Investimet e huaja të cilat do të kishin më shumë impakt në zhvillimin ekonomiko-social të vendit do të ishin ato që do të ndihmonin në rritje të mëtejshme të produktivitetit në vend. Ndërsa, servirja e nivelit të lartë të papunësisë dhe pagave të ulëta të fuqisë punëtore si disa prej avantazheve më konkurruese të Shqipërisë mjafton për të joshur ato investime të huaja (si call centres, fason, etj) që kanë impakt të kufizuar në zhvillimin ekonomiko-social dhe rritjen e produktivitetit vendas. Duhet të konkurrojmë me shërbime profesionale dhe/apo teknologjike apo know-how…
Intervistë me z.Olindo Shehu Partner Deloitte Albania & Kosova
-Si e vlerësoni ecurinë e investimeve të huaja në Shqipëri dhe rëndësinë që ato kanë në zhvillimin ekonomik të vendit?
Investimet e huaja kanë një rëndësi të madhe për ekonomitë e vogla dhe në zhvillim përsa i përket kontributit që ato japin në prodhim, punësim dhe rritje të nivelit të jetesës. Ato janë një prej nxitësve themelorë të rritjes ekonomike.
Prurjet e investimeve të huaja në Shqipëri kanë pasur një rritje domethënëse gjatë 8 viteve të fundit. Vlera e këtyre prurjeve në vitin 2013 shënoi një arritje historike me një shumë prej afro 923 milionë Euro, duke përbërë 10.5% të PPB-së. Po të marrim në analizë përbërjen e investimeve të huaja sipas sektorëve vërejmë se rreth 25% e tyre përbëhet nga industria nxjerrëse e naftës bruto dhe mineraleve. Industria e hotelerisë dhe restoranteve përbën vetëm 1% të stokut të investimeve të huaja ndërsa sektori i bujqësisë rreth 0.5%. Sektori i shërbimeve, në të cilin klasifikohen edhe Call Centers përbën pothuajse 45% të totalit të investimeve të huaja në Shqipëri. Ndërsa investimet e huaja në fusha juridike, konsulencat ekonomike, shërbimet profesionale teknologjike/informatike, të cilat kërkojnë aftësi të avancuara, mungojnë plotësisht dhe për momentin nuk japin pothuajse asnjë kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit.
Qeveritë e ndryshme shqiptare, njëra pas tjetrës, vazhdojnë dhe raportojnë rritje ekonomike në vend vit pas viti, gjë që padyshim është mjaft pozitive duke marrë parasysh situatën ekonomike në rajon. Megjithatë, nuk mendoj se shqiptarët ndihen me pak të varfër nga viti në vit, pavarësisht rritjes ekonomike të raportuar gjatë këtyre viteve të fundit. Përkufizimi i termit i/e “varfër” është relativ, por në aspektin ekonomik dhe social, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend i varfër në krahasim me ekonominë dhe zhvillimin social që ne synojmë të arrijmë. Në një vend të varfër si Shqipëria, një rritje ekonomike prej 2-3% është jo vetëm e pamjaftueshme për të ndjerë impaktin në jetën tonë të përditshme, por edhe e papërfillshme në lidhje me atë zhvillim ekonomik që ne duhet të kemi për të ecur përpara drejt Bashkimit Europian.
Por çfarë roli ka patur rritja e investimeve të huaja në vend dhe pse nuk e ndiejmë më të fortë impaktin e tyre në jetën tonë të përditshme?
Fakti që niveli i produktivitetit tek ne është ndër më të ulëtit në rajon, në një kohë që kontributi i investimeve të huaja në PBB zë një nga përqindjet më të larta në rajon, do të thotë që investimet e huaja aktuale në Shqipëri nuk mjaftojnë për të rritur apo incentivuar produktivitetin e vendit. Ndonëse në përgjithësi themi që ka një lidhje pozitive ndërmjet investimeve të huaja dhe produktivitetit, duhet vënë re se niveli i lartë i produktivitetit së një vendi mund të sjellë prurje të larta të investimeve të huaja, por jo e anasjellta. Me fjalë të tjera, investimet e huaja të cilat do të kishin më shumë impakt në zhvillimin ekonomiko-social të vendit do të ishin ato që do të ndihmonin në rritje të mëtejshme të produktivitetit në vend. E këto lloj investimesh, mund të tërhiqen vetëm duke pasur paraprakisht një produktivitet të lartë në vend dhe nëpërmjet shtimit të kapitalit të huaj të rritet produktiviteti dhe të synohet akses në një treg konsumi më të madh se ai vendas. Ndërsa, servirja e nivelit të lartë të papunësisë dhe pagave të ulëta të fuqisë punëtore si disa prej avantazheve më konkurruese të Shqipërisë mjafton për të joshur ato investime të huaja (si call centres, fason, etj) që kanë impakt të kufizuar në zhvillimin ekonomiko-social dhe rritjen e produktivitetit vendas.
