Shqipëria Arbitrazheve, tre përplasjet me kompani të huaja, Avokatura në kërkim të ekipeve mbrojtëse

24/10/2017 10:04 AM 0 komente

Të paktën tre përplasje me kompani ndërkombëtarë kanë bërë që të lindin çështje Arbitrazhi ndërkombëtar dhe që vetëm për tetorin Avokatura e Shtetit të kërkojë ekipe mbrojtjeje në interes të Shqipërisë. Institucionet që duket se kanë më shumë telashe janë në një pjesë të mirë nën “ombrellën” e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

CEZ i lë peshqesh OSHEE-së borxhin me zviceranët

Telashet për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duket se nuk kanë të sosur. Pasi shleu borxhin ndaj çekëve pas arritjes së marrëveshjeve kompania duket se do vazhdojë të shlyejë edhe borxhet e mbartura nga koha e tyre ndaj palëve të treta. Kompania Zvicerane EFT aktualisht ka çështjen e arbitrazhit pranë Institutit të Arbitrazhit të Dhomës Zvicerane (SCAI)), për mosmarrëveshje të pretenduara si të lindura nga një kontratë për furnizim me energji elektrike e lidhur ndërmjet palëve.

Çekët në fillim të 2012, kohën kur kishin nën administrim shpërndarjen, nënshkruan një kontratë për importet me afat 1 vjeçar me kompaninë zvicerane por nuk arritën të paguajnë disa muaj e për rrjedhojë krijuan borxh që nuk u pagua asnjëherë.

Më pas përplasja me CEZ dhe qeverinë arriti në nivele ekstreme dhe çekët u larguan. Gjithsesi borxhi mbeti dhe ndaj EFT llogaritet të jetë rreth 3 milionë euro. Nëse arbitrazhi vendos në favor të kompanisë zvicerane atëherë do të jetë OSHEE që do të paguajë. Aktualisht kompania e shpërndarjes dhe EFT kanë një marrëdhënie të rregullt furnizim dhe pagesash të pandikuar nga problematika e mbarur ndër vite.

 

MIE, AKBN dhe Albpetrol përballë koncesionarëve të hidrokarbureve

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës dhe Albpetrol janë gjithashtu në kërkim të një ekipi që do t’i mbrojë përballë koncesioneve të hidrokarbureve. Bëhet fjalë për një çështje që po trajtohet pranë  Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë. Arbitrazhi më I fundit ishte ai i kompanisë Transatlantik ndërkohe që është në vijim edhe një tjetër më I hershëm me Bankers Petroleum.

 

Çështja me  ANGLO ADRIATIC GROUP LTD

Çështja e tretë për të cilën Avokatura e Shtetit ka kërkua negocim për të gjetur ekipin mbrojtës në gjykatë ka qenë ajo për një kompani britanike të njohur si ANGLO ADRIATIC GROUP LTD. Kjo e fundit operoi si fond investimesh duke mbledhur bonot e privatizimit të shqiptarëve që sipas shifrave të lakuara herë pas here mendohet se kapën një vlerë 120 milionë euro.

Kompania dhe shteti shqiptar kanë shkuar para Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), për mosmarrëveshje të pretenduara investimesh.

Çështja u regjistrua në 17 shkurt 2017 me paditës kompaninë Anglo Adriatic ndërkohe që krijimi I grupit gjykues u bë në 21 korrik 2017. Çështja është pezull dhe referuar informacioneve në faqen e gjykatës në 16 tetor është mbajtur edhe telekonferenca e parë për informimin.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of