Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike të Kosovës do të dal edhe nesër për votim në Kuvend.
Kjo llogaritet edhe shpresa e fundit që ky projektligj të marrë votat e deputetëve. Votimi i këtij projektligji ka dështuar pesë herë, meqenëse partitë opozitare nuk po e përkrahin këtë ide.
Të enjten (nesër) pritet të votohet për të gjashtën herë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili do t’u mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Votimi i këtij projektligji ka dështuar për të satën herë, meqenëse partitë opozitare nuk po e përkrahin këtë ide.
Edhe pse seanca është caktuar për të enjten, me ç’rast kjo çështje do të hidhet përsëri në votim, partitë opozitare, PDK-ja dhe LVV-ja, kanë qenë të prera se do të votojnë kundër.
Ministrja e Ekonomisë nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka folur rreth Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili pesë herë deri më tash ka dështuar të votohet në Kuvend.
Ajo ka thënë se pret që nesër të kalojë Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike pasi qeveria ka votat e nevojshme, derisa mos kalimin e tij pesë herë në Kuvend e ka arsyetuar me faktin e mungesës së disa deputetëve për shkaqe të ndryshme, përfshirë edhe ato shëndetësore.
“Koalicioni ka më shumë se 60 vota, ka 62, 63 vota. Kemi pasur edhe 64 vota. Të enjten presim t’i kemi deputetët në Kuvend, pasi ka qenë një mungesë e disa prej tyre për arsye të ndryshme. Mendojmë se kësaj jave, ashtu sikur i kemi parashikimet, ligji do të kalojë”.
Për më tepër ajo ka sqaruar se mjetet e Trustit u takojnë qytetarëve, dhe se 10 përqindëshi i paraparë për tërheqje do të ketë ndikim pozitiv në treg.
“Do të jenë mbi 170 milionë euro që do të dalin menjëherë në qarkullim, dhe do të ketë ndikimin e saj në treg. Ne nuk pretendojmë se po iu japim qytetarëve, por këta të fundit në baza vullnetare mund ta tërheqin 10 përqindëshin. Qeveria nuk do ta tatimojë këtë dhjetë përqindësh dhe këto mjete do të jepen bruto”.
Kurse, Aleanca Kosovare e Bizneseve, sot ka mbajtur konferencë për media me temë: Votimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Çfarë janë humbjet në ekonominë e vendit dhe a ka zgjidhje që Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike të miratohet të ënjtën nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se është nevojë urgjente që nesër të miratohet ligji për rimëkëmbje ekonomike.
“Unë ftoj deputetët e Kuvendit të Kosovës që nesër të votojnë pro ligjit “, tha ai.
Sipas tij futja në qarkullim e rreth 200 milionë eurove të Trust-it do të jetë lehtësi edhe për bizneset edhe për qytetarët.
“Humbjet ekonomike deri në fund të vitit do të kenë rreth 1 miliard euro, këto bazohen në investimet e huaja, remitencat, qarkullimi i brendshëm dhe eksporti”, tha ai.
Nënkryetari i AKB-së Suad Berisha, vlerësoi se humbjet nga pandemia ka sjellë humbje të mijëra vendeve të punës..
“Në Kosovë ka pasur rënie deri në 11 për qind të ekonomisë dhe duhet urgjentisht të punohet për të rikthyer rritjen ekonomike”, tha ai.
Ndërkaq Jahir Morina anëtar bordi në AKB, deklaroi se problemet politike kanë ndikuar shumë në ekonominë e vendit.
“Pandemia ka ndikuar shumë në vend, sektori që është prekur është edhe ndërtimtaria, sektor që ka të punësuar shumë persona”.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që duke u bazuar në nevojën e bizneseve për veprim të shpejtë për zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike, të arrijnë konsensusin e nevojshëm që do të mundësonte krijimin e legjislacionit përkatës për zbatimin e këtyre masave.
“Duke qenë të vetëdijshëm që përmbajtja e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike ka nevojë për plotësim të mëtejmë me dispozita të tjera që adresojnë vështirësitë e sektorit privat, në fazën aktuale, por edhe në fazë afatgjatë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane u kërkojnë deputetëve që në seancën e sotme të aprovojnë në lexim të parë projektligjin e proceduar nga ekzekutivi, duke hapur mundësinë e plotësimit të mëtejmë të tij deri në leximin përfundimtar”.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane kanë treguar se shumë ndërmarrje vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënim serioz në aspektin e mbijetesës dhe ruajtjes së vendeve të punës.
Vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues.
Kjo i bie se vlera e përgjithshme që do të mundë të tërhiqej nga Fondi është rreth 200 milionë euro, mjete këto, që sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë konsideruar se do të stimulonin kërkesën agregate në treg.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën prej 385 milionë eurosh. Ky projektligj synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, të ndihmohen bizneset, pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë.
Humbjet ekonomike që janë evidentuar deri më tani kanë të bëjnë me të hyrat tatimore dhe doganore.
Sipas të dhënave të dy institucioneve, Administratës Tatimore dhe Doganave të Kosovës janë mbi 232 milionë euro më pak të hyrat buxhetore për këtë vit, si pasojë e pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi.
Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon emergjente fiskale, në vlerë rreth 180 milionë euro. Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbusë problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, nga qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti. Kurse, disa nga masat e saj janë duke u zbatuar pas ardhjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.