Jemi vërtet të mrekulluar nga Shqipëria. Natyra ishte shumë e bukur, pavarësisht motit. Ishte interesante që t’i shikoje malin dhe detin kaq afër. Rrugët lidhëse të qyteteve ishin kaq të ndryshme dhe të bukura, i shijoje gjatë kalimit
Nga Deada Hyka
Matthew dhe Helene, prej vitesh punojnë në një nga agjencitë e reklamave më në zë në Britaninë e Madhe. Puna e tyre si fotografë dhe editorë arti i ka angazhuar me xhirime të shumta, nëçdo cep të globit. Por, në Shqipëri erdhën për herë të parë në mesin e këtij marsi. Në sytë e tyre mund të dalloje qartë kënaqësinë që morën nga vendi ynë, ku veçuan një sërë aktivitetesh që brenda një jave arritën t’i përmbushnin. Gjatë dhe pas xhirimeve, si vizitorë të mirëfilltë. Pyetjes, a do të ktheheshit sërish në Shqipëri, iu përgjigjën njëzëri: “sigurisht”, ende me valixhe në duar, pak para se avioni i tyre të nisej për Londër.
Matt dhe Helene janë pjesë e agjencisë së marketingut “Red Wood London”, e cila u kontraktua për të xhiruar një spot fotografik për Mazda MX-5, makina e cila njihet si fituesja e çmimit “Best of the Best” në vitin 2017.
Po çfarë tregojnë Matt dhe Helene, në prapaskenat e xhirimit të reklamës së tyre? Sipas tyre, qëndrimi i tyre këtu nuk ka qenë vetëm punë. Përkundrazi, e kanë shijuar vizitën në vendin tonë si turistë të vërtetë dhe japin dëshmi rreth përvojës së tyre këtu dhe të gjitha vendet historike që kanë vizituar.
Monumentet historike dhe vetë historia e Shqipërisë është ndër gjërat që veçojnë më tepër, duke marrë shkas nga vizitat e shumta që kanë bërë në disa nga sitet historike në Jug të vendit. Sipas tyre, kontrasti i theksuar i relievit shqiptar e bën Shqipërinë një vend tërheqës, fjalë këto që thuhen nga fotografë dhe editorë arti me përvojë ndërkombëtare. Ata tregojnë se e kanë shijuar shumëushqimine pasur të detit dhe mjaltin e shijshëm shqiptar.
Duke marrë shkas nga vizita profesionale këtu, sipas tyre Shqipëria përbën potencial për xhirime të tjera, ndër to industria e verës ofron shumë mundësi. Ndërsa sugjerimi si turistë është që të përçojnë tek lidhjet e tyre përvojën në këtë “perlë të fshehur të Europës”.
Nik Berg, kryeredaktori i agjencisë “Red Wood London” tregon për “Monitor”se mendimi i tij për të xhiruar në Shqipëri erdhi pas hulumtimit dhe leximit, ku veçoi rrugët e Jugut të Shqipërisë.
“Ishte sugjerimi im që grupi i punës të vinte në Shqipëri. Në veçanti, rruga SH23 më la mbresa dhe mendova se do të ishte një përvojë e veçantë e përjetuar nën rrotat e Mazda MX-5”, – tregon z. Berg.
“Ne jemi gjithmonë në kërkim të rrugëve të përsosura në aspektin e drejtimit të makinës në to, në mundësitë që ofron një rrugë për xhirime të mëtejshme, në destinacione pak të njohura dhe të vizituara. Ndaj, mendova se Shqipëria ishte panorama ideale që përmbushte këto kushte”, – përfundon ai.
Flasin Matthew Reynolds dhe Helene Dancer, fotografë dhe editorë arti në agjencinë “Red Wood London”
Pse zgjodhët Shqipërinë për të xhiruar spotin tuaj të radhës?
Ne dëshironim që të gjenim një destinacion që të bënim fotografitë për Mazda MX-5 dhe rrugët në Jug të Shqipërisë ishin shumë të bukura, kur i pamë menduam se do të ishte vendi ideal për të ardhur për spotin. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend interesant sepse mund ta konsiderojmë si një “perlë e fshehur”, si një sekret i Europës, për të cilin pak njerëz janë në dijeni. Ndaj, në këtë kontekst, menduam të zbulojmë diçka të re dhe të shijonim njëkohësisht edhe punën për të cilën erdhëm.
A ua këshilloi dikush Shqipërinë?
Po, erdhi si sugjerim nga kryeredaktori i revistës sonë në Londër, z. Nik Berg. Ai na e këshilloi Shqipërinë si destinacion.
