ndërsa te zona 8 përfshihen vende të Afrikës si Senegali, ishujt Fixhi, Ekuadori etj. Po kështu edhe Albanian Courier Service vepron në tetë zona, ku zona e parë për një pako 0.5 kg ka një çmim prej 3500 lekësh dhe zona tetë ka një çmim prej 4800 lekësh. Por ekzistojnë edhe disa kufi, që nuk mund të kapërcehen nga operatorët, siç janë vendet ku ka embargo, si p.sh. në Libi, Nigeri, Irak, të cilat janë të varura nga situatat politike.Problemet e shoqëriveDuke qenë se tregu i shërbimeve postare të shpejta është një treg deri diku i pashfrytëzuar ende nga shqiptarët, problemet që kanë hasur operatorët janë nga më të ndryshmet. Problemi kryesor për ta mbetet Zona e Rezervuar e Postës Shqiptare. Kjo zonë është e përcaktuar me ligj, dhe përfshin çmimin monopol që ruan shërbimi publik për dërgesat nga 100 gr deri në 1 kg. Për këto dërgesa, sipas ligjit, asnjë operator privat nuk mund të ofrojë në treg një çmim më të ulët se pesëfishi i çmimit që ofron posta e shtetit. Pra, në këtë mënyrë ky institucion e ka të garantuar thithjen e klientelës për mungesë të konkurrencës. Kështu p.sh., nëse për shërbimin e thjeshtë (një letër brenda vendit me peshë 100gr) Posta Shqiptare ofron çmimin 40 lekë, një shoqëri private nuk mund të ofrojë një çmim më të ulët se 200 lekë për të njëjtin shërbim. Nga Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacionit mësohet se pas vitit 2002 ka pasur një rritje të interesit të operatorëve për tu licencuar në këtë fushë. Por sipas kësaj Ministrie, për të thithur kapitalin privat në këtë sektor duhet të bëhet liberalizimi i mëtejshëm i shërbimeve postare duke zvogëluar Zonën e Rezervuar për operatorin publik postar. Nga ana tjetër, Drejtoresha e Postës, Luiza Hoxhaj shprehet se “monopoli është një nga pikat e diskutuara shpesh këto kohët e fundit dhe monopol nuk ka vetëm Posta e Shqipërisë. Zona e Rezervuar është përparësi që e kanë të gjitha administratat publike postare në të gjithë Botën, sepse janë rregulla të përcaktuara nga Unioni i Përbotshëm i Postave”. Kjo sipas saj lidhet me faktin e domosdoshmërisë së kryerjes së këtij shërbimi, edhe në rast se ka humbje. Ka vende, si p.sh., Maqedonia, ku administrata publike postare del me humbje dhe si rrjedhim subvencionohet nga shteti. Një problem tjetër i mprehtë është edhe mungesa e një adrestari për territorin e Republikës së Shqipërisë. Shumë mangësi, shumë mosmbërritje në destinacion kanë si burim kryesor adresat e pasakta, ose në rastin më të keq, mosekzistencën e tyre. Edhe pse ekziston një vendim qeverie i fillimvitit për hartimin e një Kodi Postar dhe të një adrestari, ende asnjë shoqëri, përfshirë këtu edhe shërbimin postar publik nuk operon në bazë të këtyre dy elementeve. Kodi Postar do të mundësojë vendosjen e një kodi identifikimi për çdo bashki, minibashki dhe objekt, nëpërmjet të cilave do të mund të realizohej një shpërndarje më e saktë dhe më e shpejtë. Ndërsa për shoqërinë UPS, problemet më të mëdha kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë gjendja shumë e keqe e rrugëve shqiptare. “Transporti në çdo vend është si venat e trupit të njeriut, ato mbajnë gjakun. Nëse nuk do të kishte rrugë ku të kalojnë njerëzit, mallrat dhe shërbimet, nuk do të lëvizte asnjë gjë”, -shprehet Nuri Shafiq, drejtuesi i saj. Gjithashtu, ai shprehet se ndihet nevoja për të trajnuar punonjësit. Sistemi UPS është një sistem ndërkombëtar, kështu që stafi trajnohet në këtë sistem. Ai është një sistem standardesh ndërkombëtare që përdoret në çdo vend të Botës. “Ne duhet ti trajnojmë dhe jam i lumtur të them se po fitojmë shumë cilësi të mira”, -thotë Shafiq. Ofertat e dërgesaveOfertat e