Shqetësimet janë në rritje në vendin më të vaksinuar në botë, pasi varianti Delta vijon të përhapet.
Në Izrael, 5.2 milionë banorë nga 9.3 milionë e popullsisë në total janë vaksinuar plotësisht, megjithatë efektiviteti i vaksinës Pfizer ka rënë në 64 për qind krahasuar me 95.8% në shkurt.
“Kjo rënie është vërejtur njëkohësisht me përhapjen e variantit Delta në Izrael,” deklaroi Ministria e Shëndetësisë në vend.
Ajo shtoi se vaksina megjithatë kishte shmangur 93 për qind të gjendjes së rendë dhe shtrimeve në spital, krahasuar me rreth 99 për qind në shkurt.
Numri i infeksioneve të regjistruara është rritur ndjeshëm për rreth dy javë në Izrael, i nxitur nga varianti më transmetues Delta, zbuluar fillimisht në Indi.
Shumica e të infektuarve janë mosha të reja. Numri i njerëzve të sëmurë rëndë me COVID-19 u rrit lehtë në 35. Asnjë vdekje në lidhje me virusin nuk është regjistruar për rreth dy javë.
Izraeli, një paralajmërim për vendet e tjera
Izraeli është konsideruar një vend model në betejën kundër koronavirusit për shkak të fushatës së tij të shpejtë të vaksinimit.
Trendet e tanishme të infeksionit mund të tregojnë për luftërat me të cilat do të përballen vendet e tjera, edhe nëse ato kanë ivaksinuar shumicën e popullsisë së tyre.
Izraeli ka rreth 56 % të popullsisë të vaksinuar deri më tani dhe ka përdorur kryesisht vetëm vaksinën Pfizer-BioNTech.
Rënia e efektivitetit të vaksinës përkoi gjithashtu me përfundimin e kufizimeve të distancimit social në Izrael.
Një zëdhënës i Pfizer nuk pranoi të komentonte mbi të dhënat nga Izraeli, por citoi kërkime të tjera që tregojnë se antitrupat e shkaktuar nga vaksina ishin akoma në gjendje të neutralizonin të gjitha variantet e testuara, përfshirë edhe Deltën, megjithëse me fuqi më të dobët./Yahoo News