Shpellat mund të jenë magjike, të frikshme dhe të mrekullueshme. Ato shërbejnë si portë për në të kaluarën dhe janë shembull i mënyrës sesi planeti ynë ka evoluar.
Ndërsa disa prej tyre janë të paarritshme për turistët, shumë nga shpellat më të famshme në botë përmbajnë formacione të dallueshme shkëmbore, ujëra nëntokësore dhe pamje të tjera magjepsëse, duke i bërë ato atraksione kryesore për vendasit dhe turistët.
Është përulëse të mendosh se, disa shpella janë aq të mëdha, sa mund të strehojnë qiellgërvishësit e qytetit të Nju Jorkut dhe blloqe të tëra të qytetit, brenda tyre.
Në vazhdim janë shpellat më të mëdha në botë dhe vendndodhja e tyre.
5. Sistema Dos Ojos, Meksikë
Sistema Dos Ojos u zbulua në vitin 1987 dhe që atëherë, ka tërhequr interesin e eksploruesve. Kjo shpellë gëlqerore, me shtrirje mbi 300 km, është e lidhur me shpellën nënujore Sistema Sac Atun.
Sipas medias Largest.org, Sistema Dos Ojos konsiderohet një vend më rëndësi arkeologjike. Arkeologët kanë zbuluar të dhëna brenda këtij sistemi shpellor, që ka çuar në shumë zbulime për një sërë kulturash.
Pasi u zbulua kanali, që lidh Sistema Dos Ojos me Sistema Sac Atun, ky sistem shpellor u bë i njohur si shpella më e madhe nënujore që ekziston.
4. Sac Actun, Meksikë
Sistemi më i madh i shpellave në Meksikë është një nënujor, dhe pjesë të reja të tij zbulohen vazhdimisht.
Sac Actun është një nga sistemet më të mëdha të shpellave nënujore në botë; aktualisht ka një shtrirje mbi 350 km, pasi zbulohen vazhdimisht shpella të reja.
3. Shpella Mammoth, Kentaki
Nuk dihet se sa është shtrirja në të vërtetë e Shpellës së Mamuthit, por deri më sot, është regjistruar se sistemi nëntokësor shtrihet të paktën 580 km.
Shpella të reja zbulohen vazhdimisht, kështu që nuk mund të thuhet me saktësi shtrirja e vërtetë e këtij sistemi shpellash – disa besojnë se mund të jetë shpella më e madhe në botë, duke qenë se askush nuk e di ende madhësinë e saj të vërtetë.
Njerëzit kanë eksploruar Shpellën Mamuth për më shumë se 4000 vjet, dhe sot, ajo është ende atraksion i madh turistik në Kentaki.
Një shpellë veçanërisht mahnitëse, ajo është e pasur me shumëllojshmëri të formacioneve stalaktite, të krijuara nga rrjedhja e ujit nga tavani gëlqeror i shpellës gjatë mijëvjeçarëve.
2. Shpella Miao, Kinë
Shpella-dhomë Miao, është padyshim një nga shpellat më të mëdha në botë. Kjo dhomë, me vëllim rreth 10.8 milionë metër kub, është e arritshme vetëm nëpërmjet rrugëve ujore nëntokësore.
Përmasat e shpellës u matën me lazer, nismë e mbështetur nga National Geographic Society, dhe më pas ato u prezantuan në konferencën kombëtare të shpellave në Mbretërinë e Bashkuar.
1. Shpella Son Doong, Vietnam
Shpella Son Doong e zbuluar së fundmi në Vietnam, është shpella më e madhe në botë. Vizitorët duhet të zbresin 260 metra, vetëm për të hyrë në perimetrin e saj. Zgavrat e shpëllës janë aq të mëdha, sa mund të strehuar një qiellgërvishës 40-katëshe.
Son Doong u zbulua në vitin 1991 nga Ho Khanh, i cili jetonte në xhunglën pranë shpellës. Ekspedita e parë në shpellë, u drejtua nga Shoqata Britanike e Kërkimeve të Shpellave, në vitin 2009. Ata zbuluan se Son Doong është më shumë se 400 milionë vjeçare.
Për ata që duan ta vizitojnë, Oxalis Adventures është e vetmja kompani, që organizon turne në Shpellat Son Doong.
Shpellat Son Doong lënë në hije mbi shumë nga shpellat e tjera më të mëdha në botë, kështu që duhet të jenë në listën e çdo entuziasti të shpellave, që kërkon aventurën e tij të radhës. / The Travel