Flet Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri
Delmon Group, ashtu si të gjithë në industrinë automotive ka ndjerë efektet e asaj çka po ndodh globalisht. Fabrika e tyre në Shqipëri prodhoi me kapacitet relativisht të mirë përgjatë pjesës më të madhe të vitit aktual por tremujori i fundit pësoi rënie drastike, si efekt i zhvillimeve në tregun e jashtëm.
Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri shprehet se prodhimi pësoi rënie me 50 për qind. Përpos zhvillimeve jashtë vendit edhe ato brenda Shqipërisë, duket se kanë vend për shqetësim. Teksa çmimet e energjisë kanë prekur nivele rekord në bursa, bizneset e lidhur në tension të mesëm do të dalin në treg të lirë në janar.
Sipas Çabirit mënyra sesi do të veprohet, mbetet disi e paqartë dhe kjo e bën të vështirë situatën për kompanitë, që do të jenë pjesë e liberalizimit.
Si e vlerësoni ecurinë për industrinë automotive në përgjithësi gjatë këtij viti dhe për Delmon në veçanti? Si ka qenë prodhimi dhe me sa kapacitet është punuar?
Në industrinë automotive, edhe viti 2021 ka qenë i veçantë për sa u përket shitjeve, me një 6-mujor të parë relativisht të kënaqshëm dhe shumë pranë parashikimeve, por me pjesën e dytë të vitit, me ngadalësim të ndjeshëm të ofertës prej krizës globale të gjysmëpërcjellësve (mikroçipave).
Ndryshe nga viti i shpërthimit të pandemisë, kur edhe kërkesa edhe oferta u ndrydhën, gjatë 2021, kërkesa për automobila u stabilizua, por ishte oferta ajo që nuk arriti të garantohej, sepse kompanitë e mëdha të prodhimit të automjeteve nuk gjenin në treg mjaftueshëm mikroçipe për të garantuar prodhimin sipas planit.
Rrjedhimisht, kompanitë e prodhimit të makinave ulën kërkesën edhe për qindra pjesët e tjera që i duhen një automobili të përfunduar. Kjo ndodhi me të gjitha kompanitë e zinxhirit furnizues, përfshirë edhe Delmon Group, ku tremujori i katërt është ai më i vështiri me rënie 50% të prodhimit. Në nivel vjetor, rënia e prodhimit në krahasim me parashikimet do të jetë rreth 25-30%.
Cilat janë disa nga zhvillimet post-pandemi që keni vënë re sa u takon aspekteve të kostos, logjistikës, mungesës së produkteve të rëndësishme në industrinë automotive?
Si në shumicën e industrive, shtrenjtimi i lëndëve të para ka ndikimin e tij në strukturën e kostove. Por, ndërsa deri tani rritja e kostove të lëndëve të para është përballuar në nivele grupi, mbetet shqetësuese për degën tonë në Shqipëri pasiguria me çmimin e energjisë elektrike në vitin e ardhshëm. Nuk është ende e qartë për ne si do të ndodhë liberalizimi i tregut në terma praktikë dhe çfarë na pret në lidhje me çmimet.
Si janë parashikimet tuaja për vitin e ardhshëm që duhet thënë jemi shumë afër, si paraqiten tregjet dhe pritshmëritë që keni për porositë nga klientët?
Duke pasur parasysh pasigurinë e lartë në afatshkurtër, skenari pozitiv për industrinë tonë është që të kthehemi në normalitet në fund të tremujorit të dytë të 2022. Kjo për sa i përket garantimit të produkteve të zinxhirit të furnizimit për prodhuesit e makinave, që përkthehet në kërkesë të qëndrueshme për produktet që tregton Delmon Group Albania. Ndërkohë, rreziqet që lidhen me çmimet e lëndëve të para do të mbeten të larta dhe shpresa është që të stabilizohen deri në fund të 2022.
Ka një shqetësim të përgjithshëm mes industrive siç janë fasonët apo edhe ndërtimi për mungesën e fuqisë punëtore. Ju a e ndieni këtë problematikë për gjetjen e të punësuarve?
Shqetësimi është real dhe i bazuar. Ky vit, edhe për kompaninë tonë, ka qenë më i vështirë për gjetjen e burimeve njerëzore. Kemi pasur largime të punonjësve drejt Gjermanisë kryesisht dhe ka qenë disi më e vështirë të zëvendësohen me punonjës të përshtatshëm, të cilët nevojitet të trajnohen nga ana jonë. Ndërkohë, mbetet një problem i madh gjetja e teknikëve të përgatitur si elektricistë, mekanikë apo saldatorë.
Për herë të fundit, industria automotive u trajtua me një lehtësim tek tatimfitimi 5% me paketën fiskale 2020. A ka ndonjë nevojë për rishikime ligjore procedurale, burokratike apo lehtësuese sot kjo industri?
Ne fakt, është e vërtetë që tatimfitimi 5% u vendos për industrinë automotive, por gjithashtu ka disa kushte shtesë (si numri minimal prej 250 punonjësish) që nuk e bëjnë të aplikueshëm për gjithë kompanitë që operojnë në këtë sektor. Delmon Group Albania që ka rreth 100 punonjës nuk e përfiton këtë lehtësim. Sigurisht, Qeveria ka pasur logjikën e nxitjes së punësimit me këtë masë, por në anën tjetër, kjo penalizon kompanitë që investojnë në teknologji më të lartë. Do të kishte qenë më e drejtë që kriteri të ishin të ardhurat vjetore apo një kriter tjetër. Pse pikërisht 250 punonjës dhe jo 100 apo 200?
Në kulmin e pandemisë që ishte viti 2020 pati një teori që zinxhirët e furnizimit mund të zhvendoseshin nga Kina dhe të afroheshin në Europë dhe Ballkani Perëndimor ishte një opsion. A shihni të materializuar apo ndonjë përpjekje për këtë pjesë apo gjithçka ka mbetur tek normaliteti i mëparshëm?
Rikonceptimi i globalizimit është mjaft konkret dhe po diskutohet në të gjitha industritë. Vihen re interesime të shumë kompanive të sektorit tonë në lidhje më Shqipërinë. Por të gjitha këto kompani bëjnë një krahasim (benchmark) me të gjitha vendet e rajonit. Vendimi për të investuar në Shqipëri mbetet në aftësinë e Qeverisë për t’i bindur investitorët për avantazhet konkurrues të vendit tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.