Shqipëria jashtë dyerve

28/05/2019 2:36 PM 0 komente

Natyra shqiptare ka bukuri të pafundme, nga Veriu në Jug. Mes ngjitjeve në mal, ujëvarave, lumenjve, liqeneve, rafting në kanione e ushqimeve bio, adrenalina e “Shqipërisë jashtë dyerve” po tërheq vëmendjen e turistëve vendas e të huaj

 

Nga Deada Hyka

 

Një ditë e zakonshme e javës së Anxhelës është të mbërrijë herët në mëngjes për mbledhjen e redaksisë në televizionin ku punon. Pasi pi kafenë e mëngjesit, nis dita intensive e punës në kërkim të lajmit kulturor, sektor të cilin e mbulon prej 6 vitesh. Por, më shumë aktive duket se bëhet fundjava e saj. Prej dy vitesh, çdo fundjavë e gjen Anxhela Devole në kërkim të aventurave në destinacione të ndryshme në Shqipëri.
Kur mendojmë për “pushime”, mendja jonë shkon te plazhet me rërë të bardhë dhe ditët e kaluara duke pushuar në diell. Por gjatë pesë viteve të fundit, një trend i ri ka ndryshuar edhe turizmin shqiptar.

Qëndrimi në shezlong duke marrë rreze, duket se ka dalë ‘jashtë mode’.Vetëm një dekadë më parë, udhëtimi në vende të largëta për të marrë pjesë në veprimtari si zhytja, ngjitja në mal ose hedhja me parashutë ishte ‘territori i vetëm’ i njerëzve të guximshëm dhe atyre që i quanim ‘backpackers’.
Rritja e dëshirës për aventurë “jashtë dyerve” vjen kryesisht nga brezi i ri, por jo vetëm. Ajo që dikur ishte një alternativë, sot është bërë aktivitet i zakonshëm.

Ndërsa shqiptarët kërkojnë përvoja të reja dhe të ndryshme, turizmi i aventurës vazhdon të rritet dhe të ketë popullaritet.
Turizmi i aventurës, me të gjithë aktivitetet që përfshin, ka të bëjë me lidhjen me një kulturë të re ose një peizazh të ri dhe duke qenë fizikisht aktiv në të njëjtën kohë, thotë Neritan Ibi, drejtues i “My Albania Nature Explorers”. Ai shton se aktivitetet e aventurës nuk kanë të bëjnë me rrezikun apo arritjen e kufijve tuaj. Përkundrazi, të argëtohesh duke kryer aktivitet fizik, që për Neritanin, është shumë e rëndësishme që guida profesionale të ofrojë sigurinë maksimale.

“Në fakt, është veçanërisht e rëndësishme të njihni dhe të respektoni kufijtë tuaj derisa jeni në një zonë të panjohur. Lista jonë e aktiviteteve të turizmit të aventurës ka shumë opsione nëse nuk jeni domosdoshmërisht një kërkues i emocioneve të rrezikshme. Nëse kërkoni adrenalinë, ka përsëri alternativa” – thotë Neritani, i cili shton se aktiviteti i agjencisë së tij është në rritje, duke qenë se kërkesat shtohen.

Ismail Hoxha, drejtues i “Discover Albania”, shprehet se tregu në vetvete ka pasur rritje, çka do të thotë se njerëzit kanë filluar që ta duam më tepër turizmin, të duan më tepër Shqipërinë. “Ndryshe nga më parë që, edhe n.q.s. konceptohej çështja e fenomenit turizëm, lidhej me turizëm jashtë kufijve dhe jo të udhëtoje në Shqipërinë tonë të bukur. Nga ana tjetër, një faktor që ka ndikuar vitet e fundit tek ne është dhe pjesa e ‘incoming’. Duke qenë se dy-tre vitet e fundit jemi bërë pjesë e panaireve dhe aktiviteteve të ndryshme për promovimin e Shqipërisë, edhe ne si ‘Discover Albania’ po nis të na kthehet feedback-u i panaireve dhe këtyre takimeve”, – shprehet ai.

Artan Gaziu, drejtues i “Hiking Adventures Club Albania”, thotë për “Monitor” se, mbështetur në përvojën e agjencisë, ka vënë re se si efekt i rrjeteve sociale, po shtohet dëshira dhe kërkesa për të provuar aktivitete të turizmit të aventurës. Artani, i cili është njëkohësisht edhe guidë e certifikuar, shprehet se është rritur interesi “hiking” dhe “safari” dhe se destinacionet e shumta dhe të larmishme, po i japin më tepër mundësi të gjithë njerëzve që të zgjedhin llojin e aktivitetit që dëshirojnë që të kryejnë.

