Shqipëria duhet të diversifikojë burimet e rritjes ekonomike

09/01/2018 2:57 PM 0 komente

Intervistë me Menaxheren e Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Shqipëri, Maryam Salim

 

Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ruajë tempin në avancimin e reformave. Ruajtja e tempit të reformave që lidhen me axhendën e futjes në BE do të pakësonte rreziqet. Forcimi i integrimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ndihmonte në krijimin e ekonomive të shkallës, rritjen e konkurrueshmërisë, krijimin e efekteve sekondare pozitive dhe do të rriste konvergjencën me BE-në

 

Shqipëria ka pasur një progres të mirë në 2017, por duhet të diversifikojë burimet e rritjes ekonomike, – tha Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Shqipëri, Maryam Salim. Rritja ekonomike pritet të rritet në mënyrë të moderuar me rreth 3.6% gjatë periudhës 2018-2019, ndërkohë që konsumi privat do të rritet me përfundimin e dy projekteve të mëdha energjetike dhe nuk janë planifikuar projekte të tjera të mëdha.

Ajo shpjegon se, në terma afatmesëm, rritja ekonomike do të mbështetet nga konsumi privat, i përforcuar edhe nga përmirësime në tregun e punës dhe rritje të eksporteve, në përgjigje të një kërkese më të lartë nga BE.

Një model rritje i vazhdueshme në Shqipëri do të kishte nevojë për një ribalancim të burimeve të rritjes, disa prej të cilave, nga burime publike në ato private, tashmë kanë ndodhur, shpjegon Salim. Rritja ekonomike, sipas saj, gjithashtu duhet të mbështetet më shumë në investime sesa konsum, siç ka ndodhur përpara krizës globale financiare. Gjithashtu, drejtoresha e BB shpjegon se, Shqipëria duhet të rrisë aksesin e vet në tregjet e jashtme, në terma intensivë dhe ekstensivë, në mënyrë që të bëhet pjesë e zinxhirit të vlerave globale.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin që po lëmë pas?

Shqipëria ka pasur progres të mirë në 2017. Rritja ekonomike, gjatë vitit të kaluar, u forcua dhe vlerësohet të jetë 3.8%, mbështetur nga investimet private, përfshirë projektet energjetike të financuara nga investimet e huaja, si dhe rimëkëmbjes së konsumit të familjeve. Lajmi i mirë është se dinamika e rritjes gjatë viteve të fundit flet për një ribalancim të burimeve të rritjes nga konsumi dhe investimet publike tek investimet private.

Kjo është e rëndësishme, sepse ndihmon vendin të krijojë një bazë solide për vitet e ardhshme dhe të pakësojë anët e dobëta. Eksportet neto kontribuuan pozitivisht në gjysmën e parë të 2017-s, të ndihmuara edhe nga turizmi dhe rimëkëmbja e tregut të mallrave. Një zhvillim tjetër pozitiv është se rritja ekonomike është shoqëruar edhe me vende të reja pune, rritje të pjesëmarrjes së krahut të punës dhe ulje të papunësisë. Një politikë fiskale e kujdesshme në vazhdimësi, madje edhe gjatë vitit elektoral, ka ulur borxhin publik. Politikat monetare kanë nxitur rimëkëmbjen e kreditimit. Reformat e avancuara në sektorin financiar kanë sjellë uljen e kredive të këqija në rreth 14% të të gjithë kredive krahasuar me 2014, kur kreditë e këqija përbënin pothuaj çerekun e portofolit të kredive.

Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë më 2018 dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm dhe zhvillimet në tregjet e huaja në rritjen ekonomike të vendit?

Rritja ekonomike pritet të rritet në mënyrë të moderuar me rreth 3.6% gjatë periudhës 2018-2019, ndërkohë që konsumi privat do të rritet me përfundimin e dy projekteve të mëdha energjetike dhe nuk janë planifikuar projekte të tjera të mëdha. Në terma afatmesëm, rritja ekonomike do të mbështetet nga konsumi privat, i përforcuar edhe nga përmirësime në tregun e punës dhe rritje të eksporteve, në përgjigje të një kërkese më të lartë nga BE. Deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet me rritjen e eksportit të shërbimeve dhe uljen e importeve të diktuara nga investimet e huaja. Përpjekjet për konsolidim fiskal në vazhdimësi, si dhe reformat strukturore, duhet të ulin gradualisht deficitin fiskal dhe borxhin në masën 60% të PBB deri në 2022. Varfëria (e matur me 5.5$ në ditë, sipas PPP 2011) pritet të ulet nga 32.8% në 2017 në 30.9% në 2019.

