A po lihet Shqipëria në “hije” dhe e “aneksuar” nga projektet infrastrukturore rajonale? Cilat projekte fituan të drejtën për të marrë financime nga BE-ja në Samitin e Vjenës? Sa do të përfitojë Shqipëria? Si po lobohet dhe ku po gabohet? Ekspertët mbrojnë idenë se nga Samiti i Vjenës, humbësja më e madhe doli Shqipëria, ndërsa theksojnë nevojën urgjente për të paraqitur pranë BE-së projekte sa më të sakta. Por, nuk ndajnë të njëjtin mendim përfaqësuesit e institucioneve qeveritare. Sipas tyre, Shqipëria ka një listë me projekte që presin të financohen nga donatorët ndërkombëtarë.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor iu duhen të paktën 100 miliardë euro investime që të mund të kthehen në ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme. Vetëm për zbatimin e plotë të asaj që njihet si “Axhenda e Konektivitetit” për gjashtë vendet nevojiten 30 miliardë euro. E sikundër u shpreh edhe Komisioneri Hahn në Samitin e pak kohëve më parë në Vjenë, ku mori pjesë edhe Shqipëria, “BE nuk është një bankomat”. Vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’iu duhet të punojnë shumë, me projekte konkrete që të integrohen në tregjet europiane dhe të mos mbeten më “zona të thella” të Europës. Të paktën ky është qëllimi kryesor i atij që njihet si “Procesi i Berlinit”, i krijuar gati një vit më parë me nismën e kancelares gjermane, Angela Merkel.
Por, cili është roli i Shqipërisë në këtë nismë? Çfarë do të përfitojë vendi ynë? Me cilat rrjete infrastrukturore (rrugë, hekurudhë, energji) do të mund të lidhemi?
Përgjigjet për këto pyetje janë të ndryshme, ato varen nga cila anë e “tavolinës” qëndron.
Për Geri Selenicën, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike, Shqipëria nuk është veçse një humbëse e madhe rajonale. Humbëse, sepse nga 24 projekte që BE-ja përzgjodhi në Samitin e Vjenës, Shqipëria arriti të përfitonte vetëm një, në energji. Bëhet fjalë për linjën e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë (14 milionë euro grant).
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Transporteve dhe Industrisë, Thimjo Plaku, thotë se është punuar prej kohësh për miratimin e “Korridorit të Kaltër”, në kuadër të Observatorit të Transportit të Europës Juglindore, ku përfshihen edhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. “Ne kemi argumentuar dhe kemi paraqitur projekte konkrete për zhvillim. Të gjitha këto janë miratuar në Samitin e Vjenës”, thotë z. Plaku.
Një tjetër pjesëmarrës në Samitin e Vjenës (si pjesë e shoqërisë civile), z. Ardian Hackaj, drejtori i Shtetiweb.org, thotë se në këtë samit, Komisioneri Hahn përmendi dhe shtrirjen e Fondit të Investimeve “Juncker” (rreth 300 mld euro) dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Është i qartë fakti se BE-ja mbështet më fuqimisht “Korridorin 10” përkundrejt “Korridorit Adriatik”.
Për z. Selenica, qeveria shqiptare nuk duhet të kënaqet vetëm me “Korridorin e Kaltër”, por duhet të paraqesë sa më shpejt që të jetë e mundur pranë BE-së projekte shtesë, në mënyrë që të shndërrohet në një nyje të rëndësishme dhe pikë strategjike për rajonin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.