Si ishte procesi i xhirimeve tuaja? Çfarë përvoje patët në tërësi?
Përvojë shumë pozitive. Shkuam fillimisht në Vlorë dhe më pas në Sarandë. Gjatë rrugës ndaluam në disa pika. Jemi vërtet të mrekulluar nga Shqipëria.
Natyra ishte shumë e bukur, pavarësisht motit. Ishte interesante që t’i shikoje malin dhe detin kaq afër. Rrugët lidhëse të qyteteve ishin kaq të ndryshme dhe të bukura, i shijoje gjatë kalimit.
Na u duk interesante vizita në Monumentin e Pavarësisë në Vlorë dhe ndërkohë mësuam për shpalljen e pavarësisë së vendit. Ndër më interesantet që kemi vizituar mund të veçojmë vendet historike. I pamë nga afër, e ndiem historinë e këtij vendi. Butrinti dhe Kalaja e Gjirokastrës ishin shumë të veçanta.
Sa u përket detajeve të përvojës sonë këtu, do të përmendnim ushqimin e detit dhe mjaltin shqiptar: shumë të shijshëm. Përveç xhirimeve, kemi bërë foto në disa pika, të gjitha interesante. Pamë edhe pjesën e jetës së fshatit, aq e bukur: përshëndetëm kafshët, adoptuam dhe një qen gjatë qëndrimit tonë.
Jemi mrekulluar nga brigjet detare. Ndër më të bukurit veçojmë tre ishujt e Ksamilit. Kemi ngrënë kryesisht ushqime deti, ishin shumë të shijshëm dhe më pak të shtrenjtë se në Londër. Na bëri përshtypje që pjesa më e madhe e restoranteve ishin të stilit dhe menusë italiane, besoj nga afërsia që keni.
Gjatë xhirimeve që realizuat, a e shijuat njëkohësisht punën dhe qëndrimin si turistë? A do të cilësohet që fotot e xhirimeve janë kryer në Shqipëri?
Po, do ta shënojmë në të gjithë fotot që do të publikohen së shpejti që janë shkrepur në Shqipëri. Do të kemi një hapësirë në revistë që mendojmë ta titullojmë: “Duke festuar në Shqipëri”. Mendojmë se e shijuam shumë qëndrimin këtu, nuk e pamë vetëm si punë. Jam e sigurt që secili nga ne do të japë përshtypjet e veta, edhe brenda në revistë, që është një destinacion për t’u zbuluar sa më parë. Kemi përshtypje mjaft pozitive.
Do ta këshillonit Shqipërinë si destinacion për turistët? A do të dëshironit të vinit sërish?
Sigurisht që po. Do të dëshironim të vinim gjatë sezonit veror që ta shijojmë më shumë. Jemi të sigurt për këtë. Mendojmë se është një destinacion për t’u vizituar. Po bëhet gjithnjë e më shumë popullor.
Do të dëshironim të shihnim edhe vende të tjera. P.sh., Tiranën e pamë fare pak. Ose të tjera destinacione, qytetet kanë ndryshuar shumë me kalimin e viteve, ndaj duhen vizituar, ose riparë për ata që kanë qenë më parë. Ndaj dhe ne mendojmë se do të ishim të interesuar ta shihnim sërish pas pak kohësh.
A ofron Shqipëria vende interesante për të xhiruar për tematika të tjera, jo vetëm reklamë makinash?
Gjykojmë se po. Për shembull, do ta veçonim për prodhimin e verërave, apo për mjaltin. Nga ana tjetër, edhe historia e vendit do të përbënte potencial për t’u trajtuar, ka aq shumë site që dëshmojnë jetëgjatësinë dhe histori që preken nga afër. Na bënë shumë përshtypje bunkerët, të cilët i kemi fotografuar menjëherë sa i pamë.
Të huajt dhe blerja e pronave në Shqipëri
Sipas administratorit të Real Estate Albania, Arbër Brahaj, interesi i të huajve në Shqipëri, në tërësi ka qenë në rritje vitet e fundit. Sa i përket çështjes së pasurive relative, ai tregon se ndikimi është relativ. “Në tregun e pronave me qira, numri i të huajve që jetojnë e punojnë në Shqipëri, kryesisht në Tiranë, është në rritje. Ata janë kthyer në faktor për përcaktimin e qirave në disa zona të caktuara. Këtu vëmë re që të huajt përgjithësisht krijojnë një përqendrim në zona të caktuara. Për sa i përket shitjeve të pronave ndaj shtetasve të huaj është vërejtur rritje e interesimit, por jo rritje e transaksioneve. Rritja e interesit është më së shumti për prona në zonat turistike (Sarandë -Vlorë). Duke mos dashur të trajtojmë si të huaj shtetasit e Republikës së Kosovës, do të thosha që vetëm Saranda ka pasur një rritje të numrit të pronave të shitura ndaj shtetasve të huaj, si pasojë e afërsisë nëpërmjet Aeroportit të Korfuzit dhe trageteve të përditshëm nga Korfuzi në Sarandë”, – tregon Arbër Brahaj.
