Shqipëria ndodhet në zonën e rrezikut të lartë për tërmetet dhe përmbytjet, por vendi nuk i ka të zhvilluar institucionet dhe kurrikulat mësimore për t’u mbrojtur nga fatkeqësitë.
FAO (Organizata e Bujqësisë dhe Ushqimit, pjesë e Kombeve të Bashkuara) ka bërë së fundmi një analizë gjithëpërfshirëse për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe sistemit të menaxhimit për bujqësinë në Shqipëri.
Analiza shkruan se, aktualisht, në Shqipëri, nuk ka një agjenci të përfshirë ose të ndërlidhur për rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet nga fatkeqësitë.
Ndonëse ekziston një program studimi për “mbrojtjen civile dhe shpëtimin”, i ofruar nga universitetet private, nuk ka asnjë kurrikul që integron RRF-në (Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë) në arsimin bazë dhe atë të mesëm.
Me mbështetjen e donatorëve organizohen çdo vit seminare, trajnime dhe një tryezë të rrumbullakët për RRF-në, duke u fokusuar te mbrojtja dhe shpëtimi. Megjithatë, përpjekjet e përgjithshme për rritjen e ndërgjegjësimit kanë qenë të kufizuara vetëm në shpërndarjen e fletëpalosjeve, broshurave, posterave.
OJQ-të, si “Kryqi i Kuq Shqiptar” dhe “Save the Children”, janë përfshirë në organizimin e fushatave kombëtare periodike për çështjet e ndërgjegjësimit për komunitetet e cenuara, ndonëse përpjekje të tilla nuk kanë arritur ende deri te komunitetet në nevojë dhe mbeten sporadike dhe josistematike.
Studimi i OKB-së, thotë se Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta natyrore, duke përfshirë, por pa u kufizuar tek ato me origjinë hidrometeorologjike dhe gjeologjike, si tërmetet, përmbytjet, thatësirat, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e tokës.
Sipas të dhënave nga DesInventar, një sistem për menaxhimin e informacionit rreth fatkeqësive, nga viti 1852 deri në vitin 2013 në Shqipëri kanë ndodhur rreth 4000 raste fatkeqësish.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.