Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia takohen të premten për të futur Kosovën në “Mini-shengen”

23/10/2020 3:53 PM 0 komente

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Hoti pas takimit që ka pasur me homologun e tij, Zoran Zaev, ka thënë se janë dakorduar që të lëvizin përpara disa projekte. Kurse, Zaev i ka bërë ftesë Kosovës që të bashkëngjitet në iniciativën rajonale të minishengenit ballkanik.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në konferencën për medie me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti i ka bërë ftesë Kosovës që të bashkëngjitet në iniciativën rajonale të minishengenit ballkanik.

Zaev ka thënë se të premten do të takohet me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Rama ku edhe do të dërgojnë ftesën për Kosovën që t’u bashkohet në nismën rajonale.

“Të premten e ardhshme do të kem takim me Vuciqin dhe Ramën dhe një nga pikat do të jetë kjo që të dërgojmë një ftesë të përbashkët. Presim që Kosova t’i bashkangjitet bashkëpunimit rajonal i cili e udhëheq Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Prishtina me qëllim që të jetë prioritet për rajonin pa dallim të çështjeve të hapura politike”, ka thënë Zaev

Tutje, Zaev në fjalën e tij e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes e 4 shtatorit në Washington mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka mbështetur rifillimin e dialogut mes dy shteteve.

“E përshëndesim marrëveshjen për normalizim ekonomik në Washington mes Kosovës dhe Serbisë, dhe I japim përkrahje procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE’ja” ,ka thënë Zaev.

Kurse,  Kryeministri Hoti pas takimit që ka pasur me homologun e tij, Zoran Zaev, ka thënë se janë dakorduar që të të lëvizin përpara disa projekte.

“Ju përgëzoj për avancimin drejt integrimeve evropiane. Keni bërë një rrugëtim të gjatë si shtet, dhe ne kemi shumë për të mësuar nga reformat që keni ndërmarrë në ekonomi. Ju falënderoj në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për bashkëpunimin që kemi pasur këta muaj gjatë pandemisë. Kemi dakordim që të lëvizim përpara në disa ide, në disa projekte që janë në interes të dy ekonomive tona. E mirëpres shumë idenë që të shkojmë drejt ndërtimit të një pikë të përbashkët kalimit kufitar”, tha ai para mediave.

Hoti ka thënë se duke avancuar me ndërtimin e pikës të kalimit kufitar do të lidhet Prishtina me Shkupin për më pak se një orë.

Zoran Zaev, ka paralajmëruar mbledhje ndër-qeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Ai ka thënë se kjo do të ndodhë posa të krijohen kushtet epidemiologjike.

Të njëjtën e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se sapo të krijohen kushtet do të mblidhen për të identifikuar mundësitë për arritjen e marrëveshjeve të reja mes dy vendeve.

“Është bë punë e mirë në organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona. Presim që sapo të krijohen kushtet të organizojmë mbledhje të përbashkët që të rishikojmë marrëveshjet që janë nënshkru deri tash dhe do identifikojmë mundësi tjera për marrëveshje të reja”, tha ai, gjatë konferencës së përbashkët me Zaevin në Shkup.

Ai tha se bashkëpunimi mes dy shteteve nuk kufizohet vetëm tek “vlera e importit dhe eksportit por tejkalon edhe në fushën e shërbimeve”, duke shtuar se pret që Samiti i Sofjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të jetë sukses për rajonin.

E, Zaev dha mbështetje në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se “përkrah çdo zgjidhje që garanton dhe përforcon paqen në rajon dhe garanton ardhmëri për qytetarët”.

Për Maqedoninë e Veriut, Zaev tha se Kosova është nga partnerët tregtar më të rëndësishëm, teksa shtoi se avancimi i marrëdhënieve të shteteve sjellë perspektivë për rajonin

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of