Ekipi shqiptar i përbërë nga katër fëmijë; Arela Vako, Ledjana Capollari, Aleksi Agolli, Astrit Çekiçi dhe dy trajnerët; Enkelejd Bufi dhe Entela Berberi, më 24-27 Shtator, mori pjesë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC 2022) për të promovua sigurinë rrugore te fëmijët.
Shqipëria u përfaqësua nga katër nxënësit e shkollës “Servet Agolli” të Pogradecit, të cilët fituan në Konkursin Kombëtar Edukativ “Të Sigurt mbi Dy Rrota 2022” që u zhvillua në 10 qytete ku morën pjesë 88 shkolla.
Konkursi Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) që këtë vit u zhvillua në Zadar të Kroacisë, është “Olimpiada” e sigurisë rrugore për fëmijët me biçikleta. Konkursi mbështetet nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit që nga themelimi i tij në vitet 1980-të.
Secila nga 19 ekipet pjesëmarrëse përbëhej nga 4 fëmijë (dy vajza dhe dy djem 10-12 vjeç), të cilët përfaqësonin vendet e tyre si dhe Klubet e automobilit. Konkursi vlerëson pjesëmarrësit për njohuritë e tyre për rregullat e qarkullimit gjatë përdorimit të biçikletës, si dhe aftësitë e tyre të drejtimit dhe trajtimit të biçikletës. Skuadra me numrin më të madh të pikëve u rendit e para, ndërsa konkurrentët nuk renditen individualisht.
Në fund të Konkursit, në tre vendet e para u renditën:
1.Klubi i Automobilit të Serbisë (AMSS – Serbi)
2.Klubi i Automobilit të Letonisë (LAMB – Letoni)
3.Klubi i Automobilit të Çekisë (UAMK – Çeki)
Në ceremoninë zyrtare të hapjes që u zhvillua më 25 Shtator, Presidenti i FIA Region I, Thomas Moller Thomsen përshëndeti skuadrat pjesëmarrëse në kompeticion. Mes tyre ishte edhe skuadra nga Ukraina, e cila arriti të marrë pjesë pavarësisht luftës në vendin e tyre. Ai i ftoi pjesëmarrësit të demonstrojnë aftësitë e tyre gjatë konkursit dhe të edukohen më tej për sigurinë rrugore, por edhe të argëtohen dhe të bëjnë miq të rinj, duke shpresuar se pas kthimit në shtëpi do t’i ndajnë këto njohuri dhe aftësi me miqtë e tyre dhe familjet. “Në rrugë është e rëndësishme të jemi të përgjegjshëm dhe të respektojmë të tjerët, pavarësisht nëse jemi shoferë, njerëz që lëvizim me biçikletë apo këmbësorë”, tha Thomas Moller Thomsen.
Ekipi shqiptar u mbështet nga Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group dhe Union Net Western Union në këtë Konkurs.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.