Shqipëria nuk përfiton nga taksa me Serbinë, eksportet drejt Kosovës u rritën më pak se në 2018-n

24/11/2019 10:03 PM 0 komente

Për 10 muajt e parë të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës produkte me vlerë prej rreth 204 milionë euro. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet u zgjeruan me gati 13%. Por, pas një nisjeje të mirë në muajt e parë të vitit, ritmi i tyre u ngadalësua ndjeshëm në vijim.

Tregu i lënë bosh nga Serbia, pasi Kosova vuri taksë 100% për produktet e saj, duket se nuk është arritur të shfrytëzohet nga prodhuesit shqiptarë, teksa eksportet në 2019-n u rritën shumë më pak se dy vitet e mëparshme, kur ndryshimi vjetor në 2017 dhe 2018 për të njëjtën periudhë ishte përkatësisht 30 dhe 27%, sipas të dhënave të INSTAT.

Produkti më i eksportuar në Kosovë është giza dhe çeliku, me 38% të totalit. Arif Shkalla, drejtor finance i Kurum, thotë se ata përfituan nga bllokimi i tregtisë me Bosnjën pasi konkurrenti kryesor i tyre ishte ArcelorMittal. Gjithsesi, ndonëse në sasi është eksportuar më shumë, kompania është penalizuar nga rënia e çmimit të metaleve, duke bërë që rritja me bazë vjetore për 10 mujorin të jetë zero.

Grupi i dytë është ai i lëndëve djegëse, me 13% të totalit. Për periudhën janar-tetor të këtij viti, eksportet e këtij grupi u zgjeruan me 7.6%, që ka ardhur nga rritja e shpejtë në muajt e parë të vitit, por me pas me bllokimin e aktivitetit të rafinerisë së ARMO, tendenca u ngadalësua ndjeshëm.

Grupin e tretë e përbëjnë produktet e gëlqeres dhe çimentos, që përbëjnë 9% të totalit, me një rritje prej gati 10% me bazë vjetore.

Eksportet e frutave, pijeve alkoolike etj kanë shënuar një rritje të lartë dyshifrore prej rreth 30%, por ato mbeten të ulëta, duke përbërë vetëm 3% të totalit të eksporteve drejt Kosovës.

Taksa ndaj Serbisë e Maqedonisë u vu një vit më parë

Më 21 nëntor 2018, Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës 100 % ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, nga vendosja e tarifës 100 %, Serbia ka eksportuar 430 milionë euro mallra më pak. Që nga 21 nëntori i vitit të kaluar, vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë është 4 milionë euro, kurse nga Bosnjë – Hercegovina, 2 milionë euro. Në Dogana shprehen se importi i mallrave nga Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina është zëvendësuar nga vendet e rajonit apo të Bashkimit Europian.

Të dhënat e Institutit të Statistikave të Kosovës tregojnë se Gjermania ka kaluar në partnerin kryesor të Kosovës për importet, e ndjekur nga Italia. Në tetor, Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (28) ishin rreth 160.3 milionë Euro, ose 50.9% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 28.9%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.0%), Italia (10.6%), Greqia (3.7%), Bullgaria (3.6%), Sllovenia (3.1%), etj.

Importet nga vendet e CEFTA-s në muajin tetor 2019, arritën në 45.0 milionë Euro, ose 14.3% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-47.8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (6.9%), Shqipëria (6.3%), dhe Serbia (0.1%).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of