Banka Qendrore evidenton në Raportin e fundit të Politikës Monetare se gjatë gjysmës së parë të këtij viti, rritja ekonomike shfaqet më e përmirësuar, por rritja e saj në prill-qershor është afatshkurtër. Ekonomia mbetet nën potencial, në kushtet kur kreditimi për biznese është ulur, investimet dhe konsumi privat gjithashtu, ndërkohë që kompanitë janë edhe më pak produktive. Shpresat janë te stimuli fiskal
Banka e Shqipërisë vlerëson se në tremujorin e dytë të këtij viti është shënuar një rritje më e lartë ekonomike se në tremujorin e parë.
Përfaqësues të Bankës Qendrore deklaruan gjatë prezantimit të “Raportit të Politikës Monetare për 3-mujorin e dytë 2013” se informacioni i disponuar tregon për një rritje ekonomike disi më të lartë e më të balancuar në tremujorin e dytë.
Kërkesa e brendshme private vlerësohet të jetë gjallëruar, duke reflektuar kryesisht stimulin fiskal të kësaj periudhe.
“Gjithsesi, përshpejtimi i rritjes në tremujorin e dytë pritet të jetë afatshkurtër. Rritja ekonomike, gjatë vitit 2013, pritet të mbetet pranë normës së regjistruar një vit më parë”, theksohet në raport.
Ajo do të varet në një masë të madhe nga ecuria e konsumit dhe e investimeve private. Këta dy komponentë të rëndësishëm të kërkesës agregate vijojnë të jenë subjekt i pasigurisë së lartë, i kushteve ende të shtrënguara të financimit, si dhe i një sjelljeje më të kujdesshme të agjentëve ekonomikë, në drejtim të qëndrueshmërisë së bilanceve të tyre.
Për këto arsye, parashikimi për rritjen ekonomike mbetet subjekt i rreziqeve dhe pasigurive të shumta.
Prandaj, me gjithë përmirësimin në prill-qershor 2013, ekonomia mbetet e zhvilluar nën potencial, ndërkohë që bizneset kanë ulur produktivitetin, çka ka çuar në rënien e fuqisë së tyre financiare. Rënie është regjistruar edhe në kreditë për biznes, sidomos në ato për investim, në kushtet kur kompanitë marrin hua vetëm për likuiditete.
Inflacioni shënoi nivele të ulëta edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit. Ecuria e tij vijon të përcaktohet nga luhatjet e artikujve ushqimorë, ndërkohë që artikujt e tjerë të shportës kanë pasur një ecuri më të qëndrueshme dhe ndikim të ulët në inflacion.
Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka ruajtur një kah lehtësues, gjatë tremujorit të dytë. Uljet e mëparshme të normës bazë të interesit janë reflektuar më mirë në tregjet financiare gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka vazhduar të injektojë likuiditet në ekonomi nëpërmjet instrumenteve të marrëveshjeve të riblerjes.
Ecuria e pritur e ekonomisë shqiptare dhe e tregjeve financiare pritet të reflektohet në një inflacion të ulët gjatë horizontit afatmesëm. Ky parashikim sugjeron se politika monetare do të vijojë të mbetet në kahun lehtësues edhe gjatë kësaj periudhe.
Inflacioni i ulet, BSH injekton likuiditete
Ekonomia shqiptare është përballur me presione të moderuara inflacioniste gjatë 12 muajve të fundit. Norma mesatare vjetore e inflacionit shënoi 2.2% gjatë tremujorit të dytë të vitit, duke mbetur poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe duke pësuar ulje kundrejt vlerës 2.5% të regjistruar në tremujorin paraardhës.
Dobësia e konsumit dhe e investimeve private kanë përcaktuar një shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe kanë ndikuar në rritjen e ulët të pagave dhe të kostove të prodhimit. Këto zhvillime janë reflektuar edhe në tendencën rënëse të inflacionit bazë, tendencë kjo e cila ka përcaktuar edhe rënien e inflacionit total.
