Ekstradim ose dënim penal pavarësisht kartmonedhës së falsifikuar dhe vendit ku ke kryer falsifikimin
Falsifikimi i lekut apo valutave të huaja, në Shqipëri apo jashtë saj do të dënohet njëlloj dhe kushdo që ka kryer veprën e falsifikimit do të vuaj të njëjtin dënim ose do të ekstradohet në Shqipëri pavarësisht vendit ku ka ndodhur krimi.
Kuvendi do të diskutojë projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për luftën kundër falsifikimit të monedhës, planifikuar në Programin Kombëtar të Integrimit Evropian, kapitulli 24 “Drejtësia, liria dhe siguria”.
Shqipëria i bashkohet me shumë vonesë Konventës Ndërkombëtare për Luftën kundër Falsifikimit të Monedhës e cila është nënshkruar në Gjenevë, më 20 prill 1929, dhe ka hyrë në fuqi më 22 shkurt 1931.
Bashkëpunimi i palëve kontraktuese do të bëhet me anë të rregullavea të parashikuara në këtë konventë. Kjo konventë është mjeti më efektiv për rrethanat aktuale që siguron parandalimin dhe dënimin e veprës së falsifikimit të monedhës.
Veprat e dënueshme janë të listuara si më poshtë:
− Çdo bërje apo ndryshim mashtrues i parasë, pavarësisht se çfarë mjetesh përdoren;
− Hedhja në qarkullim mashtrues i monedhës së falsifikuar;
− Futja në një vend, marrja ose përftimi i monedhës së falsifikuar me synim qarkullimin e tyre dhe duke pasur dijeni se janë të falsifikuara;
− Përpjekjet për të kryer dhe çdo pjesëmarrje e qëllimshme në aktet e mësipërme;
− Kryerja, marrja ose përftimi mashtrues i instrumenteve apo artikujve të tjerë të përshtatur posaçërisht për falsifikimin apo ndryshimin e parasë.
Aktet e lartpërmendura, nëse do të kryhen në shtete të ndryshme, konsiderohen si një vepër penale e veçantë. Sipas kësaj konvente nuk bëhet asnjë dallim me shkallën e dënimeve për veprat e referuara si krime në fushën e falsifikimit të monedhës, të lartpërmendura, ndërmjet akteve që kanë të bëjnë me paratë vendase nga njëra anë dhe monedhës së huaj nga ana tjetër.
Për vendet ku nuk njihet parimi i ekstradimit të shtetasve, shtetasit që janë kthyer në territorin e vendit të tyre pasi kanë kryer një nga veprat e përmendura duhet të dënohen në të njëjtën mënyrë sikur vepra të ishte kryer në vetë territorin e tyre, edhe në rastin kur shkelësi ka marrë shtetësinë e tij pas kryerjes së veprës.
Të huajt, që kanë kryer jashtë vendit çfarëdo vepre të lartpërmendur dhe që janë në territorin e një vendi ku legjislacioni i brendshëm i të cilit njeh si rregull të përgjithshëm parimin e ndjekjes penale të veprave të kryera jashtë vendit, duhet të dënohen në të njëjtën mënyrë sikur vepra të ishte kryer në territorin e atij vendi.
Paratë e falsifikuara, instrumentet apo artikuj të tjerë duhet të sekuestrohen dhe të konfiskohen. Pas konfiskimit, i dorëzohen pasnjë kërkese qeverisë ose bankës që prodhon paranë, me përjashtim të provave, kur ligji vendas kërkon ruajtjen e tyre si dosje në vendin ku bëhet ndjekja penale, dhe çdo mostër/ kopje, transmetimi i të cilave te Zyra Qendrore konsiderohet e këshillueshme. Për çdo rast, të gjithë artikujt e tillë bëhen të papërdorshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.