dërgesave janë nga më të ndryshmet. Në varësi të llojit të shërbimit ato përmbajnë çmime të ulëta dhe nëse klienti kërkon një shërbim më të shpejtë, atëherë edhe çmimi pëson një rritje. “Brenda qytetit shërbimi është nga një deri në tri orë, shërbimi brenda vendit nga 12 deri në 24 orë, shërbimi brenda vendit nga 6 deri në 8 orë dhe shërbim me Greqinë, pra nga e gjithë Greqia për Tiranën për 24 orë dhe për gjithë Shqipërinë për 48 orë, shërbim në të gjithë Europën nga 24 deri në 48 orë, shërbim në të gjithë Botën nga 24 deri 72 orë dhe këtu flasim për ditë pune, nuk shërbehet të dielave”, -thotë Foto Zeneli, administrator i Albanian Courier Service. Ndërsa për shoqërinë UPS (United Courier) “mënyra se si jemi lidhur me sistemin ndërkombëtar UPS, është i ndërtuar në një mënyrë shumë efikase. P.sh., nëse ju dërgoni një pako nëpërmjet shoqërisë tonë në çfarëdolloj destinacioni në Europë, me përjashtim të Rusisë, dorëzohet mëngjesin tjetër rreth orës 10, pra 24 orë”, thotë Shafiq, i cili gjithsesi pohon se “nuk mund të them se mund ta garantojmë këtë, sepse jemi të varur nga fluturimet tregtare”. E njëjta gjë, sipas tij, ndodh edhe nëse dërgohet një pako në Nju York, ajo do të jetë atje ditën tjetër. Për klientët e mëdhenj, kjo shoqëri mund të bëjë edhe ulje.Ndërsa çmimet e dërgesave ndryshojnë sipas zonave të destinacionit mbërritës. Kështu, nëse dërgohet një pako deri në 0.5 kg më agjencinë Albanian Courier Service brenda zonës 1, çmimi do të jetë 3500 lekë, për zonën 3 750 lekë, dhe deri tek zona 8 që është edhe më e vështira dhe më larg ky çmim do të rritet në 4 800 lekë. Ndërsa me shërbimin postar shtetëror, EMS tarifa për një pako 0.5 kg në zonën 1 është 3500 lekë; ndërsa në zonë 4, që është edhe zona më e largët, kjo pako dërgohet me 7500 lekë. Pra, çmimet e dërgesave luhaten sipas shoqërive dhe sipas zonave ku dërgohen. Kjo shoqëri përveç shërbimeve tradicionale postare ofron edhe shërbime financiare si transferta të shpejta të parave, pagesat e tatim-taksave, shpërndarje të pensioneve të pleqërisë, arkëtimin e faturave telefonike, të energjisë elektrike, ujit si dhe pagesa të tjera. Në gusht të vitit 2002 Banka e Shqipërisë i dha “Posta Shqiptare” licencën për të ushtruar veprimtari financiare si “subjekt financiar jo bankë”. Gjithashtu, ajo është ofruese e shërbimeve të telekomunikacionit në zonat rurale, e mundësuar kjo nga një kontratë e lidhur me “Albtelecom”.Ndërkohë, përveç dërgesave, operatorët kanë si objektiv pune edhe ofrimin e disa shërbimeve të veçanta. Kështu, Albanian Courier Service ofron dërgesa nga agjencia në agjenci, i cili është një shërbim ekonomik, ku dërgesa dorëzohet në agjencinë më të afërt dhe marrësi e merr atë në zyrën e kësaj agjencie në qytetin e tij; dërgesat masive, nëpërmjet të cilave realizohet shërndarja e dokumentave, ftesave, faturave, dhuratave etj. Një tjetër ofertë është për dërgesat me rëndësi të lartë, i cili funksionon vetëm për territorin e Shqipërisë. Këto shoqërohen nga momenti i grumbullimit deri në dorëzim nga i njëjti person. Ofrohet shërbim blerje, nëpërmjet të cilit merret përsipër të blihet në Greqi dhe Shqipëri, mallrat që dëshirojnë klientët. Kryhet zhdoganim malli, ku të gjitha mallrat që transportohen dhe i nënshtrohen procedurave doganore, zhdoganohen nga shoqëria dhe më pas bëhet dorëzimi në destinacion. Pakot tuaja kalojë nga neEMSShërbimi i shpejtë postar shtetëror EMS, ka filluar të funksionojë në vitin 1991, me rreth 7 adminstrata postare në Botë, ndërsa sot ai e kryen këtë shërbim me rreth 120 vende të Botës. EMS-ja kryen shërbime në të gjithë territorin e Shqipërisë, në të cilin funksionojnë 