Analiza e zhvillimeve ekonomike e monetare, e përditësuar me informacionin e ri të marrë gjatë tremujorit të dytë, tregon për presione të ulëta inflacioniste. Këto presione, sipas BSH, kushtëzohen nga rritja ekonomike e dobët dhe nën potencial, nga ecuria relativisht e qëndrueshme e inflacionit në tregjet botërore, nga pritjet e ankoruara inflacioniste dhe nga ekspansioni i kontrolluar i mjeteve monetare. Në veçanti, rritja nën potencial e ekonomisë shqiptare mbetet faktori kryesor që përcakton presionet e dobëta në inflacion.
Në reflektim të presioneve të dobëta aktuale dhe të pritura mbi inflacion, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të ndjekë një politikë monetare lehtësuese edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Norma bazë e interesit është mbajtur e pandryshuar, në nivelin minimal historik prej 3.75%, por ajo ka vazhduar të furnizojë sistemin bankar me likuiditetin e duhur për funksionimin e tregjeve monetare.
Banka e Shqipërisë ka vijuar të kryejë operacione të rregullta në drejtim të injektimit të likuiditetit me afat 7-ditor dhe 1-mujor. Përmirësimi i raporteve të kërkesës dhe ofertës për likuiditet e për fonde të huajtshme, si dhe sinjalizimi i ndjekjes së një politike monetare stimuluese edhe për një horizont afatmesëm, janë reflektuar në një tendencë të përgjithshme rënëse të normave të interesit në ekonomi.
Megjithatë, sipas BSH, rënia e këtyre normave ka qenë më e pranishme në tregun e depozitave dhe të instrumenteve të borxhit të qeverisë, ndërkohë që normat e interesit të kredive janë reduktuar më pak. Ky zhvillim tregon për praninë e primeve të larta të rrezikut në ekonominë shqiptare, e lidhur kjo si me perceptimin e bankave e bizneseve për një ecuri të ngadaltë ekonomike në të ardhmen, ashtu edhe me politikat e shtrënguara kredituese të imponuara nga situata financiare në Eurozonë.
Ashtu si dhe në të gjitha vendet e tjera të rajonit, prania e primeve të larta të rrezikut në ekonomi, ka bërë që transmetimi i politikës lehtësuese monetare në rritjen e kërkesës agregate të jetë jo i plotë. Në reflektim të këtij fakti, Banka e Shqipërisë miratoi në muajin mars edhe një paketë masash stimuluese makroprudenciale, të cilat pritet të reflektohen në të ardhmen, në nxitjen e aktivitetit kreditues dhe në përmirësimin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare.
Risqet për rritjen ekonomike
Konsumatorët dhe bizneset shqiptare vazhdojnë të mbeten hezitues në ndërmarrjen e planeve afatgjata të konsumit apo të investimeve, por ato pritet të gjejnë një mbështetje në rritje nga përcjellja më e mirë e politikës monetare lehtësuese. Gjithashtu, natyra e politikës fiskale në horizontin afatmesëm do të përbëjë një faktor tjetër vendimtar në zhvillimet ekonomike të kësaj periudhe.