“Interesi është shumë i madh, sidomos për grupe të caktuara që bëjnë hiking (ngjitje në mal) të organizuar. Për shembull ka disa destinacione që po konsolidohen, siç është ai për në Curraj të Epërm. Ky udhëtim është i gërshetuar edhe me ndalesa ku mund të shihen pika të caktuara kulturore, historike ose monumente të natyrës. Destinacioni i Currajt zgjat 5 orë me pushime dhe itinerari kalon përmes Liqenit të Komanit dhe kthimi në Lekbibaj, më pas në Curraj të Poshtëm dhe pastaj për në Curraj të Epërm. Të dy këto lidhen me një shteg. Nga aty mund të dalësh ose në Valbonë ose Theth. Ka si turistë shqiptarë edhe të huaj, si çekë, polakë, francezë, gjermanë. Blerina Ago, anëtare ekzekutive e Federatës Botërore të Rafting, thotë se Shqipëria është një destinacion në rritje i turizmit dhe duke qenë i tillë, ka mundësi dhe për zhvillimin e turizmit të aventurës.

“Gjatë 2018 patëm një rritje vjetore për rreth 16%. Shqipëria ka qenë në artikujt e mediave prestigjioze botërore dhe e vlerësuar pikërisht si destinacion i turizmit të aventurës dhe përvojave autentike. Arsyet kryesore pse të huajt zgjedhin Shqipërinë janë trashëgimia e pasur natyrore, kulturore dhe eksplorimi i tyre nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme si ecjet në natyrë, kanotazhi, çiklizmi, rafting, paravela etj. Turistët zbulojnë shijet autentike të kulinarisë nëpërmjet tureve pranë fermave, shtëpive pritëse karakteristike nga Veriu në Jug apo mësojnë gatimin e pjatave tipike shqiptare. Kam bindjen se Shqipëria është gati të mirëpresë pikërisht turistët aktivë, të cilët janë fleksibël për sa u përket zhvillimeve infrastrukturore të vendeve pritëse, por janë tepër kërkues për të përjetuar tradita të veçanta. Ballkani Perëndimor vitet e fundit është renditur si destinacioni i radhës i aventurës në botë”,- thotë ajo.

Në përvojën e saj si turiste e aventurës, Anxhela thotë se aventura, është turizmi më i bukur dhe që i përshtatet më së shumti Shqipërisë sonë të mrekullueshme, për ta eksploruar e për ta shëtitur përpara se të zgjedhim të udhëtojmë jashtë vendit. Sipas saj muajt prill – maj e më pas është koha perfekte për të nisur aventurat.

“Vite më parë, kam qenë disi më e tërhequr, por sa herë ‘zbuloja’ një vend, nxitesha të gjeja një tjetër, e kështu nisa të jem frekuentuese e natyrës dhe aventurës. Tashmë fundjavat i përkasin shëtitjeve jashtë Tiranës, jo gjithmonë, për shkak të angazhimeve profesionale”, – shton ajo.
“Së fundmi, u bëra pjesë e festivalit tashmë traditë, ‘South Outdoor’, dhe me përshtypjet më të mira për organizimin në çdo detaj, ju rrëfej se sportet më të bukura i bëra aty. Jeep Safari dhe Scuba Diving me stafin e përkushtuar të ‘Albania Adventure’ ishte një mrekulli. Të lëkundeshe në rrugën e pashtruar, thuajse të pakalueshme nga automjetet e zakonshme, për tre orë, vetëm për të mbërritur në bujtinën mbi kanione, në ballkonin e famshëm në Nivicë, ishte një aventurë super që, vetëm në shoqëri të mirë mund ta shijosh.

Zhytja pastaj është sport i dashur për mua. Më duhet ta pranoj, që sa herë, më duket gjithmonë sikur zhytem për herë të parë. Ka një lloj frike, një lloj paniku, por me instruktorin profesionist, Ilir Bako, me të cilin jam zhytur dy herë, ndien siguri dhe je gati për te eksploruar botën nënujore. 20 minutat të duken orë…

Për të mbërritur te parashutizmi, që mendoja se ishte frikë shumë e madhe, ishte gjëja më e bukur që kam provuar. Adrenalinë, peizazh i mrekullueshëm, midis qiellit dhe detit, më në fund plotësohet ëndrra e gjithkujt për të ‘fluturuar’. Edhe stafi i Aeronautika Shqiptare, me spontanitet dhe mjaft delikatesë, kontribuojnë për një udhëtim relaksues dhe paqësor në ajër, sigurisht edhe të sigurt. Ecjet dhe shëtitjet me biçikletë nuk dua t’i klasifikoj si aktivitete, sepse janë pjesë e imja tashmë, por së shpejti dua të provoj edhe Climbing dhe Kayak.

