Shqipëri – SHBA, nënshkruhet  Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik, i pari nga 1992, do rrisë investimet

03/10/2020 1:30 PM 0 komente

Shqipëria dhe SHBA angazhohen të rrisin bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, investimeve të ndërsjellta dhe tregtisë, sipas një njoftimi zyrtar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Memorandumi i Bashkëpunimit u firmos për palën shqiptare nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe për palën amerikane Nënsekretari i Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Z. Keith Krach.

Ky Memorandum i Bashkëpunimit Ekonomik është i pari, që firmoset mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas Marrëveshjes Ekonomike të vitit 1992.

Partneriteti shqiptaro-amerikan mbart ende potencial të pashfrytëzuar, në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy shteteve.

Për këtë qëllim, miratimi i një Memorandumi të Bashkëpunimit Ekonomik, pritet të ndikojë ndjeshëm në nivelin e flukseve të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, t’i mundësojë bizneseve shqiptare akses të shtuar në tregun amerikan, të rrisë eksportet shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar të vendit.

Angazhimi i përbashkët i ndërmarrë sot, riforcon angazhimin dhe vullnetin se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një interes të përbashkët për forcimin e lidhjeve tregtare dhe promovimin e pjesëmarrjes aktive të kompanive amerikane në projektet e Republikës së Shqipërisë, me qëllim rritjen e mirëqënies, sigurisë dhe lidhjeve rajonale në Shqipëri.

Memorandumi shërben edhe si një ftesë e të dyja vendeve për nxitjen e veprimtarisë ekonomike në Shqipëri, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe Udhëzimet e OECD për Kompanitë Shumëkombëshe.

Sektorët me përparësi në kuadër të këtij bashkëpunimin, janë eksplorimi dhe zhvillimi i burimeve energjitike, infrastruktura, energjia, transporti, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, turizmi dhe bujqësia.

Nëpërmjet këtij Memorandumi Bashkëpunimi,  Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen të promovojnë partneritete midis bizneseve me përfitim reciprok të kompanive amerikane dhe aktorëve vendas në Shqipëri, duke përfshirë zhvillimin e fuqisë punëtore, fuqizimin ekonomik të grave dhe mundësitë për inovacion.

Një pikë e vecantë në këtë memorandum i kushtohet bashkëpunimit mes dhomave të tregtisë të dy vendeve për të promovuar dhe zhvilluar aktivitete ekonomike të përbashkëta,  si shkëmbimi i informacioniit dhe eksperiencave, si dhe organizimin e Forumeve të Biznesit, Panaireve të Tregtisë dhe Investimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave.

 

Finalizimi i këtij Memorandumi është vijimësi e angazhimit dhe komunikimit mes Qeverisë Shqiptare dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njoftoi Ministria.

 

***Investimet e Huaja Direkte nga SHBA kanë arritur këtë vit nivelin më të lartë të stokut në 6 vitet e fundit, në 123 Milion EUR në 6 mujorin e parë të vitit 2020.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of