Shpërthimi i koronavirusit në Itali / Çfarë po bëjnë shtetet e tjera anëtare të BE?

25/02/2020 9:32 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME: ,

Ndërsa Italia po merret me një seri rastesh të konfirmuara të virusit COVID-19, vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian po shqyrtojnë se çfarë masash duhet të ndërmarrin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Autoritetet italiane konfirmuan të hënën se një person i shtatë humbi jetën nga koronavirusi, ndërsa numri i të prekurve është mbi 230 persona.

Qeveritë e Sllovenisë dhe Kroacisë, ku nuk raportohet asnjë rast, zhvilluan takime urgjente të hënën. Zagrebi ka njoftuar se të gjithë udhëtarët që vijnë nga Italia do të monitorohen dhe se të gjitha ekskursionet shkollore të planifikuara në Itali, në javët e ardhshme, do të anulohen.

Ministria kroate e Punëve të Jashtme azhurnoi gjithashtu këshillat e saj të udhëtimit, duke këshilluar shtetasit e saj të shmangin vizitën në rajonet veriore italiane të Veneto dhe Lombardisë për shkak të “rrezikut të infeksionit të koronavirusit”.

Më tej në lindje, në Rumani, autoritetet kanë njoftuar se të gjithë shtetasit italianë nga rajonet italiane ku janë konfirmuar rastet e COVID-19 do të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë. Agjencia e lajmeve AP raportoi megjithatë se njerëzit në kufi u kërkohet vetëm të plotësojnë një formular.

 

Të mbyllen apo të mos mbyllen kufijtë

Në Francë, deputeti i krahut të djathtë Eric Ciotti nga rajoni kufitar i Alpeve Maritime, i ka shkruar qeverisë duke kërkuar që të rriten kontrollet në kufi.

Thirrja e tij u hodh poshtë, duke u cilësuar si e “padobishme” nga Jerome Salomon, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë.

“Megjithatë, personat që kthehen nga Lombardia ose Veneto me simptoma duhet të konsiderohen të dyshimtë”.

“Ajo që është e rëndësishme është që të identifikohet shpejt secili person i prekur. Kjo është arsyeja pse në orët e ardhshme padyshim që do të kemi raste, numri i personave që po ekzaminohen duhet të rritet”, shtoi ai.

Zyra Federale Zvicerane e Shëndetit Publik (OFSP) ende nuk ka njoftuar masa shtesë, duke theksuar megjithatë që autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimet në Itali.

Sidoqoftë, në Kantonin Ticino, njerëzit që paraqesin simptoma të infeksionit të frymëmarrjes konsiderohen të dyshuar dhe të izoluar.

Nënkryetari i partisë nacional-konservatore Lega dei Ticinesi, Lorenzo Quadri, ka bërë thirrje që kantoni të mbyllë kufirin e saj për 70,000 punëtorët e kufirit nga Lombardia që vijnë në vend çdo ditë.

Në Austri, qarkullimi i trenave drejt dhe nga Italia rifilloi të hënën pas një ndërprerje katërorëshe të dielën në mbrëmje.

Malta ka njoftuar se të gjithë pasagjerët që vijnë në ishull do të kontrollohen me skanues termikë./Euronews

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of