Shpresa për nisjen e rrugëtimit 5G brenda 2020 po perëndon

11/12/2020 11:00 AM 0 komente

Shpresa për tenderimin e frekuencave të para 5G brenda vitit 2020 po perëndon. Nga diskutimet mes Ministrisë së Infrastrukturës, AKEP dhe palëve të interesit, ishte rënë dakord në parim që rruga e 5G të nisë me tenderimin e frekuencave të para, në brezin 3.5 GHz.

Strategjia për zhvillimin e rrjeteve 5G dhe plani kombëtar për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës dixhitale parashikonte që këto frekuenca të tenderoheshin sa më shpejt të ishte e mundur brenda vitit 2020. Por, kriza që solli pandemia e Covid-19 duket se ka bërë që ky objektiv të shtyhet në kohë. Deri tani, AKEP nuk ka nisur zyrtarisht ndonjë procedurë konsultimi publik për dhënien në përdorim të brezave në fjalë.

Në shumicën e vendeve ku janë ndërtuar rrjetet e para komerciale 5G, ofrimi i tyre ka nisur pikërisht përmes brezit 3.5 GHz (3.3-3.8 GHz). Brezat e mesëm të spektrit ofrojnë një ekuilibër të mirë mes potencialeve të mbulimit me rrjet dhe kapacitetit transmetues. Një vit më parë, në periudhën tetor-dhjetor 2019, njëri prej operatorëve celularë zhvilloi testimin e parë të teknologjisë 5G në Shqipëri pikërisht në brezin në këtë brez.

Operatori në fjalë njoftoi zyrtarisht AKEP se testimi i brezit 3600-3700 MHz rezultoi plotësisht i suksesshëm dhe ky sipërmarrës është gati të zhvillojë rrjetin dhe të ofrojë shërbimet 5G në Shqipëri, sapo frekuencat përkatëse të jenë të disponueshme për operatorët. Megjithatë, duket se institucionet nuk janë ende gati për të hedhur një hap të tillë.

Hapi më i rëndësishëm në shtrirjen e teknologjisë 5G pritet të jetë shtrirja në brezin 700MHz. Teknikisht, ky brez ofron mbulimin me rrjet të zonave të gjera, çka është themeli për konceptin e Internetit të Gjërave (Internet of Things). Bazuar në Vendimin e Parlamentit Europian të datës 17 maj 2017 “Mbi përdorimin e brezit të frekuencave 470-790 MHz në BE” nga 30 qershori 2020, vendet anëtare duhet të lejojnë përdorimin e këtij brezi për ofrimin e shërbimeve broadband të komunikimeve elektronik broadband të lëvizshme.

Vendet anëtare mund të vonojnë lejimin e përdorimit të brezit të frekuencave 700MHz deri në dy vjet, në bazë të një ose disa arsyeve të justifikuara. Problemi është se, për momentin, në Shqipëri brezi 700MHz aktualisht është në përdorim nga operatorët e transmetimeve audiovizive.

Kalimi i tyre në dispozicion të rrjeteve të komunikimeve elektronike do të kërkojë kohë dhe dëmshpërblimin e operatorëve televizivë. Sidoqoftë, Ministria e Infrastrukturës parashikon që lirimi i këtij spektri të bëhet brenda vitit 2021.

Gjenerata 5G është kufiri i ri teknologjik i komunikimeve të lëvizshme, që pritet të sjellë shpejtësi interneti shumë të larta se ato që ekzistuese. Vlerësohet se rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi maksimale interneti që tejkalojnë kufirin e 10 Gbps ose 10 herë më të larta krahasuar me versionet më të avancuara të teknologjisë 4G.

Në praktikë, shpejtësia e mundësuar për përdoruesit në aparatet e tyre pritet të jetë larg asaj maksimale dhe do të varet nga shumë faktorë. Sidoqoftë, që në vitet e para të përdorimit të teknologjive 5G pritet që përdoruesit e rrjeteve të mund të përdorin shpejtësi të cilat shkojnë në disa qindra Mbps.

Për shembull, abonentët e operatorit amerikan Verizon, një nga të parët që ka nisur ofrimin e rrjeteve 5G, marrin nga një vendndodhje fikse shpejtësi nga 300 Mbps, deri në 1 Gbps./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of