Shqipëria, më dobët se vendet e Ballkanit për të arritur nivelin e Gjermanisë

27/01/2021 11:00 AM 0 komente

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor bënë hapa para në ngushtimin e hendekut ekonomik me standardet e Gjermanisë në vitin 2019, por Shqipëria pati rezultate më të dobëta se vendet e tjera thotë një analizë e Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare për procesin e konvergjencës.

Në vitin 2019, të ardhurat për frymë në Shqipëri iu afruan Gjermanisë me 0.2 pikë përqindje në raport me vitin 2018.

Të dhënat tregojnë se rezultatet më të mira në rajon i kishte Mali i Zi, ku hendeku i të ardhurave për frymë me Gjermaninë u ngushtua me 2 pikë përqindje, më pas u rendit Serbia, ku hendeku i të ardhurave për frymë me Gjermaninë u ngushtua me rreth 1.5 pikë përqindje.

Rezultate më pozitive se Shqipëria në këtë krahasim kishin edhe Bosnja, Maqedonia dhe madje edhe Kosova.

Në 2019, procesi i konvergjencës vazhdoi pothuajse në të gjitha ekonomitë e Europës Juglindore përveç Turqisë, Rusisë dhe Bjellorusisë. Republika Çeke arriti në 76.9% të PBB gjermane me standardet e fuqisë blerëse. Sllovenia arriti 72.8% të PBB-së Gjermane.

Shpejtësia e konvergjencës në raport me Gjermaninë ishte më e lartë në vendet e BE më 2020.  Nëntë nga njëmbëdhjetë ekonomitë kanë fituar më shumë se 1 pikë përqindje. Rumania pati rezultatin më të lartë duke fituar barazi 3.8 pikë përqindje në raport me standardin gjerman.

Jashtë BE-së,  vetëm Serbia, Mali i Zi dhe Kazakistani arritën më shumë se 1 pikë përqindje të konvergjencës në krahasim me Gjermaninë. Shqipëria kishte rezultatet me të dobëta në këtë krahasim.

Konvergjenca vijoi si në të ardhurat për frymë edhe në rritjen e pagave për punonjës. Më 2019 vetëm Turqia regjistroi një rënie, me 1.6 pikë përqindje krahasuar me 2018.

Rritjet më të mëdha të pagave në raport me Gjermaninë në vitin 2019 janë regjistruar në Rumani (3.9 pp), Hungari (3.4 pp) dhe Serbi (3.0 pp). Konvergjenca e pagave ishte më e fortë se ajo e PBB për frymë në 17 vende të CESEE në 2019, me diferencën më të madhe pozitive në Rusi, Ukrainë dhe Serbi.

Për nga krahasimi me fuqinë blerëse me Gjermaninë rezultatet ishin më të forta në Estoni (32 pp), Rusi dhe Mal të Zi (të dyja 31 pp).

Vendet jashtë BE-së kanë paga  tejet të ulëta në krahasim me Gjermaninë. Brenda këtij grupi, vetëm Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina regjistruan paga mbi 50% të fuqisë blerëse të  nivelit gjerman në 2019. Rezultatet e Shqipërisë ishin të dobëta edhe në fushën e pagave.

Instituti i Ekonomik i Vjenës vlerësoi se faktorët demografikë janë të rëndësishëm për formimin e proceseve të konvergjencës. Në disa rajone të tilla si Ballkani popullsia është në rënie, dhe arsye kryesorë është emigrimi në BE.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of