Në vitin 2018, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të çmimit për produktet e mishit, qumështit e vezët sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht 71,0 % dhe 94,0 %, sipas një studimit të ekspertëve të INSTAT.
Për produktet bukë, pije alkoolike dhe duhan, Mali i Zi është vendi me çmimet më të larta në Ballkanin Perëndimor.
Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka indeksin e nivelit të çmimeve më të ulët në grupet “Hotele dhe restorante” dhe “Pajisje të transportit personal”.
Që nga viti 2010 deri në vitin 2018, çmimet e makaronave, orizit, vajit dhe sheqerit, mollëve, patateve kanë pësuar rënie, ndërsa çmimet e miellit, mishit, vezëve dhe cigareve kanë shënuar rritje.
Sipas një studimi të ekspertëve të INSTAT, rënien më të madhe e ka pësuar çmimi i sheqerit me 35% dhe rritjen më të madhe e ka shënuar çmimi i cigareve për shkak të rritjes së akcizës ndaj këtij produkti.
Çmimi i orizit nga viti 2008 deri më 2018 ra me 5%, makaronave me -7.5%, vajit me -9.4%, mollëve me -3%, patatet me -1%. Rënia e çmimeve për këto produkte të konsumit masiv ka ardhur për arsye të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Në të kundërt, çmimi i miellit dhe bukës u rrit përkatësisht me 12 dhe 25%. Çmimi i qumështit u rrit me 24%, vezëve me 34%, mishi i pulës me 12% dhe mishi i vicit 7.1%.
Çmimet e mishit të viçit dhe qumështit të freskët janë rritur më shumë krahasuar me ato të dhjetorit 1992. Me paratë që shpenzon një individ për blerjen e një kilogrami mishi viçi apo 1 litër qumështi të freskët në vitin 2018, mund të blinte 5 kilogramë mish apo 5 litra qumësht në dhjetor të vitit 1992.
Çmimi i një pakete cigare është rritur shumë që nga viti 1992. Me shumën e parave që një individ shpenzonte për blerjen e një pakete cigare në vitin 2018, në dhjetor të vitit 1992 mund të blinte 5 paketa cigare. Çmimi i një pakete cigare dhe i një kilogrami orizi në vitin 2018 është dyfishuar, krahasuar me çmimet e vitit 2005.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.