Pasi mori një dënim me kusht për zotërim të kanabisit vitin e kaluar, Filip Dostovski doli nga Gjykata e Shkupit dhe ndezi një cigare me marijuanë para kamerave. Ishte një akt “revolte kundër dënimit dhe kundër politikës”, tha 41-vjeçari i cili i ka mbijetuar kancerit dhe që po bën presion për përdorimin e lirë të marijuanës në Maqedoninë e Veriut.
Shteti ballkanik po peshon mundësinë për t’u bërë një pionier i kanabisit në Europë, pasi qeveria po merr në konsideratë legalizimin e marijuanës, që nëse do të ndodhte, Maqedonia e Veriut do të ishte shteti i parë në kontinent në marrjen e këtij hapi.
Por shumë shqetësohen për mungesën e hapave të mëtejshme, një problem që e ka ndjekur politikën e qeverisë mbi medikamentet në pesë vitet e fundit. Ky shtet me mbi 2 milionë banorë, legalizoi kultivimin dhe shitjen e produkteve mjekësore të marijuanës në vitin 2016, duke shpresuar të fitonte avantazh në një treg europian me rritje të shpejtë.
Megjithatë, ligji është i paqartë dhe e ka lënë sektorin në harresë, me shumicën e bizneseve të paaftë për të shitur në tregun ndërkombëtar.
Në të njëjtën kohë, individët që kërkojnë të rrisin dhe konsumojnë marijuanë, rrezikojnë ndjekje penale. Recetat mjekësore lejohen vetëm për një numër të vogël sëmundjesh. “E mira është se ne kemi një ligj për prodhimin e kanabisit, por e keqja është se ky ligj është i tmerrshëm”, tha Filip Sekuloski, i cili drejton një OJQ lokale që promovon politika më liberale të kanabisit.
Kryeministri Zoran Zaev së fundmi ka premtuar të zbusë rregulloret mbi përdorimin mjekësor të kanabisit dhe të mbajë një debat publik në lidhje me dekriminalizimin dhe legalizimin për përdoruesit rekreativë.
Ai ka marrë si shembull kafenetë e Amsterdamit, si një model për Shkupin dhe qytete të tjera turistike. Ndërsa qyteti holandez po mendon t’i ndalojë të huajt nëpër kafenetë me kanabis, duke përmendur si arsye se turistë të tillë janë bërë të bezdisshëm, Maqedonia e Veriut, një nga vendet më të varfra të Europës, është e etur për më shumë vizitorë.
“E shoh atë si një burim të potencialit ekonomik”, tha Zaev. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, gjithashtu e mbështet masën. “Kjo është një fushë me një të ardhme të mirë, e cila ofron me të vërtetë zhvillim, që nënkupton investime serioze”, tha ai për AFP.
Tregu mjekësor
Edhe nëse qeveria e mbështet legalizimin, kjo ka të ngjarë të hasë me qëndresë nga kundërshtarët politikë. Falkron Bexheti, nga një parti e opozitës që përfaqëson shqiptarët etnikë, ka argumentuar se vendi ka nevojë për një “sistem ligjor funksional” përpara se të mund të bëjë një ndryshim të tillë. “Ne si shoqëri nuk jemi gati për diçka të tillë”, ka thënë ai.
Pesimistë të tjerë vënë në dukje se në këtë sektor janë të përfshirë të afërmit e kryeministrit dhe se më parë, Zaev e ka shpërfillur sektorin si të parëndësishëm. Sipas këndvështrimit të Dostovskit, sfida kryesore nuk do të jetë opinioni publik por një lojë e “argumenteve dhe pazareve politike” midis kampeve rivale. Ai gjithashtu beson se autoritetet kanë frikë se mos acarojnë bandat që drejtojnë tregun e zi.
Qeveria thotë se përparësia kryesore është të rregullohet ligji ekzistues për të lejuar prodhuesit mjekësorë të eksportojnë lulen e thatë të bimës – produkti që përbën pjesën më të madhe të tregut europian. Aktualisht, kompanitë mund të shesin vetëm ekstrakte si vajra që janë të shtrenjtë dhe të ndërlikuar për t’u bërë.
Nga rreth 60 firma lokale që kanë siguruar licenca për të rritur kanabis, NYSK Holdings është një nga të paktat me kapital të mjaftueshëm për të prodhuar ekstrakte që përmbushin standardet europiane të farmaceutikës.
Por gjithashtu po pritet që qeveria të lejojë eksportimin e vetë lules. Në fund të vitit të kaluar, kompania, një partner i PharmaCann me seli në Poloni, hapi një strukturë me sipërfaqe 17,800 metra katrorë pranë aeroportit të Shkupit.
Brenda kompleksit të rrethuar me një gardh me tela me gjemba, bimët e marijuanës rriten nga fara nën llambat e nxehtësisë me dritë vjollcë dhe më pas zhvendosen në një mjedis me lagështi, ku kopshtarët me pajisje mbrojtëse kujdesen për to.
Shefi ekzekutiv, Zlatko Keskovski, shqetësohet se ky investim miliona dollarësh do të jetë një humbje nëse qeveria vazhdon të zvarrisë hapat e saj. Interesi i lartë nga ndërmarrjet ndërkombëtare që vizituan në vitin 2018, mund të shkojë te rivalët e tjerë në Maltë dhe në Greqi, paralajmëron ai.
“Tregu global është shumë i madh, por në të njëjtën kohë, kemi një konkurrencë të madhe”.
ALLY MAIRS DHE DARKO DURIDANSKI për AFP