Nga 15 janari nisën aplikimet në portalin e-Albania për shpërndarjen e naftës falas për fermerët. Sipas të dhënave të përditësuara nga Ministria e Bujqësisë, deri tani kanë aplikuar 3,200 fermerë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, tha për “Monitor” se aplikimet vazhdojnë me sukses dhe fermerët në të gjithë vendin asistohen nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor (AREB) dhe Agropikat mbi mënyrën e aplikacionit dhe për ngarkimin e dokumentacionit.
“Numri i aplikimeve të fermerëve për të përfituar naftën falas deri tani është i lartë. Me ketë ritëm që po ecet, pothuajse po arrihet shifra ditore e planifikuar prej nesh deri në mbylljen e procesit. Në ditët e para, numri ishte i ulët, pasi edhe fermerët ishin të paqartë për procedurat, por shifrat e përditësuara tregojnë rritje të interesit të tyre”.
Afati i aplikimet online përfundon më 25 shkurt. Parashikohet që nga shpërndarja e naftës me çmim të reduktuar të përfitojnë 70 mijë fermerë të regjistruar me NIPT me një kosto buxhetore prej 10 mln USD. Nafta do të shpërndahet me çmim 63,8 lekë/litër, më i ulët sesa çmimi i tregut, pasi nuk do të llogaritet vlera e taksës të karbonit, qarkullimit, akcizës dhe TVSH-ja.
Skema e përftimit të naftës falas kërkon që të gjitha subjektet e interesuara të aplikojnë bazuar në një vetëdeklarim në lidhje me sipërfaqen e tokës që do të mbjellin/apo janë me të mbjella dhe kulturat respektive bujqësore. Bazuar mbi këtë aplikim do të përllogaritet sasia e naftës korresponduese, sipas normativave të miratuara në aktin nënligjor.
Fermerëve që iu është miratuar aplikimi do të pajisen me kartë teknologjike të karburantit dhe do te kenë mundësi të tërheqin nëpërmjet saj naftën, në pikat e përcaktuara të operatorëve të shpërndarjes së karburantit.
Eksperti i Bujqësisë Ervin Resuli nuk e konsideron pozitive ecurinë e aplikimeve gjatë këtyre ditëve. Sipas tij problemet madhore me certifikimin e tokës mbeten faktori kryesor i numrit të ulët të aplikimeve, duke marrë në konsideratë se janë 70 mijë fermerë të regjistruar me NIPT.
Udhëzimi i Ministrisë të Bujqësisë parashikon se fermerët duhet të ngarkojnë në sistem dokumentacionin e pronësisë apo përdorimit të tokës bujqësore për të cilën aplikohet dhe statusit të regjistrimit të saj në ASHK.
Nëse aplikuesi ka AMTP për tokën bujqësore të lëshuar në emër të tij si përfaqësues i familjes bujqësore, duhet të dorëzojë të skanuar certifikatën e pronësisë shoqëruar me kartelën e pasurisë dhe hartën treguese dhe certifikatë familjare e gjendjes më 1.8.1991.
Për rastet kur fermeri ka nënshkruar marrëveshje dakordësie me shumicën e anëtarëve të familjes bujqësore në gjendjen aktuale, në lidhje me punimin/përdorimin e tokës nga aplikuesi duhet të dorëzojë kontratë qiraje ose kontratë huapërdorjeje e noterizuar.
Gjatë aplikimit online, çdo dokument i kërkuar do të skanohet dhe ngarkohet në mënyrë elektronike nga aplikuesi, me përjashtim të dokumentit/dokumenteve që ofrohen automatikisht nga portali e-Albania).
Dokumentacioni i kërkuar për t’u ngarkuar online, sipas përcaktimeve në udhëzim, duhet të jetë në origjinal ose i noterizuar, si dhe të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj, të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar dhe i vërtetuar nga noteri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.