Ministria e Financave raportoi se gjashtë 6 mujorit të parë 2020, u disbursuan nga jashtë 113 miliardë lekë ose rreth 917 milionë euro. Rreth 70 për qind e kësaj shumë i përket Eurobondit dhe pjesa tjetër kredive, ndihmave nga donatorët etj, që shkuan si mbështetje buxhetore për rindërtimin e pasojave të tërmetit, përballimin e Covid 19.
Sipas të dhënave zyrtare 2,4 miliardë lekë ishin grante, prej të cilave 457 miliardë lekë ishin kontribute të donatorëve.
Kreditë e disbursuara arritën në 87 miliardë lekë ose rreth 798 milionë euro, nga të cilat 80 miliardë leke rreth 650 milionë euro ishin për shkak të rimbursimit të emetimit të Eurobondit.
23 miliardë lekë të tjera rreth 188 milionë euro ishin mbështetje buxhetore që u dhanë nga kuotat e Shqipërisë në FMN me qëllim përballimin e emergjencës së pandemisë Covid.
Disbursimet nga jashtë që kanë arritur në një rekord, duke iu afruar 1 miliard eurove e kanë rritur borxhin publik të vendit jashtë çdo limiti të parashikuar në skenarët e mëparshëm.
Megjithë këtë situatë, mbetet shqetësim produktiviteti i rritjes së borxhit, pasi Shqipëria duket se ka hyrë në një cikël të pakontrolluar të pandemisë dhe shpenzime më të mëdha nevojitën për të përballuar krizën shëndetësore.
Borxhi total publik ka rezultuar në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) që në fund të 6–mujorit të parë të këtij viti, duke e arritur kështu që tani objektivin vjetor të qeverisë dhe duke shënuar një nivel të lartë historik.
Stoku i borxhit arriti në 1.26 trilionë lekë, ose 10.2 miliardë euro, me një rritje prej gati 9% në krahasim me fundin e 2019-s. Në vlerë absolute për 6 muaj, borxhi është rritur me rreth 830 milionë euro.
Në buxhetin e rishikuar së fundmi, financat ulën ndjeshëm parashikimin për të ardhurat, që priten 4% më të ulëta se fakti i 2019-s, ndërsa shpenzimet u rritën me 18% në krahasim me faktin e një viti më parë, si rrjedhojë e fondeve për rikuperimin nga tërmeti, paketave ndihmëse dhe planeve për më shumë investime kapitale. Këto ndryshime shkaktuan një deficit në buxhet (diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve) prej rreth 1 miliard eurosh, që mund të përballohej vetëm duke shtuar borxhin.
Buxheti i rishikuar 2020 parashikonte që borxhi të arrinte në 1.27 trilionë lekë deri në fund të vitit, por në fakt, ky plan është ezauruar që në 6-mujorin e parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.