Shpenzimet e shqiptarëve të varur nga ushqimet, Inflacioni sipas metodës së Eurostat 2.6 % në shtator

23/10/2017 11:38 AM 0 komente

Shqipëria u rendit e katërta në mesin e vende të BE dhe atyre kandidate për ritmet e larta të rritjes së çmimeve në muajin shtator. Sipas metodologjisë së Eurostat, inflacioni i në Shqipëri për muajin shtator arriti në 2.7 për qind, ndërsa sipas treguesit kombëtar rritja e çmimeve ka qenë vetëm 1.6 për qind.

Sipas variantit të Eurostat rritja më e madhe e çmimeve prej 6,7 %, vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,0 %, “Shërbimi arsimor” me 1,5 %, “Pije alkolike dhe duhan” me 1,0 %, etj.

Ndërsa çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” u ulën përkatësisht me nga 1,7 %. Në muajin Shtator 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,5 %.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve prej 0,8 % e grupit “Ushqime dhe pije jo alkolike” krahasuar me muajin paraardhës.

Në fillim të këtij viti për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of