 

Problematika

Turizmi i aventurës ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga moti. Neritan Ibi nga “My Albania Nature Explorers”, thotë se fillimi i këtij viti nuk ka qenë shumë i favorshëm sa u përket kushteve atmosferike, duke marrë në konsideratë se duke nisur nga marsi, kanë qenë muajt më të lagësht krahasuar me vitet e tjera. “Kjo i ka penguar në kryerjen e itinerareve të paketave të menduara më parë dhe ka frenuar interesin e shqiptarëve. Një tjetër problem, sipas tij, është rritja e kostove për lajmërimet e paketave. “Ne punojmë shumë me rrjetet sociale, në Facebook dhe Instagram. Por, kemi vënë re se në Facebook ka rënë shumë shikueshmëria.

Njoftimet bëhen përmes artikujve të sponsorizuar, për të cilët kemi kosto, që arrijnë deri në 300 dollarë në javë. Deri diku është e pashmangshme, sepse rritet aktiviteti, si dhe pagesat”, – thotë ai. Artan Gaziu thotë se problematika kryesore është infrastruktura. “Duhet të investohet sepse vetëm kështu mund të arrihet në destinacionet e preferuara, që ndodh të jenë të pazbuluara pikërisht për këtë shkak. Me kalimin e muajve, për shkak të kushteve atmosferike, ka shtigje që mbyllen. Duhet një koordinim i mirë mes pushtetit vendor dhe atij lokal, që të mirëmbajnë këto destinacione, të cilat nxisin ekonominë lokale, si dhe shtojnë alternativat e turizmit edhe për të huajt. Kudo në botë këto aktivitete janë shumë të shtrenjta, mund të them se Shqipëria i ka edhe më të lira se sa rajoni”-tha në fund ai.

Ismail Hoxha thotë se problem në këndvështrimin e tij është mungesa e transparencës nga operatorët në ofrimin e paketave të plota.
“Mendoj se duhet të tregohemi më të kujdesshëm që t’i shprehim më mirë e më qartë këto destinacione që bëjmë. Në njëfarë mënyre të mos bëjmë me ‘hile’, duke promovuar gjëra që nuk janë vërtet për t’u promovuar e të bëjmë paketa të plota për turistët. Është e rëndësishme që kur hartojmë një paketë të mos fokusohemi te fakti që turisti ta blejë këtë paketë, por të kujdesemi më shumë që turisti kur të vijë atje dhe të kënaqet. Ky duhet të jetë fokusi edhe i kompanive të tjera për të pasur një shërbim sa më të mirë”, – shprehet z. Hoxha.

 

Destinacion botëror

Blerina Ago thekson, se në bazë të përvojës së saj, tre janë faktorë kyç të cilët do na shndërrojnë potencialin e jashtëzakonshëm që ka Shqipëria në mundësi reale të zhvillimit të ekonomisë lokale.

-Mundësitë e larmishme të rekreacionit/aktiviteteve argëtuese. “Ne kemi ende punë për të bërë, për të zhvilluar produktet turistike të sigurta dhe me standarde ndërkombëtare, duke i bërë këto vende lehtësisht të arritshme për turistët dhe plot aktivitete për t’u argëtuar, nëpërmjet certifikimit dhe promovimit të itinerareve turistike dhe të sigurta. Shqipëria nuk e ka luksin të rrezikojë me imazhin e saj dhe siguria e jetës së turistit është thelbësore për një turizëm afatgjatë”, pohon Ago.

-Aftësia për të rekrutuar dhe për të mbajtur një fuqi punëtore të shëndetshme, të aftë dhe produktive. “Me dhimbje jemi dëshmitarë të emigrimit të të rinjve çdo ditë nga vendlindja dhe zonat rurale dhe kjo gjë e kërcënon seriozisht trashëgiminë dhe ekonominë lokale”, shton ajo. Edukimi në turizëm duhet të jetë ftues për të gjithë të rinjtë që duan të bëjnë një ndryshim pozitiv për Shqipërinë.

