Shpresë në horizont

04/12/2020 10:02 PM 0 komente

Vaksina e re kundër Covid-19 është premtuese. Por vaksinimi i popullsisë është një sfidë që nuk duhet nënvlerësuar

 

Kaluan nëntë vite të gjata midis izolimit të virusit të fruthit në vitin 1954 dhe licencimit të një vaksine ndaj tij, shkruan The Economist. Bota priti për 20 vjet nga provat e hershme të një vaksine ndaj poliomielitit dhe licencës së parë amerikane në vitin 1955. Prandaj është vërtet e mrekullueshme sesi shkencëtarët e botës janë në rrugën për të prodhuar një vaksinë kundër sars-cov-2, virusit që shkakton Covid-19, brenda një viti të vetëm.

Dhe nuk bëhet fjalë për një vaksinë dosido. Të dhënat e para nga një provë e fazës përfundimtare të publikuara së fundmi nga dy kompanitë farmaceutike Pfizer dhe BioNTech, tregojnë se vaksinimi i ul shanset për të vuajtur simptoma me më shumë se 90%. Ky është thuajse i njëjti nivel sa vaksina e fruthit dhe më i lartë se ajo e gripit, me efikasitet prej vetëm 40-60%. Papritmas, në një dimër të errët, ka shpresë.

Nuk është për t’u habitur që lajmet nga Pfizer më 9 nëntor, zgjuan menjëherë tregjet. Investitorët braktisën aksionet në kompanitë si Clorox, Peloton dhe firmat teknologjike, të cilat kanë përfituar të gjitha nga koronavirusi dhe u sulën drejt firmave si Disney, Carnival dhe International Consolidated Airlines Group, të cilat pritet të lulëzojnë kur dielli të shkëlqejë sërish. OECD, ku bëjnë pjesë vende kryesisht të pasura, llogarit se rritja globale në vitin 2021 me një vaksinë të hershme do të jetë 7%, 2% më e lartë se pa një vaksinë.

Ka vërtet shumë për të festuar. Rezultati i Pfizer tregon se vaksinat e tjera do të funksionojnë gjithashtu. Mbi 320 të tilla janë në zhvillim, disa në provat e fundit. Shumica, si vaksina e Pfizer, përqendrohen në proteinën e jashtme me të cilën sars-cov-2 akseson qelizën. Nëse një vaksinë e ka përdorur me sukses këtë strategji për të stimuluar imunitetin, edhe të tjerat mund ta bëjnë.

Vaksina e Pfizer është gjithashtu e para që përdor një teknologji të re premtuese. Shumë vaksina e përgatisin sistemin imunitar, duke vendosur fragmente inerte të proteinave virale. Kjo e nxit trupin ta prodhojë vetë proteinën virale, nëpërmjet udhëzimeve gjenetike të përfshira në një formë të ARN-së. Duke qenë se ARN-ja mund të ndryshohet, vaksina mund të përshtatet nëse proteina pëson mutacion, siç mund të ketë ndodhur kohët e fundit. Kjo platformë mund të përdoret edhe me viruse dhe sëmundje të tjera, ndoshta duke përfshirë edhe kancerin, fokusin primar të BioNTech.

 

A është koha për të festuar?!

Prandaj le të festojmë se sa larg ka arritur biologjia dhe se sa me efikasitet mund të manipulojë makineritë biokimike për të mirën e njerëzimit (do të ketë kohë më vonë për t’u shqetësuar se si mund të abuzohet edhe me atë fuqi). Dhe le të festojmë fuqinë e shkencës, si një përpjekje globale. Duke u mbështetur në kontributet nga e gjithë bota, një firmë e vogël gjermane e themeluar nga emigrantë turq, ka punuar me sukses me një kompani shumëkombëshe amerikane, e kryesuar nga një shef ekzekutiv grek.

Megjithatë, pavarësisht lajmit të mirë, dalin në pah dy pyetje të mëdha, në lidhje me karakteristikat e vaksinës dhe sa shpejt mund të shpërndahet ajo. Këto janë rezultate të hershme, bazuar në 94 raste simptomatike të Covid-19 nga 44,000 vullnetarë. Përgjigjet e mëtejshme duhet të presin derisa prova të mbledhë më shumë të dhëna.

Prandaj, nuk është e qartë nëse vaksina parandalon rastet e rënda ose ato të mesme, nëse mbron të moshuarit, sistemet imunitare të të cilëve janë më të dobët. Nuk dihet as nëse njerëzit e injektuar me vaksinën mund të shkaktojnë infeksione potencialisht fatale tek ata që nuk janë injektuar. Dhe është shumë shpejt për të qenë të sigurt se sa do të zgjasin efektet e dobishme.