556 zyra postare me 1584 punonjës. Ky shërbim, nëpërmjet sistemit IPS LIGHT, i cili funksionon nëpërmjet internetit, transmeton dhe konkludon për zgjidhjen e vonesave në dorëzimin ose në mosmbërritjen e dërgesave. Në vitin 2000 Posta Shqiptare u bë anëtare në Kooperativën EMS dhe atë Telematik. Për të rritur cilësinë e këtij lloj shërbimi në vitin 2001 është vënë në zbatim sistemi i gjurmimit “track&trace” si dhe sistemi “Rugby”, nëpërmjet të cilëve bëhet e mundur gjurmimi i dërgesave EMS, si dhe informimi i klientit në çdo kohë mbi dorëzimin e objektit në destinacion. Në rast se ndodh që dërgesa të mos mbërrijë atëherë EMS shpërblen klientin me disa tarifa të përcakuara në rregulloren e shërbimit postar të miratuar nga Post-Europa. Volumi i dërgesave të kësaj shoqërie ka pasur hopet e veta. Kështu, duke filluar që nga viti 2000 e deri në 2003, objektet e porositura të hyra nga jashtë dhe të dala për jashtë ka ardhur duke u ulur, ku nga 108 900 objekte të porositura për të hyrë në Shqipëri në vitin 2000, ky numër ka zbritur në 77 000 objekte në 2003. Po kështu ulje kanë pësuar edhe objektet e thjeshta që prej vitit 2002. Gjithsesi, drejtoresha e Postës Shqiptare thotë se viti në vazhdim paraqet tregues pozitivë në këtë drejtim. United Courier (UPS)Ajo që është edhe shoqëria më e madhe në Botë për dërgesat e shpejta, ka filluar aktivitetin e saj në Shqipëri që në vitin 1996. Nuri Shafiq, drejtuesi i saj tregon se periudha e deritanishme ndahet në dy faza, e para në 1996-2000 dhe faza e dytë shtrihet deri tani. “Pas 96-ës e deri në 2000 ne vazhduam të qëndrojmë në këtë vend me operimet tona, zyrat vazhduan të qëndronin hapur dhe ne vazhduam të shpërndanim postën, përveç periudhës kur Aeroporti i Rinasit u mbyll për një periudhë të shkurtër kohore”, -thotë ai. Faza e dytë, sipas tij është një periudhë optimiste për Shqipërinë dhe filloi pas vitit 2000. “Biznesi ynë është i lidhur ngushtë me rritjen ekonomike të vendit ku ne operojmë, dhe kjo është çështje për të gjitha kompanitë e këtij lloji. Numri i dërgesave që vijnë dhe numri i atyre që shkojnë jashtë, reflekton rritjen ekonomike të vendit. Nëse ekonomia rritet, numri i importeve dhe eksporteve rritet, pra është si një barometër për rritjen e konomike”, -thotë Shafiq. Planet e shoqërisë për të ardhmen përfshijnë shtrirjen e shërbimeve publike për Jugun dhe Veriun e Shqipërisë. “Jemi duke u zgjeruar në Fier, Vlorë dhe më tej në Gjirokastër dhe më pas në qendër dhe në lindje të vendit në Elbasan, Rrogozhinë, Librazhd, Pogradec, Korçë, dhe më tej në veri të vendit, deri në Shkodër”, -tregon numri një i kësaj shoqërie. Albanian Courier ServiceËshtë një nga operatorët më të rinj në këtë treg. E krijuar në mars të këtij viti, shoqëria ofron një gamë të gjerë shërbimesh të shpejta jo vetëm me Botën, por edhe brenda territorit shqiptar duke konkurruar në këtë mënyrë shërbimin publik. Ajo ka rrjetin e saj të shtrirë në 40 agjenci në të gjithë vendin. Sipas administratorit të kësaj shoqërie, tek ne ka një kontradiktë, sepse pasi bëhet një investim, shoqëria nuk mund të dalë me fitim. “Është mentaliteti që, përderisa unë ofroj një shërbim, thuhet që unë duhet të fitoj. Mirëpo unë nuk fitoj sot për sot, unë kam si parim të le klientin të kënaqur. Unë nuk dua 100 pako sot, por dua një dhe të saktë dhe këtë ta çoj në destinacion e në afatin që i kam premtuar klientit”, -thotë Zeneli. “Unë mund të them pa mburrje që jam e vetmja shoqëri që shkoj në të gjithë qytetet e Shqipërisë çdo mëngjes shtatë ditë në javë”, -tregon ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Informacion mbi shërbimet postare shumë i rëndësishëm!