Ai shton se mungesa e rezultateve në këtë hap ka të bëjë me problematika të trashëguara të tregut imobiliar në Shqipëri. Ndër to, mungesa e certifikatave të pronësisë, infrastruktura e dobët apo dhe çmimet pak konkurruese. “Këtyre problemeve ju shtohen dhe pengesat ligjore që kanë shtetasit e huaj për të blerë tokë bujqësore në Shqipëri. Fatkeqësisht i tërë bregdeti ynë në disa raste dhe pjesa ranore figuron si tokë bujqësore në zërat kadastralë. Si e tillë, është pamundur që shtetas të huaj të blejnë prona të tilla. Ky problem do të vazhdojë për sa kohë nuk do të ketë hartim të Planeve Rregullues dhe Zhvillimore të zonave bregdetare dhe ndryshim të zërave të pronësisë nga ZRPP”, – tregon z. Brahaj.
Sipas tij, qeveria duket e prirë ndaj investitorëve të mëdhenj strategjikë dhe është bërë shumë pak në drejtim të promovimit të vendit tonë si një investim i mirë imobiliar. “Për shembull, kemi fqinjët tanë Ballkanit, si Mali i Zi, ashtu edhe Greqia, kanë politika favorizuese në këtë drejtim. Ligjet në këto vende parashikojnë pajisjen me pasaporta të shtetasve të cilët kryejnë një investim imobiliar në këto vende. Kjo lloj politike e vakët e qeverisë sjell si pasojë që kushdo që është i interesuar për këtë lloj investimi, të drejtohet më së shumti drejt Malit të Zi”, – thotë më tej administratori i Real Estate Albania.
Sa i përket interesit të momentit nga të huajt, ai tregon se i vetmi grup i qartë për investime janë shtetet skandinave, për zonën e Sarandës. Kjo, sepse kompanitë turistike në këto shtete shesin paketa dhe ture, kryesisht për zonën jugore.
“Për sa u përket shtetasve britanikë në veçanti vërehet një rritje interesi, më së shumti në formën e kuriozitetit Rritja e interesit nga britanikët është përqendruar në zonën e Ksamil-Sarandë. Pavarësisht vizitave në rritje nga këta shtetas vërejmë që ata shprehin pak interes për të kërkuar më shumë informacion apo lënë takime për të vizituar këto prona.
Në rastet që vendosin për të vizituar prona, gjithmonë janë takime gjatë sezonit të verës dhe nga persona që udhëtojnë nëpërmjet Korfuzit. Këtë vit, rritja e vizitave në website tonë nga britanikët është 22.8%”, – përfundon z. Brahaj.
—————
Brexit dhe shansi i Shqipërisë
Të pakta janë çështjet e qarta në këtë periudhë tranzicioni Brexit për Britaninë, por diçka dihet: Pas daljes nga Bashkimi Europian, shtetasve britanikë do t’u duhet vizë për të udhëtuar në vendet e Europës. Në mediat botërore, ekspertët britanikë të fushës së turizmit, tregojnë se pas marsit të 2019-s, britanikët mund të vendosin të shmangin vendet e Schengen-it dhe të drejtohen drejt vendeve të tjera, pa këto barriera. Një ndër to, do të ishte edhe Shqipëria, apo edhe Ballkani më tej. Momentalisht britanikët zgjedhin vendet europiane për pushimet e tyre, kryesisht Spanjën, duke përfituar nga mungesa e barrierave kufitare, e përfitime të tjera që burojnë nga të qenët anëtar i së njëjtës familje. Edhe pse Britania nuk ka qenë asnjëherë pjesë e zonës Schengen, të qenët pjesë e BE-së i ka dhënë Britanisë lehtësi, ku shtetasit e saj kanë lëvizur lirisht brenda unionit. Mendohet se pas Brexit, marrja e vizës do të shoqërohet me burokraci të shumta. A do të ketë shans Shqipëria, aq e lakuar në mediat britanike dhe e cilësuar si një “perlë e fshehur e Europës”? Kjo mbetet për t’u parë, por bukuritë natyrore dhe çmimet më të favorshme do të ishin një tërheqje e mirë, sipas agjencive turistike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.