Shqipëria renditet si shteti i vetëm i Europës që ka shënuar rritje të fluturimeve në javën 24 shkurt deri në 2 mars në raport me periudhën e parapandemisë.
Të dhënat janë bërë të ditura në buletinin javor të Eurocontrol, institucionit europian që rregullon fluturimet ajrore të Europës.
Vetëm Shqipëria shënoi rritje të fluturimeve me 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të parapandemisë. Për Armeninë dhe Bosnjën, tkurrja ishte përkatësisht -7 dhe -8%, ndërsa tek të gjitha shtetet e tjera, rënia ishte dy shifrore.
Tkurrja më e lartë u shënua për Ukraninën, që nuk realizoi asnjë fluturim në javën në fjalë, për shkak të luftës, e ndjekur nga Moldavia, me rënie 88%, ndërsa nuk raportohen të dhëna për Rusinë (shih grafikun në fund).
Sipas Eurocontrol, në shkurt 2022, trafiku i fluturimeve ishte sa 71% e të njëjtës periudhë të vitit 2019.
Gjatë javës së kaluar, Ryanair ishte operatori më i ngarkuar i avionëve me 1,959 fluturime në ditë mesatarisht, i ndjekur nga easyJet (1,118), Turkish Airlines (1,001), Air France (830), Lufthansa (797) dhe KLM (634).
Trafiku i brendshëm kundrejt 2019 për Europën ka rënë me -25%, SHBA-të me -11%, Kina, me-21% dhe Lindja e Mesme (-5%).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.