Fermerët mirëpresin lehtësimet e taksave nga qeveria, por janë ende skeptikë për mënyrën sesi do të zbatohen ato në terren. Nëse zbatimi është i duhur dhe efikas, fermerët planifikojnë shtim të prodhimit dhe investimeve
Nga Laura Çela
Agron Ramilli drejton një nga fermat më të mëdha blegtorale në vend. Vizioni dhe ambicia e drejtuesit të fermës e kanë bërë këtë fermë, e cila është ngritur tetë vite më parë, ndër më modernet në rajon dhe pioniere të fermave shqiptare si e barabartë me standardet e BE-së.
Në bio-fermën “Ramilli” mbarështohen 350 krerë lopë që shërbejnë për prodhimin e qumështit. Drejtuesi i kompanisë ka një kontratë me një nga përpunuesit në vend dhe të gjithë sasinë e qumështit të prodhuar e dërgon në fabrikën e “Meggle” në Lushnjë.
Rendimenti mesatar i prodhimit të qumështit nga lopët është 7000 litra/krerë, ndërkohë që prodhimi foragjer, që shërben si ushqim për blegtorinë, realizohet nga vetë ferma, në toka pranë saj.
Baza e punës së fermës është nafta, pasi ajo shërben për punimin e së gjithë tokës që prodhon ushqimin e gjedhëve.
“Nafta zë deri në 40% të kostove tona të prodhimit. Fakti se gjatë gjithë kësaj kohe e kemi blerë naftën me çmim tregu, na ka dëmtuar shumë, dhe gjykojmë se heqja e akcizës së karburanteve për bujqësinë është një masë e domosdoshme. Por jemi ende skeptikë për mënyrën sesi kjo do të zbatohet”, thotë z. Ramilli.
Ai tregon se, nëse do të ketë një menaxhim të duhur të “lirimit” të taksave, kjo do të përkthehet në rritje të ndjeshme të investimeve nga kjo kompani.
“Nafta, por edhe heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi farat e plehrat kimikë përllogaritet të ulë deri në 50-60% të kostove të punës sonë. Kjo do të na lejojë që të rrisim më shumë numrin e krerëve, ta çojmë në 500 dhe njëkohësisht të shtojmë ndjeshëm edhe sasinë e qumështit të prodhuar”, tregon drejtuesi i fermës, për revistën “Monitor”.
Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Enver Ferizaj, thotë se këto masa janë të mirëpritura dhe janë kërkuar gjithashtu nga fermerët, por do të ishte shumë pozitive që qeveria të vijojë t’i mbështesë me fonde personalisht ata.
“Ne jemi përkrahës të subvencioneve direkte te fermerët, sepse ato kanë qenë realisht efektive dhe kanë çuar në rritje të prodhimit vendas”, thotë z. Ferizaj.
Akciza, kosto e madhe te bujqësia
Në fakt, çmimet e karburanteve janë një zë i veçantë që kanë kosto të madhe në prodhim, veçanërisht në serat me ngrohje ku shkon në 50% të së gjithë kostos prodhuese, ndërsa në sektorin e peshkimit shkon në 70% të kostos së produktit. “Duam të gjejmë një metodë alternative për
furnizimin me naftë me kosto të ulët në bujqësi. Një ide ishte negociata me kompaninë ‘Albpetrol’, e cila prodhon naftë D2, që është më e përshtatshme për përdorim në bujqësi. Sugjerojmë që kjo naftë të destinohet për bujqësinë me një çmim më të ulët me kosto 1100 lekë për litër, pra çmim shumë i ulët krahasuar me çmimin e naftës në treg. Ne na duhen për bujqësinë, për serat me ngrohje dhe peshkimin rreth 30 mijë tonë naftë.
Ka dhe një strategji në kuadrin e gazsjellësit TAP, ku do t’u bëjmë thirrje fermerëve që operojnë me serat me ngrohje të kthejnë teknologjinë nga ngrohja me naftë në ngrohjen me gaz. Këtë transformim mendojmë ta mbulojmë me subvencionet nga shteti. Gazi është më i leverdishëm dhe ofron një perspektivë më të qëndrueshme”, ka deklaruar ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.