Pra ju mendoni se për të tërhequr investime të huaja në fillim ne duhet të rrisim produktivitetin në vend dhe jo anasjelltas?
Patjetër që po. Rritja e prodhimit vendas, në çfarëdo industrie apo sektori ekonomik, do të joshnin ato investime të huaja, të cilat janë të interesuara tek prodhimtaria vendase dhe të gatshëm për të investuar më tej në fuqi kapitale, know-how më të specializuar dhe duke i dhënë akses prodhimit shqiptar në tregje më të mëdha. Shpjeguar ndryshe, një fermer shqiptar i sukseshëm që prodhon një produkt të caktuar (për shembull vajin e ullirit) është shumë herë më tërheqës për një investitor të huaj që me fuqi financiare dhe ekspertizë mund të ndihmojë për të patur një prodhim më të madh, me cilësor dhe më të marketueshëm në tregjet europiane. Një investim i tillë e shumëfishon prodhimin vendas dhe zhvillon ekonominë në tërësi sepse së bashku me fermerin në fjalë, është një zinxhir i tërë furnitorësh që do të përfitonin nga rritja e këtij prodhimi. Ndërsa kur investimi juaj është i fokusuar tek shfrytëzimi i krahut të lirë të punës në Shqipëri por mban përfitimet nga ky shfrytëzim jashtë territorit të Shqipërisë, na ndihmon sepse krijon vende pune, por impakti në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit mbetet i limituar dhe i pamjaftueshëm.
Si e vlerësoni klimën e biznesit te fokusuar tek investimet e huaja kryesisht?
Sipas indeksit te lirisë ekonomike të vitit 2015, Shqipëria pësoi rënie nga viti i kaluar dhe kjo rënie është e lidhur me dobësimin e lirisë fiskale. Megjithatë, vlerësimet me te ulëta vazhdojnë të jenë në drejtim të korrupsionit dhe të së drejtës së pronës. Sipas “Doing Business in Albania, 2015”, bizneset në Shqipëri kryejnë rreth 50 pagesa në vit në lidhje me taksat, shpenzojnë 357 orë në vit për të përgatitur dosjen deri në procesin e fundit të pagesës dhe paguajnë një total taksash prej 30.7% të fitimit të tyre. Një lajm i tillë, patjetër që nuk na ndihmon për të tërhequr investime të huaja serioze apo për të ndihmuar kompanitë vendase të zhvillohen më shumë.
-Me rritjen e barrës fiskale dy vitet e fundit a rrezikon Shqipëria të humbasë konkurrencën rajonale në IHD?
Pavarësisht se rritja e taksave nuk ndihmon për të joshur investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri, mendoj se nuk na penalizon në lidhje me ato investime të huaja që ne do të donim të terhiqnim, sepse edhe me regjimin fiskal aktual ne jemi shumë herë më ulët se regjimet fiskale të vendeve të origjinës së këtyre investimeve te huaja. Është implementimi i legjislacionit tatimor, cilësia e institucioneve shtetërore, politikat fiskale dhe incentivuese dhe procedurat lehtësuese të të bërit biznes në Shqipëri ato çfarë mund të na bëjnë më pak apo më shumë konkurrues në rajon për sa i përket investimeve të huaja.
-Në kontaktet tuaja me investitorët çfarë pengesash ekstra kanë ata në zhvillimin e investime në vendin tonë?
