Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar pandeminë e koronavirusit si “sulmin më të keq” ndonjëherë mbi Shtetet e Bashkuara.
Trump tha se shpërthimi i virusit kishte goditur SHBA më shumë sesa bombardimet japoneze të Pearl Harbour në Luftën e Dytë Botërore, ose sulmet e 11 shtatorit dy dekada më pare, duke drejtuar gishtin nga Kina.
“Nuk ka pasur kurrë një sulm të tillë, dhe nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Mund të ishte ndalur që në burim, mund të ishte ndalur në Kinë, por kjo nuk ndodhi.” u shpreh presidenti Trump, teksa përsëriti akuzat ndaj Pekinit se nuk arriti ta kontrollojë pandeminë që në fillim.
Nga ana tjetër Pekini zyrtar ka mohuar çdo akuzë të ngritur.
Që kur u shfaq në qytetin kinez Wuhan në dhjetor, koronavirusi konfirmohet se ka infektuar 1.2 milion amerikanë, duke vrarë më shumë se 73 mijë persona.
I pyetur nga gazetarët nëse e shihte pandeminë si një akt të vërtetë lufte, Trump tregoi se shpërthimi ishte armiku i Amerikës, jo Kina.
“Unë e shoh armikun e padukshëm si një luftë. Nuk më pëlqen si erdhi këtu, sepse mund të ishte ndalur”, tha ai./BBC