Investitorët kanë shijuar frytet e një rritjeje rekord të shpërndarjes së dividendëve në rang global gjatë tremujorit të tretë, pasi dividendët nga kompanitë e naftës sollën një rritje prej 7 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pa kontributin prej 19.9 miliardë dollarësh nga sektori i naftës, totali global do të kishte qenë i barabartë me vitin e kaluar, sipas indeksit të dividendit global nga Janus Henderson.
Totali i shpërndarjes së dividendëve në rang global arriti në 415.9 miliardë dollarë në tre muajt deri në fund të shtatorit.
“Kriza energjetike solli një rritje të madhe të dividendëve në tremujorin e tretë, pasi kompanitë e naftës shpërndanë fitimet e tyre rekord për aksionerët,” tha kompania e menaxhimit të aseteve në raportin e saj të fundit për dividendët.
Rritja u nxit nga dividentët specialë, të cilat janë pagesa që bëhen një herë dhe që zakonisht janë më të mëdha se dividendi normal, ndërsa rritjet më të konsiderueshme erdhën nga kompanitë në Brazil, Hong Kong, SHBA dhe Kanada.
Kompanitë e naftës dhe të gazit me një tepricë të kapitalit mund të zgjedhin që të derdhin më shumë para për investime – duke përfshirë ato investime që lidhen me tranzicionin e energjisë – ose që të paguajnë dividendë.
Ato shpesh zgjedhin këtë të fundit, pasi investitorët kërkojnë të marrin të ardhura as më të larta nga aksionet e tyre në kompanitë e naftës.
Kjo rritje në tremujorin e tretë ka shtuar pritshmëritë për dividendët nga Janus Henderson për vitin 2022 me 30 miliardë dollarë, duke i çuar ato në 1.56 trilion dollarë, 8.3 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Edhe pse perspektiva e një recesioni ka të ngjarë të zvogëlojë të ardhurat, kompanitë shpesh hezitojnë që të reduktojnë pagesat e dividendëve, thuhet në raport.
Kompanitë, duke përfshirë BP dhe Shell, reduktuan dividendët në nivele më të qëndrueshme gjatë pandemisë, gjë e cila mund t’u japë atyre hapësirë për të vazhduar me shpërndarjen e dividendëve nëse fitimet bien gjatë vitit 2023.
“Vitin e ardhshëm, perspektiva varet nga ekonomia globale… nëse shkojmë drejt një recesioni, fitimet do të ndikohen”, tha Jane Shoemake, menaxhere e portofolit për të ardhurat globale nga kapitali në Janus Henderson. “Por, lajmi i mirë është se dividendët priren të jenë më të qëndrueshëm. Në përgjithësi, kompanitë nuk duan që t’i ndërpresin apo t’i reduktojnë ato.”/ FT