– Një mjedis pro-biznesi dhe paketë konkurruese e taksave. Kostoja e të ofruarit turizëm në Shqipëri duhet të jetë sa më e ulët, në mënyrë që tërhiqen investitorë dhe të nxiten investimet në turizëm. Qeveria është duke ofruar lehtësi dhe subvencione për të gjithë personat që kanë marrë guximin të investojnë në një industri të brishtë si turizmi, duke krijuar një ekosistem funksional zhvillimi dhe rritje në këtë drejtim. Nëpërmjet një koordinimi midis gjithë sektorëve, të cilët lidhen me turizmin, duhet të nxitet klima e start-up/sipërmarrjeve të reja, duke mbështetur të gjitha sipërmarrjet inovative dhe me projekte miqësore me mjedisin. Ajo rekomandon që duhet punuar në rritjen e cilësisë së shërbimit të bizneseve dhe të ofrimit të mundësive të argëtimit në çdo cep të Shqipërisë, duke i sjellë turizëm 12 muajt e vitit, e duke i shkëputur nga model i fitimit afatshkurtër, kryesisht gjatë një sezoni të shkurtër veror.

 

Kostot dhe frekuentuesit

Blerina Ago pohon se është e vështirë të flasësh për kosto, pasi aktivitetet e aventurës janë nga më të thjeshtat si p.sh., ecjet nëpër parqet kombëtare apo monumentet e natyrës e deri në ato që kërkojnë më tepër angazhim si për sa i përket profesionalizmit të guidave edhe përfshirjes së pajisjeve sportive. “Krahasuar me aktivitete të të njëjtit standard në Europë, çmimet tona janë 2-3 herë më ekonomike. Paketave janë konkurruese dhe ftuese për ekploratorët në kërkim të destinacioneve jo masive dhe jo shumë turistike. Turizmi i aventurës duhet të ndërlidhë të paktën 2 nga 3 elementet si ndërveprinmi me mjedisin, shkëmbim kulturor dhe aktiviteti fizik. Nga studimet e kryera nga Organizata Botërore e Turizmit, turistët kërkojnë gjithnjë e më shumë pushime aktive dhe marrjen e përvojave autentike duke u angazhuar me banorët e zonës dhe duke mbështetur komunitetin lokal” -thotë ajo.

Blerina shton, se sa i përket frekuentimit, për shqiptarët ky lloj turizmi është trend dhe shumë të rinj në botë të mijëvjeçarit të ri (millennialls) po e kthejnë në stil jetese të pushuarit aktiv. Grupi më i madh i turistëve të aventurës (41%) janë midis moshave 50-70 vjeç. 21% janë të moshës 41-50 vjeç; 17% të moshës 29-40 vjeç. 14% janë nën moshën 28 vjeç dhe 6% mbi moshën 70 -vjeçare. Për sa i përket një mesatare globale, mosha mesatare e klientit të udhëtimit aventurë është 49 vjeç. 51% janë gra dhe 49% burra.

Sipas studimit të “Adventure Travel Trade Association”, 37% e turistëve të aventurës kanë të paktën një diplomë katërvjeçare, 11% kanë një diplomë profesionale dhe të ardhurat mesatare individuale të një udhërrëfyesi aventurash janë 41900 euro në vit. Ju nuk duhet domosdoshmërisht të hidheni me parashutë nga avioni apo të zhyteni me peshkaqenët për të qenë një turist aventure (edhe pse këto aktivitete bëjnë pjesë te turizmi i aventurës).

 

Sezon 365 ditë

Ajo për të cilën të gjithë tur-operatorët bien dakord është që turizmi i aventurës nuk është sezonal, përkundrazi mund të shtrihet fare mirë gjatë gjithë vitit. Dhe kjo, për disa arsye. E para, për shkak të faktit që Shqipëria ofron shumë aktivitete duke qenë se ka në gjeografinë e saj shumë destinacione të përshtatshme. Dëborën në dimër, eksplorimin, hiking në pranverë vjeshtë, si dhe zhytjen në verë.
Blerina Ago shton, se potencialet janë të jashtëzakonshme për t’u shndërruar në një destinacion i klasit botëror të aventurës. Gjithashtu duke lidhur turet me vendet e tjera të rajonit, rriten mundësitë për të qenë më konkurrues.

