Shpejtësitë e ndryshme të rimëkëmbjes

19/06/2021 10:12 PM 0 komente

EDITORIAL MONITOR / Ekonomia po i rikthehet rimëkëmbjes me shpejtësi. Shumë tregues i kanë arritur apo i kanë kaluar nivelet e parakrizës. Të ardhurat buxhetore për 4-mujorin e parë ishin 2% më të larta se e njëjta periudhë e 2019-s. Tendencë edhe më pozitive shënuan eksportet, duke u zgjeruar me 10% në krahasim me janar-prillin e 2019-s.

Në të njëjtën linjë, edhe treguesit e punësimit u përmirësuan. Vendet e punës që u humbën gjatë pandemisë në sektorin privat jo bujqësor, pothuajse  janë rikuperuar.

Konsumi po përmirësohet. Ecuria e importeve tregon për përfundimin e efektit të izolimit. Nuk ka më blerje vetëm të produkteve të shportës dhe të lidhura me pastrimin, konsumi i pijeve alkoolike, apo produkteve të tjera jo të domosdoshme është përmirësuar. Kredia është rigjallëruar, si për biznesin ashtu dhe për konsumatorët. Depozitat kanë ngadalësuar rritjen, në një tregues indirekt se konsumatorët u janë rikthyer shpenzimeve. Turizmi është shumë më mirë se vitin e kaluar, ndonëse për momentin është i varur nga rajoni e sidomos Kosova dhe mbetet ende poshtë niveleve të parakrizës. Prurjet e emigrantëve janë rritur, duke furnizuar me likuiditete ato familje që mund të kenë vuajtur pasojat e mbylljes dhe humbjes së vendeve të punës.

Sinjalet janë që ekonomia do ta arrijë nivelin e parakrizës që këtë vit, e ndihmuar dhe nga ritmet e rënies më të ulëta sesa parashikimi në vitin e vështirë të krizës.

Kjo tendencë ishte e pritshme. Pas përfundimit të pjesës më të vështirë të krizës, rritja vlerësohej të ishte e shpejtë, e orientuar nga konsumi dhe turizmi. Në sektorin privat do të ketë flukse të parave, ndërkohë që ekonomia rihapet plotësisht. Familjet dhe kompanitë, që në kohën e pandemisë ishin të kujdesshme, duke ruajtur kursimet e akumuluara, pas rihapjes, mund të nisin një valë shpenzimesh, duke kompensuar për gjithë kohën që nuk kanë kaluar në udhëtime, argëtim, restorante dhe bare, në vitin 2020, duke i lënë vendin një periudhe të re dinamizmi ekonomik.

Megjithatë, shpejtësitë e rimëkëmbjes mbeten të ndryshme dhe nuk lënë vend për shumë optimizëm. Ekonomia vendase po i gëzohet një vale ndërtimesh, që po nxit dhe zinxhirin mbështetës dhe përkohësisht po shton likuiditetet në treg, teksa informaliteti po vepron si një amortizator i përkohshëm i krizës. Eksportet e çelikut dhe lëndëve djegëse po përfitojnë nga koniunktura e favorshme ndërkombëtare e çmimeve dhe gjallërimi i kërkesës së ndrydhur pas karantinave të ashpra në pjesën më të madhe të vendeve.

Industria e tekstileve dhe këpucëve, që përbën pjesën kryesore të eksporteve me rreth 35% dhe është punëdhënësi më i madh në industri, mbetet ende poshtë niveleve të parakrizës. Shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 13% më të ulëta në raport me 4 -mujorin normal të 2019-s. Pritshmëritë nuk janë shumë pozitive, të paktën deri në fund të këtij viti. Ekonomia po vuan në këtë mënyrë pasojat e mungesës së diversifikimit, që lidhet si me varësinë e lartë nga Italia, ashtu dhe me nivelin e ulët të përpunimit. Industria nuk arriti ta shfrytëzonte këtë situatë për të shtuar proceset, për të zgjeruar tregjet, apo për të përfituar nga delokalizimi i zinxhirëve të furnizimit në mbarë globin.

Bizneset mikro, që janë zemra e ekonomisë, po rezultojnë më të brishtat. Të dhënat e INSTAT tregojnë se mbylljet më të mëdha janë te subjektet me 5-9 të punësuar, kryesisht në tregti dhe akomodim e shërbim ushqimor, që janë dy sektorët që gjenerojnë më shumë punësim.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se përmirësimi ekonomik nuk po shoqërohet me gjenerimin e vendeve të reja të punës. Forca e punës e grupmoshës 15-29 vjeç sa vjen e po ulet, duke reflektuar problemet e tjera strukturore si plakja graduale e popullsisë dhe emigracioni që nuk po ndalet.

Pas vitit të vështirë të pandemisë, e ardhmja, pa dyshim, që do të jetë më pozitive. Ekonomia do të ringrihet, por se sa e qëndrueshme do të jetë ajo dhe sa do të arrijmë që krizën ta kthejmë në mundësi, kjo do të varet nga orientimi i politikave për të nxitur një ekonomi të qëndrueshme, konkurruese dhe të mbështetur nga teknologjia e informacionit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of