Zhvillimet në ekonomitë dhe tregjet financiare botërore nuk mbështesin rritjen ekonomike në vend, dhe do të vazhdojnë të prodhojnë presione të dobëta inflacioniste në ekonominë shqiptare. Kërkesa agregate në vendet partnere tregtare pritet të jetë e ndrydhur edhe në
gjashtëmujorin e dytë të vitit, duke u reflektuar në një ngadalësim të pritur të normave rritëse të eksporteve vendase. Pavarësisht se zhvillimet në tregjet financiare botërore nuk pasqyrojnë tensione apo vështirësi likuiditeti, kushtet e huaja të financimit mbeten të shtrënguara. Në një mjedis të jashtëm ekonomik të karakterizuar nga çmime të moderuara të mallrave bazë dhe atyre të konsumit, presionet inflacioniste mbi çmimet e konsumit në vend parashikohet të shfaqen të përmbajtura.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 1.7% në tremujorin e parë të vitit 2013. Në linjë me vlerësimet e BSH-së, rritja ekonomike u nxit kryesisht nga kërkesa e huaj dhe nga stimuli fiskal, ndërkohë që kërkesa e brendshme private mbeti e plogësht. Ritmet e rritjes ekonomike vazhdojnë të kushtëzohen nga pasiguritë e përgjithshme të perceptuara nga agjentët ekonomikë e financiarë. Gjithashtu, kushtet e shtrënguara të financimit, brenda e jashtë vendit, si dhe ecuria e dobët e partnerëve tanë kryesorë tregtarë, nuk kanë favorizuar rritjen e kërkesës agregate, thekson institucioni monetar qendror.
Bizneset, rritet industria bien shërbimet
Profili kontribuues i sektorëve në rritjen e aktivitetit ekonomik rezultoi i ndryshëm nga ai i tremujorit paraardhës dhe i vitit të shkuar. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik në tremujorin e parë u mbështet kryesisht nga sektori i industrisë, ndërkohë që sektori i shërbimeve u ngadalësua ndjeshëm. Nga ana tjetër, sektori i ndërtimit ka vijuar tkurrjen, por me ritme më të ulëta.
Sektori industrial gjeneroi një vlerë të shtuar rreth 14.8% më të lartë se i njëjti tremujor i një viti më parë, duke kontribuar me 1.4 pikë përqindje në rritjen vjetore të PBB-së. Në dinamikën e sektorit të industrisë ndikoi pozitivisht kërkesa e huaj, e reflektuar në përshpejtimin e ritmeve të rritjes vjetore të eksporteve të produkteve industriale. Degët “industri nxjerrëse” dhe “energji elektrike, ujë e gaz” rritën vlerën e shtuar totale të industrisë, respektivisht me nga 6.5 pikë përqindje. Zhvillime pozitive shfaqi edhe aktiviteti në industrinë përpunuese, vlera e shtuar e së cilës u rrit me 2.5% në terma vjetorë. Rritja me ritme më të ulëta e eksporteve industriale gjatë muajve prill-maj dhe rënia e treguesve të besimit, sugjerojnë për ngadalësim të aktivitetit në sektorin e industrisë në tremujorin e dytë të vitit.
Sektori i ndërtimit, ndonëse u tkurr në tremujorin e parë të vitit 2013, e zvogëloi kontributin negativ në ecurinë vjetore të PBB-së në 0.5 pikë përqindje. Vlera e shtuar në aktivitetin ndërtues vijoi rënien, ndonëse me ritme më të zbutura (-4.8%, krahasuar me -17.8% mesatare për vitin 2012). Në tremujorin e dytë të këtij viti, performanca e sektorit ndërtues pritet të përmirësohet, kryesisht si rezultat i rritjes së investimeve publike. Gjithashtu, vlerësimi i bizneseve për shfrytëzimin e kapaciteteve me një normë lehtësisht më të lartë në tremujorin e dytë, sugjeron për dinamikë më pozitive të sektorit të ndërtimit.
Aktivitetet e lidhura me bujqësinë, gjuetinë, pyjet dhe peshkimin vazhduan të mbështesin rritjen vjetore të PBB-së në tremujorin e parë, ndonëse me një kontribut më të vogël, rreth 0.4 pikë përqindje. Rritja vjetore e këtij sektori u ngadalësua në 2.1% në këtë periudhë.