“Ne kemi qenë me fat dhe kemi mirëpritur shumë turistë dhe udhëtarë nga e gjithë bota gjatë viteve të fundit. Çdo herë i pyesim “Përse Shqipëria?” dhe përgjigjja e tyre e sinqertë është thuajse e njëjtë, “Është ndryshe, e shumëllojshme, është si të udhëtosh në kohë”. Shqipëria është destinacioni i fundit i pashkelur në Europë, duke ofruar pothuajse gjithçka që mund të ofrojë natyra, kultura dhe trashëgimia, dhe ashtu si shumë parqe arkeologjike të vendit, ne duam të zbulohet me kujdes, pak nga pak, duke ruajtur atë që na është trashëguar. Pas zgjimit të kuriozitetit të gjithë botës për Shqipërinë, na takon tani të tërheqim “turistët me vlerë të lartë” – vizitorët që do të qëndrojnë më gjatë dhe do të shpenzojnë më shumë se mesatarja e turistëve dhe për faktin që ata vijnë gjatë periudhave të sezonit të ulët të fluksit të turistëve dhe janë të pritur të eksplorojnë destinacione më pak të populluara”, – thotë ajo.

 

Tregu botëror

Tregu i turizmit global të aventurës vlerësohet në 444.850 milionë dollarë në vitin 2016 dhe parashikohet të arrijë në 1.3 trilionë dollarë në vitin 2023, duke regjistruar një rritje prej 17.4%. Zhvillimi i sektorit të udhëtimit dhe turizmit nxit rritjen e tregut të turizmit aventurë.
Turizmi aventuror është rritur në mënyrë eksponenciale në mbarë botën gjatë viteve të fundit, pasi udhëtarët janë të prirë për të vizituar destinacionet e pazbuluara.

Për më tepër, me rritjen e ndjeshme të nismave qeveritare në formën e Partneritetit Publik dhe Privat për të promovuar turizmin, ka nxitur rritjen e tregut global të turizmit aventurës. Megjithatë, rreziku i përfshirë në aventura që udhëtojnë dhe kushtet e paparashikuara të motit pengojnë rritjen e tregut. Anasjelltas, rritja në trendin e rrjeteve sociale pritet të ofrojë një mundësi fitimprurëse për rritjen e tregut, pasi Facebook është bërë vendi i preferuar i rrjeteve sociale midis udhëtarëve për të prenotuar destinacione të ndryshme.

 

 

DESTINACIONE / Shqipëria jonë jashtë dyerve. Çfarë ofron?

 

Krahina e Kurveleshit

Krahina e Kurveleshit ka sipërfaqe të përgjithshme prej afro 70 km². Është zonë malore, e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë të kretakut e pjesërisht nga flishi, me reliev të lartë e të ashpër në pjesën më të madhe të tij, që në Kurveleshin e Sipërm merr karakterin e një rrafshnalte shumë të copëtuar nga përrenjtë me shtretër të thellë e gryka të ngushta në trajtë kanionesh (deri 150 m të thella), rrëpirash e humnerash (si në Nivicë, Lekdush etj.).

Ujëvara e Sotirës

Një nga perlat e natyrës ka nisur të eksplorohet nga turistë vendas e të huaj. Ujëvara e Sotirës ndodhet rreth 22 kilometra larg Gramshit dhe për të arritur në zonën e ujëvarës duhet të ecësh rreth 1 orë në këmbë nga fshati Sotirë nga ku ka marrë dhe emrin ujëvara. Në verilindje të Tomorit, ndodhet burimi i madh që vjen nga një e çarë gjatësore në shkëmbin gëlqeror të thepisur. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5 metra deri 20 metra lartësi. Peizazhi i shpatit ku uji del, në mes të pyjeve e pemëve të lisit, është i mrekullueshëm. Zhurma e ujit mund të dëgjohet shumë larg.

Lumi i Shalës

Lumi i Shalës është lumi i cili buron rrëzë Alpeve Shqiptare. Ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Dri, buron te kroi i Shtrazës në krye të fshatit Theth, në rrëzë të majës së Radohinës, nga ku zbret poshtë nëpër luginë të Shalës, nga Thethi, Ndërlysa e Musha, nga Breg-Lumi tek Porta e Shalës (Gryka e Rrshqëmit), nëpër Lotaj e në luginën e Shoshit, derisa derdhja e tij shkon në Lesniqe në Dri (sot liqeni Koman). Lumi i Shalës është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më i përhapuri është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin me dorë. Në lumin e Shalës gjendet një bukuri e rrallë, e cila vështirë të thuhet vetëm me fjalë.

