Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro shpërndarjes së vetvetes. Ky moment i ka hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradianj më 19 korrik. Tashmë pritet vetëm dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti Hashim Thaçi.
Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka marr fund. Me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kjo ka ardhur pas dorëheqjes se kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj i cili mori ftesë që të intervistohet nga Gjykata Speciale si i dyshuar.
Tashmë pritet vetëm dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti Hashim Thaçi.
“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes”, thuhet në Ligjin për Zgjedhje.
“Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes”.
Legjislatura e gjashtë e Kuvendit, e cila u karakterizua për mungesa të shpeshta kuorumi, u konstituua më 3 gusht 2017.
Që nga dorëheqja e Haradinajt, partitë politike kanë nisur një lloj fushate ende të pashpallur zgjedhore. Ndërkohë që janë arritur edhe koalicionet e para parazgjedhore, si dhe kanë nisur bisedimet ndërmjet partive politike për koalicione eventuale para apo pas zgjedhjeve.
Përfundimi i mandatit të qeverive dhe legjislaturave të Kosovës para skadimit të mandatit kushtetues, katër vjeçar, tashmë është bërë “praktikë”, ngase që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk arriti ta përmbyllë mandatin kushtetues, çka sjell si rezultat mbajtjen e vazhdueshme të zgjedhjeve të parakohshme.
Para se të marrin vendimin për vetëshkarkim, deputetët votuar edhe vendimin e fundit gjatë këtij mandati të shkurtuar. Fillimisht, ata miratuan Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 (Instrumenti i Paraanëtarësimit) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Me këtë rast Kosova ka përfituar mbi 90 milionë euro nga Bashkimi Evropian. .Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.