Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar Llogaritë Qeveritare të Kosovës për vitin 2018, i cili paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe. Në këtë raport është treguar se shpenzimi më i madh i parave është bërë në paga dhe mëditje.
Të hyrat e përgjithshme të Qeverisë për 2018 ishin 2.006.1 milionë euro, ku pjesën më të madhe të tyre e përbëjnë tatimet në produkte ose 67% të totalit, tatimet rrjedhëse në të ardhura, pasuri me 14%, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të te hyrave.
Në vitin 2018, totali i shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë ishte 1.978.0 milionë euro.
“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë pagat dhe mëditjet me pjesëmarrje 30%, formimi i bruto kapitalit fiks me pjesëmarrje 25%, kontributet sociale dhe përfitimet, me pjesëmarrje 24%, konsumi i ndërmjetëm 11%, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”.
ASK po ashtu ka treguar se shuma prej 1,978.0 milionë euro është ndarë edhe në shpenzime sipas kategorive.
“Çështjet ekonomike 23%, mbrojtja sociale 22%, arsimi 15%, shërbimet e përgjithshme 12%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në sektorët e tjerë”.
Ndryshe, publikimi është përgatitur në përputhje të plotë me udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010).
/Fatos Shala për Monitor.al
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.