Pengesat që investitorët e huaj, por edhe ata vendas hasin në Shqipëri janë të ndryshme dhe në varësi të industrisë ku ato operojnë. Megjithatë, në menyrë të përgjithshme cilësia e institucioneve qeveritare mbetet veçanërisht e rëndësishme për vendet në zhvillim si Shqipëria pasi niveli i ulët i tyre rrit korrupsionin duke sjellë rritjen e kostos së investimit dhe uljen e fitimit. Rrjedhimisht kjo rrit edhe pasigurinë tek investitorët e huaj. Funksionimi i gjyqësorit, korrupsioni, të drejtat e pronësisë, procedurat burokratike, sistemi fiskal dhe sigurimi i lejeve të planifikimit dhe ndërtimit janë sektorë thelbësorë për investimet e huaja dhe vazhdojnë të mbeten sektorët më problematikë në Shqipëri. Nëse qeveria nuk ndërmerr reforma strukturore konkrete për adresimin e këtyre problemeve, investimet e huaja në Shqipëri mund të vazhdojnë të mbeten në baza projektesh, sporadike, dhe jo në funksion të ndonjë strategjie konkrete me ndikim domethënës në zhvillimin ekonomik të vendit.
Pengesat
Funksionimi i gjyqësorit, korrupsioni, të drejtat e pronësisë, procedurat burokratike, sistemi fiskal dhe sigurimi i lejeve të planifikimit dhe ndërtimit janë sektorë thelbësorë për investimet e huaja dhe vazhdojnë të mbeten sektorët më problematikë në Shqipëri. Nëse qeveria nuk ndërmerr reforma strukturore konkrete për adresimin e këtyre problemeve, investimet e huaja në Shqipëri mund të vazhdojnë të mbeten në baza projektesh, sporadike, dhe jo në funksion të ndonjë strategjie konkrete me ndikim domethënës në zhvillimin ekonomik të vendit.
-Shqipëria njihet për krahun e lirë të punës, por a është njësoj konkurruese ne know how?
Absolutisht jo, pavarësisht që i kemi të gjitha mundësitë për të qenë konkurruese edhe në lidhje me shërbime profesionale dhe/apo teknologjike apo know-how. Por, fillimisht duhet që t’i zhvillojmë këto ekspertiza. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë mundëson akses në tregun e Europës Perëndimore, që përbën edhe një avantazh konkurrues në rajon për eksportin e produktit shqiptare (agrikulturë, industri e lehtë, shërbime profesionale dhe teknologjike, etj.), për zhvillimin e turizmit detar dhe malor dhe “importimin” e njohurive, eksperiencës dhe know-how që na mungojnë në shumicën e industrive që duam të zhvillojmë. Një nga shembujt më të mirë të shfrytëzimit të shërbimeve profesionale dhe teknologjike vjen nga Estonia, një vend i vogël me karakteristika shumë të ngjashme me Shqipërinë, shndërruar tashmë në një “lojtar” tregu të rëndësishëm në lidhje me ofrimin e shërbimeve të specializuara dhe produkteve në fushën teknologjike. Bazat u hodhën që prej viti 1992 kur Mart Laart, kryeministri i Estonisë mori një sërë reformash incentivuese, politika fiskale lehtësuese, dhe privatizimet e duhura kundrejt një strategjie konkrete në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Pjesë e kësaj strategjie ishte edhe edukimi i brezave dhe fokusi ndaj zhvillimit të sektorit teknologjik. Në vitin 1998, qeveria e Estonisë ndërmori një projekt mbarëkombëtar për të pajisur klasat me kompjuter dhe për lidhjen e të gjithë shkollave online. Vitin e kaluar, në një bashkëpunim publik dhe privat, u prezantua një program për t’i mësuar 5-vjeçareve bazat e kodimeve te programeve. Këto janë nisma që mbase duken të vështira për Shqipërinë, por vështirësia më e madhe qëndron në konfuzionin që kanë të rinjtë shqiptarë në lidhje me edukimin apo të ardhmen e tyre profesionale. Si pasojë e këtij konfuzioni dhe mungesës së një shtyse konkrete prej qeverive shqiptare kundrejt sektorëve të veçantë, të cilët mund të kontribojnë në zhvillimin e vendit, shumica e të rinjve shqiptarë vazhdojnë edukimin e tyre të lartë pa patur ndonje ide të qartë në lidhje me të ardhmen e tyre profesionale. Kjo duket qartë kur pjesëmarrja me e madhe e studentëve është kryesisht në Fakultetin Juridik dhe Fakultetin Ekonomik, pavarësisht se këto dy fusha nuk janë duke patur ndonjë zhvillim të veçantë apo të garantojnë vende pune dhe zhvillim profesional të sapodiplomuarve. Siç mbase shumë njerëz mund ta dinë, Skype është zhvilluar në Estoni dhe vetëm nga shitja e Skype tek eBay në vitin 2005, për një vlerë prej 2.6 miliardë dollarësh, u krijua një klasë e re investitorësh në Estoni, të cilët fituan dhjetëra miliona Euro nga aksionet e tyre dhe vunë përvojën dhe të ardhurat e tyre në mirë-përdorim dhe zhvillim të mëtejshëm të kësaj industrie. Dhe kjo industri e zhvilluar në Estoni, patjetër që nuk është në shërbim vetëm të tregut Estonez por atij ndërkombëtar, duke filluar nga vendet e zhvilluara fqinje të Estonisë. Nëse të rinjtë shqiptarë, do të ishin të orientuar ndaj fushave të caktuara të cilat me zhvillimin përkatës mund t’i ofroheshin edhe tregut të Europës Perëndimore, Shqipëria mund të fillonte t’i ngjasonte Estonisë edhe në lidhje me zhvillimin ekonomiko-social dhe jo vetëm numrit të popullsisë apo sipërfaqes gjeografike.
