Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi këtë të hënë shpalljen e ankandit për ndërtimin e parqeve eolike.
Në një ceremoni të mbajtur me këtë rast me prezencën e ambasadës së Zvicrës dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ministrja Belinda Balluku dha edhe detajet sa i takon mënyrës sesi do të zhvillohet ky ankand dhe procesi që do të ndiqet nga fillimi deri në fund në shpalljen e një fituesi.
Sipas Ballukut ky është një tjetër hap drejt diversifikimit pas atyre të hedhura po në këtë drejtim përmes ankandeve të shpallur më herët për energjinë fotovolatike.
“Sot ndodhemi për të hapur një ankand për një lloj tjetër alternativ të energjisë, ankand i energjisë eolike. Ky ankand do të japë mundësinë të ndërtojmë parqe. Ankandi do u japë mundësi prodhuesve që të japin ide për të ndërtuar impiante me kapacitetit 10 MW dhe 75 MW në fillim çmimi i parafiksuar do të orientohet për 100 MW në total që do blihen nga Shqipëria. Çmimi 75 euro për MWh do të jetë Tavani që të ofertojnë çmimin më të ulët. Do të ketë dy faza vlerësimi.
Në fazën e parë që zgjat 12 muaj do verifikojmë dhe vlerësojmë gjithë argumentet nga jo për eksperiencën teknike dhe burimet financiare ashtu edhe pozitën ligjore të kompanive. Në fazën e dytë do të kemi mundësi të vlerësojmë ofertat financiare. Ndryshe nga herët e tjera në një bashkëpunim me SECO ne kemi zhvilluar një studim që sot do vendoset në dispozicion të kompanive dhe që do të duan të marrin pjesë në ankand. Ky studim jep zonat e mbrojtura ku nuk mund të ndërtohet, zonat me prodhimin më të lartë eolik që zënë 20 për qind e territorit duke i dhënë mundësi përzgjedhjeje.
Këto territore të shfrytëzueshme dhe nisin mbi 150 metra mbi nivelin e detit. Fakti që ky ankand mbështetet mbi një studim të mirëfilltë dhe që do të përzgjedhin mbi fizibilitetin por edhe investimeve që janë bërë nga OST dhe OSHEE do u japin indice operatorëve se ku do jetë më i favorshëm investimi. I kemi quajtur hibride këto ankande pasi shteti nuk ka vënë në dispozicion tokën. Ne vëmë studimin në dispozicion, kriteret që duhet të përmbushen dhe përzgjedhim përmes një komisioni” tha Balluku.
Ajo solli në vëmendje edhe punën e bërë për sektorin e energjisë në vitet e fundit sa i takon investimeve në shpërndarje dhe uljes së humbjeve si dhe sigurimit të çmimeve të favorshme për ankandet e Spitallës dhe Karavastasë. Sipas saj këto tregojnë se tashmë është momenti për të kaluar tek investimi në eolike në mënyrë që të ulen kostot e importeve të energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.