Syri i Ciklopit

Syri i Ciklopit, ose siç i thonë ndryshe Gjurma e Ciklopit, ndodhet rreth 4 km poshtë Krrabës, në fshatin e quajtur Skëterrë, në luginën e lumit Erzen. Ai është rreth 20 metra i gjerë dhe 120 metra i thellë si një perlë e fshehur në grykën e Krrabës. Një humnerë e vogël rri në fund të shkëmbinjve të Krrabës, dhe poshtë saj është një liqen me ujë të smeraldtë, për të cilin thonë se është vendi ku bisha dha shpirt e pas tij mbeti një liqen në formë zemre.

Kanionet e Erzenit

Këto kanione ndodhen përgjatë rrjedhës së lumit Erzen. Uji i këtij lumi që rrjedh në një terren shkëmbor gjatë shekujve ka krijuar kanione spektakolare. Uji i kristaltë dhe thellësia e kanioneve të krijon mundësi të lahesh apo të notosh. Në pjesën ku lumi ka një thyerje rreth 10 m është krijuar një ujëvarë brenda një guve. Përpara ujëvarës te kanionet ka vaska të cilat, në stinën e nxehtë përdoren për t’u larë dhe për të bërë banjo dielli. Për të shkuar tek këto kanione ndiqet rruga që të çon në Shpellën e Pëllumbasit duke qenë se ato ndodhen poshtë saj në lumin Erzen. Lumi i Erzenit është i gjatë 108 km, me prurje rreth 102 l/sek. Kanionet e Erzenit janë një zgjedhje e mirë për çdo shpirt aventurier. Natyra e tyre ka menduar për gjithçka.

Liqeni i Bovillës

Bovilla ndodhet në një zonë me bukuri natyrore të mrekullueshme dhe liqeni i Bovillës, nga i cili merr ujë të pijshëm një pjesë e madhe e Tiranës, është përfshirë në itinerarin e disa tur-operatorëve dhe grupeve që organizojnë evente në natyrë. Kjo ndoshta është zona më e afërt për të praktikuar sportin e ngjitjes dhe kacavjerrjes në shkëmbinj në rajonin e kryeqytetit.

Ura e Brarit

Ura e Brarit ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, në lindje të Tiranës, 7.6 km nga qendra e Tiranës. Ajo është gjurma e parë e rrugës në fillim të Malësisë së Tiranës në hyrje të Shkallës së Tujanit ku ndodhet Kalaja e Tujanit (antikiteti i vonë). Ura është ndërtuar vetëm nga një hark, në kyçin e të cilit kalldrëmi i urës ngrihet në formë kurrizi me pjerrësi nga të dyja anët. Mbështetjet e harkut janë vendosur mbi brigje shkëmbore që lartësohen mjaft nga shtrati i lumit.

Shpella e Pëllumbasit

Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet në lartësitë shkëmbore të malit të Pashkasheshit. Për këtë shpellë dhe vendndodhjen e saj deri para disa vitesh askush nuk dinte për të, veç vendasve, por edhe prej tyre rrallë e kishin vizituar. Duke iu referuar pozicionit gjeografik, Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet rreth 350 metra mbi nivelin e detit.

Bukuroshja e Fjetur

Shpella e Radacit, apo siç po quhet “Bukuroshja e Fjetur”, ndodhet pranë burimit të Drinit të Bardhë, afër 11 kilometra larg qytetit të Pejës. Hyrja e shpellës është e orientuar nga verilindja, e cila gjendet në lartësinë mbidetare prej 578 metra. Shpella është krijuar kryesisht nga rrjedha e Drinit të Bardhë, që dikur kalonte nëpër këto korridore por, me kohë uji ka ndryshuar rrjedhën e tij dhe uji nuk kalon më. Si rezultat i rrjedhës së ngadalshme të ujit janë krijuar edhe vaskat të cilat edhe njërerazi paraqesin edhe pjesën më të veçantë të shpellës.

Pasqyrat e Gramës

Ndodhen në malin e Gramës, në afërsi të fshatit Sllovë, 1900 metra mbi nivelin e detit. Përbën një gur të madh me përbërje gipsore të llojit selenit, që shkëlqen. Prandaj ka marrë edhe emrin “pasqyrat”. Është e gjatë deri në 500 metra, e gjerë deri në 200 metra. Kanë vlera shkencore, didaktike e kulturore. Vizitohet, duke marrë rrugën Peshkopi – Sllovë dhe pastaj vazhdohet më këmbë për tek monumenti.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of