Cilat janë shanset dhe sfidat me të cilat do të përballen politikëbërësit dhe qytetarët shqiptarë?

Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ruajë tempin në avancimin e reformave. Ruajtja e tempit të reformave që lidhen me axhendën e futjes në BE do të pakësonte rreziqet. Forcimi i integrimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ndihmonte në krijimin e ekonomive të shkallës, rritjen e konkurrueshmërisë, krijimin e efekteve sekondare pozitive dhe do të rriste konvergjencën me BE-në. Brenda vendit, me rritjen e kërkesës për eksporte dhe kosto huazimi të favorshme në vazhdim, Shqipëria mund të akumulonte rezerva fiskale për të përballuar goditje të mundshme. Këto parashikime sigurisht përfshijnë edhe rreziqe.

Një ulje e rritjes së tregtisë me partnerët mund të pakësonte eksportet e Shqipërisë dhe rrjedhën e investimeve të huaja, të cilat do të sillnin të ardhura më të pakta nga taksat dhe ulje të investimeve publike dhe si rrjedhim, ulje të rritjes ekonomike. Një shkallë më e lartë e interesave në planin global mund të ushtronte presion mbi buxhetin, duke vështirësuar kushtet për financim nga ana e qeverisë. Rritja ekonomike varet nga stabiliteti makroekonomik dhe përmirësime në klimën e biznesit, rritja e efikasitetit të sistemit të drejtësisë, menaxhimit të investimeve publike, aftësive për punë dhe reformës në energji. Mandati i ri qeverisës ofron mundësi për të avancuar reformat në këta sektorë, të cilët duhet të udhëhiqen nga përpjekjet në vazhdim për uljen e varfërisë.

Ku duhet të fokusohen politikat ekonomike në mënyrë që prosperiteti të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm për të gjithë?

Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të përshpejtojë ritmin e reformave strukturore, në mënyrë që të nxisë rritjen në planin afatmesëm. Shqipëria duhet të diversifikojë burimet e rritjes. Dhe këtë mund ta bëjë duke ruajtur stabilitetin makroekonomik, duke përmirësuar klimën e investimeve (me një gjyqësor më efikas dhe program investimesh publike), duke reformuar sektorët e energjisë dhe të arsimit. Adresimi i çështjeve që lidhen me papunësinë dhe pjesëmarrjen e ulët të krahut të punës mund të sillte përfitime të konsiderueshme për rritjen ekonomike.

A po ndjek Shqipëria modelin e duhur ekonomik dhe a përbën rrezik riorientimi i likuiditeteve drejt sektorit të ndërtimit, sidomos në banesa?

Një model rritjeje të vazhdueshme në Shqipëri do të kishte nevojë për një ribalancim të burimeve të rritjes, disa prej të cilave, nga burime publike në ato private, tashmë kanë ndodhur. Rritja gjithashtu duhet të mbështetet më shumë në investime sesa konsum, siç ka ndodhur përpara krizës globale financiare. Së fundmi, Shqipëria duhet të rrisë aksesin e vet në tregjet e jashtme, në terma intensivë dhe ekstensivë, në mënyrë që të bëhet pjesë e zinxhirit të vlerave globale.

Pavarësisht përmirësimeve të fundit, eksportet e Shqipërisë janë të ulëta krahasuar me potencialin e tyre dhe jo në nivelin e partnerëve rajonalë. Për sa u takon investimeve, analizat tregojnë se në dekadën e fundit, rritja e formimit të kapitalit është shoqëruar nga një ulje në produktivitetin e tij, pra kërkohen investime më efikase në vend. Tërheqja e investimeve të mira ka nevojë për reforma të mjedisit të biznesit, shërbime më të mira publike dhe infrastrukturë më të mirë publike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of