Edhe pse Rough Guides na ka renditur në vendin e nëntë, sërish jemi konsideruar si një nga destinacionet që nuk duhet humbur gjatë muajve të pranverës.
E specializuar në turizëm, Rough Guides, shkruan se pranvera është kohë ideale për të udhëtuar e ‘për të kapur’ disa destinacione që kanë shumë orë me diell. Ka shumë ide, shkruhet në artikull, mund të zgjidhni të ecni në mal ose të zhyteni në histori e në kulturë.
Ja se cilat janë vendet më të lira për t’u vizituar:
- Shqipëria për malet dhe natyrën
Shqipëria renditet në vendin e 9, duke u pozicionuar pas Vietnamit. Dhe ja sesi e përshkruan Rough Guides:
“Shqipëria nuk është shumë në radarët e turistëve që kërkojnë det dhe rërë, por mund të bëhet. Ka shumë plazhe të zbrazura ku mund të ngrini çadrën pa u shqetësuar nga dikush. Janë të pakta resortet (nëse mund të quhen të tilla) që gjenden në këtë vend. Por, mund të gjeni kudo çmime të ulëta.
Nëse vendosni ta vizitoni, atëherë do të shijoni peizazhe ku dielli ndriçon detin, ndërsa tej malet kanë ende dëborë në majë.
Alpet Dinarike në veri janë fantastike për të bërë ngjitje. Të njohura ndryshe edhe si “Bjeshkët e Namuna”, në to mund të gjenden pyje dhe fusha me natyrë të ashpër e ku ngrihen fshatra me ndërtesa tipike. Ju mund të hani mirë me një buxhet të vogël. Një tavë kosi e mrekullueshme kushton më pak se 3.5 euro”.
Në listën e Rough Guides janë edhe destinacione, si: Hungaria, Alpet franceze, Guatemala, Nju Orlins SHBA, Maroku, Rumania apo edhe Vietnami.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.