Në shkurt të këtij viti një projektligj “Për të huajt” u bë pjesë e diskutimit publik. Kjo vinte edhe në kushtet kur vetëm pak kohë më parë kreu i qeverisë deklaroi se punësimi i të huajve në vendin tonë nuk ishte i pamundur dhe që vjen si efekt i migracionit dhe tendencave globale.
Në relacionin që shoqëron projektligjin sqarohet se janë bërë disa ndryshime ku bie në sy lehtësimi i procedurave për punësimin e të huajve.
Por një tjetër element shumë i rëndësishëm duket se është ai i lejes së posaçme për pensionistët. Aktualisht fenomeni i pensionistëve të huaj që kanë ardhur të pleqësojnë në Shqipëri për shkak se këtu mund të përballojnë një standard më të mirë jetese me të ardhurat e tyre nuk është i panjohur. Në Durrës ka me dhjetëra raste të tilla kryesisht italianë por edhe me kombësi të tjera.
Konkretisht, sipas relacionit, për herë të parë parashikohet “leje qëndrimi për pensionistë, leje e cila do të mbulojë një hendek të ligjit aktual për të huajt, duke u siguruar shtetasve të huaj që janë në pension në vendin e tyre, mundësinë për të aplikuar për një leje qëndrimi për pensionistë, pranë autoritetit përgjegjës për kufirin dhe migracionin në Republikën e Shqipërisë, nëse preferojnë vendin tonë si një destinacion për të jetuar”
Neni për lejqëndrimin e pensionistëve
Në projektligjin “Për të huajt” neni 85 është ai që përfshin detajet mbi lejen e qëndrimit të këtyre të fundit.
“1. Shtetasit e huaj që janë në pension në vendin e tyre, mund të aplikojnë për një leje qëndrimi për pensionistë, pranë autoritetit përgjegjës për kufirin dhe migracionin në Republikën e Shqipërisë.
2. Autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin e pajis të huajin me “leje qëndrimi për pensionistë” me afat deri në 1 vit, për herë të parë, në rastet kur shtetasi i huaj është me qëndrim të ligjshëm në RSH dhe:
a) Provon se ka të drejtë për të ardhura vjetore nga pensioni minimalisht deri në vlerën 1 200 000 lekë, nëpërmjet dokumentave të lëshuara nga vendi i origjinës dhe të legalizuara nga një noter publik;
b) Provon se ka të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur veten dhe personat në ngarkim gjatë qëndrimit në RSH;
c) Vërteton nëpërmjet dokumentave të lëshuara nga një bankë në RSH, që ka një llogari të vlefshme bankare, në të cilën do të bëhen transferime të rregullta të pensionit të tij/saj;
d) Zotëron dëshmi të akomodimit dhe adresës në RSH;
e) Ka një policë të sigurimit shëndetësor të vlefshme për të paktën 1 vit;
f) Zotëron një certifikatë/dëshmi penaliteti, nga vendi i tij i origjinës, ku detajohet nëse ka apo jo një rekord penal.
3. Leja e qëndrimit për shtetasin e huaj në pension mund të rinovohet çdo vit, në rast se i huaji vazhdon ti përmbushë kriteret e pikës 2, të këtij neni.
4. Mbajtësi i një leje qëndrimi të dhënë në bazë të pensionit jashtë vendit, mund të kërkojë bashkim familjar në Republikën e Shqipërisë për bashkëshortin ose partnerin e tij/saj jo në pension.
5. Leja e qëndrimit për pensionistë nuk i jep të drejtën të huajit të kryeje asnjë lloj aktiviteti ekonomik ose profesional në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet në këtë nen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.