Frika e sigurisë ka goditur industrinë e turizmit të Turqisë, që ende nuk e ka marrë veten nga sulmet terroriste të 12 muajve të fundit.
Sulmi i trefishtë në aeroportin më të madh të Turqisë, i cili vrau të paktën 41 persona dhe plagosi më shumë se 200 të tjerë, rrezikon t’i japë goditje një prej tregjeve më përforcues në botë.
Zyrtarët turq dyshojnë se pas sulmeve vdekjeprurëse në aeroportin ndërkombëtar “Ataturk” të Stambollit, qëndron ISIS, dhe ky është sulmi i katërt më domethënës këtë vit.
Vargu i shpërthimeve në 12 muajt e fundit, në ngarkim të ISIS dhe grupeve separatiste kurdë, kanë rritur shqetësimin rreth sigurisë kombëtare dhe kanë goditur sektorin e rëndësishëm të turizmit. Aftësia e sulmuesve për të goditur objektiva të një profili kaq të lartë siç janë aeroportet e tejmbushura me forca policore e kanë rritur këtë frikë.
Atilla Yesilada, këshilltar i GlobalSource Partners, tha se shifrat e turizmit padyshim që nuk do të përmirësohen. “Mendoj se nuk do ta ekzagjeroja nëse do të thoja se humbjet e turizmit priten të jenë 50% këtë vit”, – tha ai.
Xhemali, një pronar i një restoranti në zonën historike të Sultaahmet në Stamboll, pikë atraktive në turizëm, tha se dhe para sulmeve të së martës në aeroport, viti ka qenë i shkretë. “Më duket se jam në një ëndërr të keqe,- ka vijuar ai,- vendi është i bukur, ne kemi muze atraktivë dhe njerëz të mirë. Por kjo nuk mjafton, duhet dhe që të jetë i sigurt.
Asnjë grup nuk e ka marrë përsipër autorësinë e sulmeve të së martës në aeroportin “Ataturk” të Stambollit, i cili u krye nga tre vrasës që hodhën veten në erë pas tij. Vizitorë nga Arabia Saudite, Kina dhe Tunizia ishin ndërmjet të vrarëve të huaj nga sulmi.
Turistë gjermanë, izraelitë dhe iranianë mbetën të vrarë në dy sulme të tjera në zonat turistike në janar dhe në mars.
Turqia, e cila tërheq rreth 36.2 mln vizitorë në vit, ishte ekonomia e katërt me rritje më të shpejtë në grupin e vendeve anëtare të G20 për tremujorin e parë të 2016-s, duke kaluar pritshmërinë e rritjes ekonomike me 4.8% të tremujorit.
Por, ekonomistët dhe investitorët janë të shqetësuar se sulmet rrezikojnë të bëjnë ekonominë më të prekshme nga tronditjet në tregjet financiare botërore, në të njëjtën kohë Europa është e goditur nga pasiguritë pas votës britanike për t’u larguar nga BE-ja.
Turizmi është i rëndësishëm për ekonominë e brendshme dhe një rënie në numrin e turistëve mund të rëndojë deficitin në llogarinë rrjedhëse, i cili ka qenë duke u ngushtuar.
Industria është burim gjallërimi i kursit të huaj dhe gjeneroi rreth 31.4 mld dollarë të ardhura vitin e shkuar, sipas Ministrisë së Turizmit. Kontribuon me më shumë se 4% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, dhe siguron punësimin e qindra mijë turqve.
Por, për më shumë, në Turqi bombardimi i katërt në gjashtë muajt e fundit në Stamboll, ku vendet otomane dhe xhamitë e lashta janë destinacionet kryesore turistike, vjen me një ndjesi të zymtë pashmangshmërisht.
Gerrit Quaas, menaxheri i përgjithshëm i “The Georges”, një hoteli të vogël në Stamboll në zonën moderne të Galatës, tha se mendimi i parë kur dëgjoi për sulmet ishte: “Mos, jo edhe një tjetër!”. Muajt e fundit kanë qenë vërtet të vështirë. 2016-a ka qenë mbytëse.
Hoteli është popullor te turistët francezë, britanikë dhe amerikanë, të cilët vizitojnë vendet turistike dhe shijojnë restorantet dhe baret komode në zonat kodrinore me kalldrëm të Stambollit. Por, ato janë rrënuar nga anulimet dhe askush nuk është më i gatshëm për të nënshkruar marrëveshje dhe të parapaguajë në avancë.
Ata duan të jenë në gjendje t’i anulojnë – tha zoti Quaas – besimi ka humbur në Turqi.
Shifrat zyrtare që janë publikuar së fundmi tregojnë se ka rënie me 35% të turistëve muajin e fundit. Disa besojnë se industria është shumë afër për të prekur fundin.
Barcu, guida që ka udhëhequr për më shumë se 25 vite turistët europianë dhe amerikano-latinë, tha se situata nuk ka si të ishte më keq. “Nuk kemi pasur anulime, pasi nuk kemi pasur rezervime fare – vijoi ai – ky vit ka qenë i vdekur.”
Gjithsesi, industria mori një lajm të mirë, pasi Rusia deklaroi se do të rishikonte sanksionet ku përfshihen edhe përjashtimi i fluturimeve charter për në Turqi. Sanksionet u vendosën pasi ushtria turke qëlloi një nga avionët luftarakë të Rusisë në kufirin sirian këtë nëntor.
Recep Tayyip Erdogan, presidenti i Turqisë, shprehu keqardhjen për ngjarjen në një letër drejtuar Vladimir Putin, homologut të tij rus, të hënën, duke shtuar shpresat për rivendosjen e marrëdhënieve midis dy shteteve.
Cetin Gurcun, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Agjencive Turke të Udhëtimit, u shpreh shumë i lumtur për uljen e tensionit. “Mund të mos kemi hapa të mëdhenj këtë vit, por ajo për çka kishim nevojë ishte shpresa dhe tashmë e kemi atë”,- tha zoti Gurcun.