 

Qartësia do të kërkojë kohë

Në javët e ardhshme, prova duhet të deklarohet e sigurt, megjithëse do të nevojitet monitorimi i mëtejshëm i vaksinës. Kompanitë parashikojnë që imuniteti të zgjasë të paktën një vit. Efikasiteti prej 90% është aq i lartë sa që kjo vaksinë mund të ofrojë të paktën njëfarë mbrojtjeje për të gjitha grupmoshat.

Ndërkohë që bota pret të dhëna, duhet të mendojë edhe për shpërndarjen. Vaksina do të jetë në rezerva të pamjaftueshme për pjesën më të madhe të vitit të ardhshëm. Edhe pse injektimet e ARN-së mund të jenë më të lehta për t’u bërë në masë sesa ato të bazuara në proteina, vaksina e Pfizer kërkon dy doza.

Kompania ka thënë se do të jetë në gjendje të prodhojë deri në 50 milionë doza në vitin 2020 dhe 1.3 miliardë vitin e ardhshëm. Kjo tingëllon mirë, por vetëm Amerika ka mbi 20 milionë punonjës të ndihmës së parë, personel mjekësor, punonjës në azile dhe trupa aktive.

Ndoshta një e pesta e 7.8 miliardë njerëzve në botë, përfshirë dy të tretat e atyre mbi 70 vjeç, rrezikojnë të sëmuren rëndë nga Covid-19. Askush nuk është përpjekur ndonjëherë të vaksinojë një planet të tërë njëherësh. Teksa përpjekjet rriten, shiringat, qelqi mjekësor dhe personeli mund të mbarojnë.

Edhe më keq, injektimet e Pfizer duhet të ruhen në temperatura -70 ° C ose edhe më të ftohta, përtej mundësive të farmacistit tuaj lokal. Kompania po ndërton një zinxhir ultra të ftohtë, por logjistika do të jetë gjithsesi e vështirë. Vaksina vjen në grupe me të paktën 975 doza, kështu që duhen grumbulluar shumë njerëz për injektimin e tyre të parë, dhe të njëjtët persona duhet të vijnë sërish 21 ditë më vonë për një përforcues. Askush nuk e di se sa doza do të shpërdorohen.

Për sa kohë që ka shumë pak vaksina për t’u përdorur, përparësitë duhet të përcaktohen nga qeveritë. Prandaj është shumë e rëndësishme që ato ta drejtojnë procesin siç duhet. Parashikimet tregojnë se nëse 50 vende të pasura do të administronin 2 miliardë doza të një vaksine që është 80% efektive, ato do të parandalonin një të tretën e vdekjeve në mbarë botën; nëse vaksina do të furnizohej në përputhje me popullsinë e vendeve të pasura dhe të varfra, kjo pjesë do të dyfishohej. Detajet do të varen nga vaksina. Për vendet e varfra, zinxhirët ultra të ftohtë mund të jenë shumë të kushtueshëm.

Përgjigjja e brendshme për këto probleme është që komitetet kombëtare të shpërndajnë vaksinën në mënyrë optimale. Përgjigjja globale është COVAX, një nismë për të nxitur qasjen e barabartë të vendeve në furnizime. Sidoqoftë, zgjidhja do të jetë prodhimi i sa më shumë vaksinave. Disa mund të mbijetojnë në frigoriferë të zakonshëm, të tjera mund të funksionojnë më mirë te të moshuarit, të tjera mund të ofrojnë mbrojtje më të gjatë, të kërkojnë një injektim të vetëm ose të ndalojnë infeksionet dhe simptomat njëkohësisht. Të gjitha vaksinat që funksionojnë do të ndihmojnë në rritjen e furnizimit.

Vetëm kur të ketë vaksina me tepri, personat kundër vaksinave do të bëhen pengesë. Raportet e hershme tregojnë se efektet anësore përfshijnë ethe dhe dhimbje, të cilat gjithashtu mund të shkurajojnë disa njerëz. Lajmi i mirë është se një efikasitet prej 90% e bën vaksinimin më tërheqës.

 

Tuneli përpara

Muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë. Shkalla globale e vdekjeve të regjistruara është rritur përtej kulmit në prill. Qeveritë do të përballen me logjistikën e vaksinimit. Amerika është një vend i pasur dhe ka ilaçe të klasit botëror. Por ajo rrezikon të përjetojë mungesa, sepse virusi atje po përhapet me tërbim dhe sepse tranzicioni midis administratave mund të çojë në kaos dhe vonesa të panevojshme. Rrezikimi i jetëve kur një vaksinë është afër do të ishte veçanërisht mizor. Shkenca e ka kryer detyrën e vet për të luftuar virusin. Tashmë në provë do të vihet shoqëria./Përktheu Lira Muça

 

Sprova e qeverisë

Muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë. Shkalla globale e vdekjeve të regjistruara është rritur përtej kulmit në prill. Qeveritë do të përballen me logjistikën e vaksinimit. Shkenca e ka kryer detyrën e vet për të luftuar virusin. Tashmë në provë do të vihet shoqëria.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of