Sektori i shërbimeve u ngadalësua më tej në tremujorin e parë të vitit 2013, duke gjeneruar një vlerë të shtuar rreth 0.9% më të lartë, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm. Kjo dinamikë, ndjeshëm më e ulët se norma mesatare historike vjetore prej 5.3%, rezultoi si kombinim i ritmeve më të ulëta të zgjerimit të aktivitetit në degët e shërbimeve të tjera, postës e telekomunikacionit, me aktivitetin më të tkurrur në degët e
transportit, tregtisë, hoteleve dhe restoranteve.
Konsumi dhe investimet mbeten të frenuara
Rritja ekonomike e tremujorit të parë është mbështetur kryesisht nga kërkesa e huaj dhe nga stimuli fiskal, ndërkohë që kërkesa e brendshme private mbeti e dobët. Ngushtimi i thellë i eksporteve neto pasqyron kontributin pozitiv të kërkesës së huaj në rritjen ekonomike, ndërsa konsumi dhe investimet private gjykohet të vazhdojnë të vuajnë besimin e dobët në qëndrueshmërinë e të ardhurave familjare dhe shtrëngimin e kushteve të financimit gjatë vitit të kaluar. Të dhënat indirekte të disponuara për tremujorin e dytë tregojnë për: vazhdimin e një kontributi pozitiv, por të ngadalësuar, të kërkesës së huaj; stimul të rritur fiskal; dhe, për rritje të kërkesës së brendshme private. Pasiguria dhe burimet e kufizuara të financimit mbeten rreziqe në kahun rënës dhe sugjerojnë për mungesën e një prirje të qëndrueshme drejt rikuperimit të kësaj të fundit.
Dobësia e konsumit privat ka vijuar edhe në tremujorin e parë e të dytë të këtij viti.
Treguesit sasiorë indirektë dhe treguesit cilësorë nga vrojtimet, dëshmojnë rënie të kontributit të konsumit privat në kërkesën agregate, gjatë tremujorit të parë. Të dhënat sasiore të importeve dhe të vrojtimeve dëshmojnë për rënie të kërkesës së konsumatorëve për mallra afatgjatë.
Nga ana tjetër, rritja e vlerës së shtuar në disa degë të sektorit të shërbimeve dhe rritja e indeksit të tregtisë me pakicë, tregojnë për konsum të shtuar të mallrave për konsum të përditshëm. Kjo shpërndarje e shpenzimeve ka reflektuar zhvillimet në burimet kryesore të financimit të konsumit. Treguesi i pagës reale, pasi shënoi rënie me rreth 8.7% gjatë vitit 2012, u rrit me rreth 2.1% në tremujorin e parë të këtij viti.
Kujdesi i shtuar i konsumatorëve kundrejt shpenzimeve për mallra afatgjatë u shfaq dhe në rritjen e dobët të kredisë për konsum, gjatë tremujorit të parë.
Sipas të dhënave indirekte sasiore e cilësore, dinamika e konsumit privat duket më e përmirësuar në tremujorin e dytë. Importi i mallrave për konsum u rrit me 8.8%, pas normave negative të shënuara përgjatë tre tremujorëve paraardhës. Përmirësimi i treguesit të besimit në sektorin e tregtisë sugjeron për vijimin e rritjes së konsumit të mallrave e shërbimeve gjatë tremujorit të dytë të vitit. Gjallërimi i konsumit privat vlerësohet se është mbështetur edhe nga rritja e kredisë konsumatore (3.1% në periudhën prill-maj, nga 1.5% në tremujorin e parë), si dhe nga masat lehtësuese të ndërmarra nga politika fiskale në tremujorin e dytë.
Tërësia e treguesve që përafrojnë ecurinë e investimeve private në ekonomi sugjerojnë për nivel ende të ulët të tyre gjatë tremujorit të parë të vitit. Norma ende e lartë e kapaciteteve të pashfrytëzuara, pasiguria për të ardhmen, si dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit vazhdojnë të dekurajojnë ndërmarrjen e investimeve të reja private. Importi i “makineri dhe pajisje” ka shënuar rënie me 11.6% në tremujorin e parë, duke ndjekur tendencën rënëse të vitit 2012. Në linjë me dobësinë e kërkesës, kredia për qëllime investimi është ngadalësuar gjatë muajve të parë të vitit.
