Flet Eridon Lameborshi, Sekretar i Përgjithshëm, Klubi i Automobilit të Shqipërisë (ACA)
Investimet në infrastrukturën e posaçme për motorsportin pritet të rrisin mundësinë e zgjerimit të kësaj industrie.
Për Eridon Lameborshi, Sekretar i Përgjithshëm, Klubi i Automobilit të Shqipërisë (ACA), ndërtimi i një Auto Moto Parku me standardet e FIA është një zhvillim pozitiv, që do të ketë efekt të shumëfishtë.
Dy fjalë për ACA, nga fillimi e deri më sot mbi fushën ku operon dhe shërbimet që ofron?
Klubi i Automobilit të Shqipërisë është themeluar në vitin 2007 dhe prej 2009-s është anëtar, me të drejta të plota, i FIA – Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit.
Veprimtaria e Klubit ACA zhvillohet në tre shtylla të rëndësishme të automobilizmit – mobiliteti me shërbimet dhe kontributin në fushën e lëvizshmërisë së drejtuesve të mjeteve, siguria rrugore me aktivitetet, fushatat, lobimet në sferën e sigurisë rrugore, dhe motorsporti me garat në disiplina të ndryshme.
Në fushën e motorsportit, Klubi ACA ka statusin e ASN – Autoritet Sportiv Kombëtar – me të drejtën ekskluzive të organizimit të garave të motorsportit të njohura ndërkombëtarisht nga FIA.
Si shfaqet Shqipëria në disiplinat sportive që lidhen me automotorizmin në vend. Cilat janë disa prej atyre që bien në sy?
Shqipëria vjen nga një periudhë e vështirë për automobilizmin në përgjithësi, kur nuk lejohej pronësia private mbi automjetet.
Dhe sigurisht që kjo situatë pati pasoja negative edhe për sferën e motorsportit, në elementet bazë përbërës për zhvillimin e motorsportit – automjeteve, pilotëve, pistave, stafit të garave.
Për shkak të kësaj mungese të theksuar, Klubi ACA dhe jo vetëm, ka si mision krijimin e traditës në fushën e automobilizmit dhe në veçanti, të motorsportit.
Nisur nga ky sfond mungesash të shtrira në kohë, Klubi ACA është fokusuar në zhvillimin e garave dhe disiplinave bazë që japin mundësi të përfshirjes sa më lehtë të sa më shumë personave të interesuar dhe të pasionuar.
Duke pasur në vëmendje që motorsporti është sport “i shtrenjtë”, për arsye se zhvillohet me automjete.
Disa nga disiplinat bazë të motorsportit janë: shpejtësi në malore, karting sprint, karting slalom, autoslalom, cross-car, auto cross. Së fundmi, Klubi ACA, në përputhje me strategjinë e FIA-s, ka organizuar gara në disiplinën e-Sport, me fokus përfshirjen e të rinjve në motorsport.
Në tetor 2022, pilotët e përzgjedhur nga Klubi ACA përfaqësuan Shqipërinë në eventin FIA Motorsport Games i zhvilluar në Marsejë, në 3 disiplina. Nga katër pilotët përfaqësues, tre prej tyre ishin të rinj të moshës 16 vjeç.
A ka potencial Shqipëria për të zhvilluar këtë klaster në totalin e aktiviteteve sportive që organizohen në vend?
Shqipëria ka potencial për zhvillimin e motorsportit.
Nga njëra anë është faktori i garave ndërkombëtare, ku Formula 1 është e mirënjohur, që shërben si një nxitës i fuqishëm i pasionit për motorsport. Nga ana tjetër, rritja e numrit të makinave private që qarkullojnë dhe japin mundësi të ketë rritje të numrit të drejtuesve të mjeteve.
Gjithashtu, rritja e numrit të garave të zhvilluara në territorin e Shqipërisë është tjetër faktor ndikues për shtimin e pjesëmarrësve në garat e motorsportit.
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe nismave private në ndërtimin e komplekseve të motorsportit sigurisht që rrit potencialin dhe përmirëson aftësitë e drejtuesve të automjeteve dhe i bën këta drejtues potencialisht të zgjidhshëm për t’u bërë pilotë profesionistë.
Cilat janë përfitimet që ka sot ekonomia nga aktivitetet e kësaj natyre?
Po përfitoj nga rasti i pyetjes suaj të paraqes mjedisin e motorsportit me elementet përbërëse.
Po e nis nga thelbi i motorsportit që përfshin: pilotët dhe klubet përkatës që garojnë, automjetet me të cilat garohet dhe pistat apo trajektoret ku garohet, organizatorët e garave dhe stafi i zyrtarëve të garave. Më tej, janë spektatorët dhe sponsorët e garave, edhe këta të përfshirë drejtpërdrejt në garat që zhvillohen.
