Në gjashtë muajt e parë të vitit 2019, popullsia e botës ka shkarkuar më shumë se 56 miliardë aplikacione, në smartphone e tabletë, duke shpenzuar thuajse 40 miliardë dollarë, me një rritje dyshifrore nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të 2018-s. Ky është vlerësimi i analistëve të Sensor Tower.
Sipas të dhënave, nga janari në qershor, në shkallë botërore, shpenzimet në aplikacione arritën në 39,7 miliardë dollarë, me një rritje me 15,4% me bazë vjetore. Pjesën e luanit e fiton App Store i Apple, me 25,5 miliardë dollarë, ndërsa për Google Play, për pajisjet Android, kjo shifër është 14,2 miliardë dollarë.
Platforma e Apple konfirmohet më e pasur, pavarësisht faktit se në aspektin e vëllimit, vjen shumë më pas se Android. Nga 56,7 miliardë aplikacione të shkarkuara, 14,8 miliardë të tilla janë shkarkuar në iPhone dhe iPad, ndërsa 41,9 miliardë aplikacione në smartphonët dhe tabletët me robotin e gjelbër.
Ndër llojet e aplikacioneve, pjesa më e madhe e shpenzimeve – 29,6 miliardë, +11,3% – është për videolojëra. Aplikacionet e shkarkuara gjatë periudhës në fjalë kapin shifrën 20,1 miliardë (+3,2%).
Videoloja më e shkarkuar është “Color Bump 3D”, por ajo që regjistron të ardhura më të larta është “Honor of Kings” e kompanisë kineze Tencent. Aplikacioni që regjistron të ardhurat më të larta është Tinder. Platforma e takimeve ka mbledhur 497 milionë dollarë, me një rritje me 32% me bazë vjetore.
Burimi: ANSA