-A keni ju propozime për qeverinë së çfarë duhet të ndryshojë për më mirë si nga ana fiskale ashtu edhe në klimën e biznesit?
Duke bërë reformat e duhura për të adresuar problemet aktuale që kemi në lidhje me procedurat dhe cilësinë e institucioneve shtetërore, sistemin arsimor dhe ligjor; duke pasur një strategji konkrete në lidhje me tërheqjen e investimeve të huaja dhe llojit të tyre, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të ketë rritje ekonomike të niveleve më të larta, më të ndjeshme në jetën tonë të përditshme dhe që do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik e social të vendit tonë. Pothuajse të gjitha faktet dhe argumentat e përmendura më sipër nuk janë të padegjuara meë parë dhe aq me pak të krijuara nga unë. Shembulli i Estonisë nuk është i vetmi. Politikat apo reformat që duhen zbatuar për të rritur investimet e huaja në vend nuk janë të reja e nuk kanë nevojë që politikëbërësit në Shqiperi të krijojne diçka të re. Mendoj se ka ardhur koha të fillojmë e të marrim masa konkrete drejt një Shqipërie më të zhvilluar duke pasur një vizion afatgjatë dhe objektiva domethënëse.
Nga pikëpamja fiskale ne kemi bërë shumë propozime, por ajo çfarë mendoj se do të bënte një revolucion në lidhje me legjislacionin fiskal është çertifikimi i deklaratave tatimore prej kompanive audituese të liçencuara për këto çertifikime. Realizimi i çertifikimit të deklaratave tatimore mund të shërbejë si një prej faktoreve kyç në rritjen e të ardhurave tatimore, përmirësimin e aplikimit te ligjeve fiskale në Shqipëri, rritjen e besueshmerisë për bizneset e huaja dhe ato vendase lidhur me investimet në Shqipëri, dhe një masë shumë e mirë parandaluese e korrupsionit pasiv dhe aktiv.
Kontrolli tatimor, i kryer në funksion të çertifikimit të deklaratës tatimore nga palë të treta të liçencuara prej Ministrisë së Financave dhe subjekt i plotësimeve të kritereve të përcaktuara prej kësaj Ministrie, do të mundësonte një rritje të konsiderueshme kontrolli ndaj subjekteve private duke mos shtuar asnjë kosto për Administratën Tatimore si dhe duke mos konsumuar asnjë prej burimeve aktuale të Administratës Tatimore. Kjo do të siguronte uljen e riskut ndaj shmangies tatimore nga këto subjekte si dhe automatikisht do të kishte ndikim në uljen e informalitetit në ekonominë shqiptare. I gjithë ky proces që do të ketë ndikim në uljen e ekonomisë informale, uljen e shkallës së korrupsionit, dhe stabilitet financiar, unifikimin e zbatueshmërisë së legjislacionit tatimore në rang vendi, do të rriste reputacionin e vendit para BE-së dhe para shteteve që janë të interesuara të investojnë në vendin tonë. Pra ngritja e besueshmërisë fiskale, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikonte edhe në rritjen e investimeve të huaja në vendin tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.