Kompania franceze Voltalia është shpallur fituese e ankandit për parkun fotovoltaik të Karavastasë.
Çmimi i dhënë për megavat prej tyre është 24,89 euro. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e konsideroi këtë çmim si rekord për parqe të tilla.
“Kjo është një ofertë e jashtëzakonshme, e cila do të kthehet një marrëdhënie përfitimi si për shtetin shqiptar, ashtu edhe për kompaninë franceze në shtetin tonë. Pse kemi zgjedhur çmimin 55 euro si tavanin për ofertim? E kemi zgjedhur çmimin, pasi kemi bërë një studim të thellë të tregut në tre vitet e fundit”.
Kreu i qeverisë deklaroi se parku fotovoltaik i Karavastasë do të jetë më i madhi në rajon, ndërsa çmimi i ofruar, sipas tij, është jashtë çdo parashikimi.
“Ky park fotvoltaik do jetë më i madhi në rajon. Më vjen mirë që ne jemi në gjendje që të shikojmë konkretisht finalizimin e një përpjekje të madhe për të hapur një faqe të re në historinë e sistemit energjetik, duke përfshirë një volum të rëndësishëm, i pari i kësaj natyre, energjisë diellore në sistem dhe një investim të huaj mbi 100 milionë euro. Çmimi është fantastik, jashtë çdo parashikimi”, deklaroi Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.