Tendencat e ndryshme të popullsisë sipas grupmoshave nënkuptojnë një proces demografik të plakjes së popullsisë. Mosha mesatare (d.m.th. në të cilën gjysma e popullsisë është më e re dhe gjysma tjetër më e vjetër) parashikohet të ketë rritje të vazhdueshme, megjithëse në një masë më të vogël kur krahasohet me të kaluarën e vonë, do të arrijë në 41,7 vjeç në vitin 2031 në përputhje me skenarin e mesëm të rritjes, me një interval prej 40,0 dhe 43,6 vjet në përputhje me skenarin e ulët të rritjes dhe atë të lartë (nga 32,6 në vitin 2011). Shqipëria do të ketë arritur moshën aktuale mesatare të Europës deri nga fundi i periudhës së projeksionit.
Popullsia e Shqipërisë jo vetëm që do të plaket, por strukturat për këtë moshë parashikohen të transformohen në të ardhmen. Deri në vitin 2011, plakja nxitej nga tkurrja e brezave të lindur d.m.th plakje në bazë të piramidës: raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie nga 53 fëmijë për 100 të rritur në moshë pune në vitin 1989 në 32 fëmijë në vitin 2011 dhe në 25 fëmijë më 2018.
Deri tani varësia e të moshuarve ka qenë e kufizuar, megjithëse ajo është dyfishuar nga 8 në 16 individë për 100 të rritur në moshë pune, ndërsa në vitin 2018, arriti në 20. Sipas projeksioneve aktuale të INSTAT, varësia e të rinjve parashikohet të bjerë me një ritëm të ngjashëm krahasuar me rritjen e varësisë të të moshuarve deri në vitin 2021 (një rënie deri në 25 të rinj dhe një rritje deri në 23 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune respektivisht, sipas skenarit të rritjes mesatare). Në dekadën e dytë të projeksioneve, tendenca e varësisë së të rinjve varet nga skenari, me një tendencë stabilizimi ose të një rënieje të lehtë.
Skenari i rritjes së lartë nënkupton një ringritje për shkak të supozimeve të lindshmërisë së lartë dhe humbjeve të vogla nga migrimi. Tendenca në rritje e varësisë të të moshuarve, në kontrast, duhet të intensifikohet kur brezat e foshnjave të lindura gjatë gjeneratës “baby-boom” të fillojnë të arrijnë moshën e pensionit në vitet 2020. Skenari i rritjes së mesme nënkupton 30 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune në vitin 2031. Nëse plakja e avancuar ndodh kur raporti i varësisë të të moshuarve kalon atë të të rinjve, atëherë fillimi i saj në Shqipëri mund të pritet përpara vitit 2025.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.