Të dhënat cilësore nga vrojtimet e besimit të bizneseve për tremujorin e dytë të vitit, tregojnë për norma të ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi e vlerësime pesimiste të gjendjes financiare, pavarësisht stimulit të investimeve publike të larta gjatë këtij tremujori mbi investimet private, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor ka shënuar rritje në tremujorin e dytë. Importi i mallrave kapitale pothuaj përgjysmoi normën rënëse në këtë tremujor (-7.1% nga -11.6% në tremujorin e parë). Nga ana tjetër, kushtet e kreditimit kanë vijuar të mbeten në kahun shtrëngues, në tremujorin e dytë të vitit.
Bizneset më pak produktive
Rritja ekonomike nën potencial ka kushtëzuar praninë e një hendeku negativ prodhimi. Ky hendek negativ prodhimi reflektohet në mosshfrytëzim të plotë të kapaciteteve të instaluara prodhuese, por edhe në rritje të ulët të punësimit e, për rrjedhojë, të pagave e të kostove të prodhimit. Dobësia ciklike e ekonomisë ka ngushtuar hapësirat e bizneseve për të rritur çmimet përfundimtare të produkteve e shërbimeve të tyre dhe ka përcaktuar sjelljen e tyre korrektuese ndaj kostove gjatë viteve të fundit. Pagat dhe kostot e punës kanë qëndruar në një prirje rënëse gjatë kësaj periudhe.
Në tremujorin e parë të vitit 2013, treguesi i produktivitetit të punës (PP) për aktivitetin ekonomik jobujqësor, vijoi të shfaqë ritmikë negative vjetore (-1.9%), por në ngadalësim krahasuar me tremujorët paraardhës. Frenimi i rënies së PP u përcaktua nga ngadalësimi i ritmeve vjetore rritëse të punësimit, kundrejt një rritjeje modeste të vlerës së shtuar në sektorët jobujqësorë të ekonomisë.
Dinamika e produktivitetit dhe e pagave u reflektuan në një rritje me 3.9% të kostove të punës për njësi të prodhuar (KPNj).
Ky zhvillim erdhi si pasojë e rritjes së pagës mesatare reale prej 2.1% kundrejt një dinamike negative të produktivitetit të punës. Zhbalancimi ndërmjet ecurisë së pagave dhe produktivitetit të punës, i shprehur në rritje të kostove të punës për njësi të prodhuar, është shkaktuar në një pjesë të konsiderueshme nga sektori i ndërtimit. Gjatë tremujorit të parë të vitit, ky sektor u vlerësua me rënie të produktivitetit të punës (-3%), ndërkohë që paga mesatare reale u rrit në 4%, duke sjellë rritje të kostove të punës për njësi të prodhuar prej rreth 7% në terma vjetorë. Aktiviteti industrial rezultoi me rënie të treguesit të kostove të punës, ndërkohë që në sektorin e shërbimeve ato mbetën thuajse të njëjta si edhe një vit më parë. Vlerësimet për treguesit e produktivitetit të punës dhe të kostove për njësi, për aktivitetin e bizneseve jobujqësore në nivel degësh, nuk mbështesin ende krijimin e një tendence që mund të shkaktojë presione të shtuara inflacioniste nga pagat.
