Sikurse në të gjithë botën, pandemia Covid-19 ka vënë në presion sektorin shëndetësor në vendin tonë dhe sidomos spitalet publike, mirëpo kjo situatë nuk ka pasur implikime financiare, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.
Në 6-mujorin e parë 2020, shpenzimet e përgjithshme për sektorin e shëndetësisë rezultuan në ulje në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me 83 milionë lekë ose -0.1%.
Sektori i shëndetësisë u përball këtë vit me presion të lartë për blerje të pajisjeve dhe medikamenteve shtesë për trajtimin e të prekurve nga COVID-19, duke marrë edhe një financim shtese prej 4 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit për këtë vit.
Por të dhënat faktike tregojnë se, shpenzimet për shëndetësinë jo vetëm që nuk janë rritur, por rezultojnë poshtë faktit të vitit të kaluar. Burimet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm sqarojnë se shkak për këtë situatë është bërë anulimi i kontratës koncesionare të check-up dhe pagesat më të ulëta për koncesionin e sterilizimit.
Kosto vjetore e koncesionit të sterilizimit është rreth 1,6 miliardë lekë, por këtë vit pagesa pritet të jetë më e ulët, për shkak se një numër i madh operacionesh jo emergjente janë shtyrë prej pandemisë. Ndërsa koncesioni i check-up, me kosto vjetore 876 milionë lekë, është pezulluar për të rinisur aktivitetin pasi pandemia të ketë kaluar.
Në 6-mujorin e parë 2020, funksionet e qeverisë që pësuan rritje të shpenzimeve ishin mbrojtja sociale me 14.8% në raport me një vit më parë, si rrjedhojë e paketave të ndihmës, mbrojtja e mjedisit me 52%, rendi dhe siguria publike me 1.6%.
Nga ana tjetër, shënuan ulje shërbimet e përgjithshme publike me -7.5%, mbrojtja me -11%, çështjet ekonomike me -6.4%, shërbimet e strehimit me -15%, argëtimi dhe kultura me 21%.
Pandemia Covid -19 zhbalancoi treguesit makroekonomikë dhe ato buxhetore. Të ardhurat kanë pësuar rënie vjetore ne rreth 12 për qind gjatë 7-mujorit, ndërsa deficiti buxhetor arriti në 8,4 % të PBB-së nga rreth 2 për qind që ishte në buxheti fillestar.
Rritja e deficitit buxhetor e çon borxhin publik në nivelin 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Të ardhurat buxhetore kundrejt planit fillestar të vitit 2020, si rrjedhojë e impaktit negativ të pandemisë Covid-19 do të reduktohen në masën -63.1 mld lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.