Pagat
Sipas të dhënave të fundit të statistikave afatshkurtra, indeksi i pagës mesatare në ekonomi u rrit me 4.6% në tremujorin e parë të vitit 2013, pas rënies së vazhdueshme të shënuar gjatë vitit 2012. E deflatuar me indeksin e çmimeve të konsumit, paga reale shënoi rritje vjetore prej 2.1%. Ecuria e pagës në tremujorin e parë u ndikua pozitivisht nga rritja e pagave në sektorin prodhues të ekonomisë. Nga ana tjetër, pagat në shërbime kanë vazhduar rënien e filluar që në fund të vitit 2011. Në terma vjetorë, paga reale në sektorin shtetëror u rrit me 3.3%. Për tremujorin e dytë të vitit 2013, bizneset vlerësojnë rënie të pagave në industri dhe ndërtim dhe rritje të tyre në shërbime. Bazuar në vrojtimet e besimit të bizneseve, niveli i pagave në ekonomi pritet të rritet në tremujorin e tretë të vitit, në linjë me rishikimin e pagës minimale në korrik të çdo viti.
Bankat shtrëngojnë kreditë, bizneset kërkojnë më pak
Kredia për ekonominë ka shfaqur një ecuri të dobët në muajt prill dhe maj, të manifestuar në tkurrje të tepricës. Rritja vjetore e saj është ngadalësuar më tej, duke shënuar 0.3% në muajin maj, nga 1.2% që shënonte në fund të tremujorit të parë të vitit. Financimi në valutë i ekonomisë ka rënë në këta dy muaj dhe tkurrja vjetore e saj është thelluar më tej, duke shënuar 4.6%. Ndërkohë, kredia në lekë është rritur në terma mujorë, por ndjeshëm më pak
në krahasim me rritjen e vërejtur gjatë vitit të kaluar. Ecuria e dobët e këtij treguesi në pesë muajt e parë të këtij viti, është reflektuar në ngadalësimin e vazhdueshëm të rritjes vjetore së tij, i cili, në muajin maj, zbriti në nivelin 9.0%.
Zhvillimet në kreditim kanë reflektuar kryesisht kërkesën e ulët të sektorit privat për financim, por edhe hezitimin e bankave për ndërmarrjen e rrezikut që shoqëron veçanërisht financimin e bizneseve. Kredia për sektorin privat është tkurrur me 1.8 miliardë lekë në këta dy muaj dhe, në fund të muajit maj, është 0.2% më e ulët se një vit më parë. Veçori e muajve prill dhe maj janë zhvillimet pozitive në kredinë për individë, ndërkohë që kredia për biznese ka vijuar të shfaqë një ecuri gjithnjë e më të dobët. Kreditimi i ulët i ekonomisë është reflektuar edhe në reduktimin e levës financiare në ekonomi, e matur si raport i kredisë për sektorin privat ndaj PBB-së. Në fund të tremujorit të parë të vitit, ky raport vlerësohet në 39.7%, duke rënë me 1.7 pikë përqindje, në krahasim me një vit më parë. Kredia për biznese është reduktuar me rreth 3 miliardë lekë, në muajt prill dhe maj.
Ndryshimi vjetor i saj, pasi rezultoi pranë zeros në muajin prill, shënoi një normë negative prej 0.6% në muajin maj. Ecuria e kreditimit të bizneseve është ndikuar në mënyrë të njëkohshme nga kushtet e pafavorshme të kërkesës dhe të ofertës. Kërkesa e bizneseve për kredi për investime ka rënë më tej në tremujorin e dytë të vitit, ndërkohë që kërkesa për financim të kapitalit qarkullues mbetet e ulët. Gjithashtu, edhe bankat kanë ulur gatishmërinë
për të financuar bizneset, përqasje të cilën e kanë reflektuar në shtrëngimin e mëtejshëm të kushteve të kreditimit për biznese, në këtë tremujor. Ecuria e dobët e kredisë për biznese ka qenë e pranishme, si në kredinë për kapital qarkullues ashtu edhe në atë për investime. Rritja vjetore e kredisë për kapital qarkullues është ngadalësuar në 0.6%, ndërkohë që kredia për investime, pas ngadalësimit të shpejtë në muajt e mëparshëm, është tkurrur me 0.6% në terma vjetorë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.