Niveli tjetër i palëve të interesuara janë industritë e lidhura me secilin nga elementet thelbësore p.sh., të lidhura me automjetet mund të përmendim industrinë e gomave, vajrave, karburantit, pjesëve të këmbimit, shërbimeve të mirëmbajtje-riparimit, siguracioneve të pilotëve, automjeteve apo eventeve, transportit të njerëzve dhe mallrave, etj.
Rrethi zgjerohet me industrinë e shërbimeve të udhëtimit, akomodimit dhe ushqimit, mediat, institucionet shtetërore dhe publike.
Klubi ACA, me mbështetjen e FIA-s, ka kryer në 2019-2020 një vlerësim të ndikimit të motorsportit formal në ekonominë e Shqipërisë. Janë vlerësuar tregues të ndikimit direkt dhe indirekt.
P.sh., numri i personave të përfshirë në motorsport është mbi 600, ndërmjet pilotë dhe mekanikë, zyrtarë garash dhe organizatorë, staf mbështetës dhe sponsor, etj.
Ky është tregues punësimi. Janë vlerësuar tregues të kontributit ekonomik direkt – vlera e tregut të mallrave dhe shërbimeve direkte për motorsportin. Dhe rezulton që kontributi ekomomik bruto vlerësohet rreth 629 milionë lekë, ndërsa kontributi në vlerën e shtuar është vlerësuar rreth 238 milionë lekë.
Kontributi ekonomik gjithsej – kontributi ekonomik direkt i motorsportit plus kontributi i industrive të lidhura me motorsportin – vlerësohet në 1,024 milionë lekë.
Për t’u theksuar që kontributi ekonomik i motorsportit bazohet kryesisht në organizimin e garave jashtë pistave dhe cirkuiteve të dedikuara, por kryesisht në trajektore të rrugëve urbane apo jashtë rrugëve.
Sigurisht që ky kontribut mund të jetë shumë herë më i madh në momentin që një pistë e tillë do të ndërtohet. Siç është rasti i kompleksit Auto Moto Park.
Ka një plan për Auto Moto Park Albania, ku tashmë është shpallur edhe projekti fitues. Cilat janë efektet pozitive të pritshme nga ky projekt në këndvështrimin tuaj si palë e përfshirë në automotorizëm?
Është e vërtetë dhe e shumëpritur. Mund të themi me kënaqësi se ka një projekt konkret për ndërtimin e Auto Moto Park me standarde të FIA-s.
Është një projekt i nisur prej 2019-s, të cilin po e shohim të ecë me ngulm, falë angazhimit të z. Blendi Gonxhe, DPSHTRR dhe mbështetjes institucionale të qeverisë.
Siç mund të jeni në dijeni, së fundmi është zhvilluar gara ndërkombëtare për projektimin e Auto Moto Park, e cila është mbyllur me fitues kompaninë e mirënjohur të licencuar nga FIA – Wurz Studio “Test & Training International”.
Është projekt kompleks që, për fat të mirë, ngërthen tre pjesë përbërëse – pistat për qëllime motorsporti, pjesën në funksion të sigurisë rrugore dhe trajnimit të drejtuesve të mjeteve specialë si zjarrfikëse, ambulanca, policia, etj., dhe ambiente ndihmëse si Muzeu Retro, ambiente shërbimesh, etj.
Të kthehemi te pjesa në funksion të motorsportit, synimi që prej fillimit ka qenë projektimi dhe ndërtimi i pistës me parametra teknikë, që do të mundësojnë zhvillimin e garave ndërkombëtare në nivele të larta dhe pse jo, edhe deri gara të Formula 1 së mirënjohur.
Për të arritur këtë, ka pasur një bashkëpunim dhe komunikim të pandërprerë ndërmjet DPSHTRR, Klubit ACA dhe FIA. Dhe jemi shumë të kënaqur që hapi i parë i hedhur, siç është përzgjedhja e kompanive të përcaktuara nga FIA, për projektimin e komplekseve të kësaj madhësie, rezultoi i suksesshëm.
Efektet e pritshme pozitive të Auto Moto Park janë të shumëfishta. Nga ana e motorsportit, është për t’u vlerësuar që Shqipëria do të ketë pista të homologuara, ku mund të zhvillohen gara ndërkombëtare për automjetet dhe motomjetet.
Shqipëria hyn në hartën e vendeve që janë pistë për gara ndërkombëtare.
Prania e pistave të homologuara pritet të ndikojë në rritjen e numrit të garave të zhvilluara dhe siç kam përmendur më parë, më shumë gara përkthehet në rritje të cilësisë së pilotëve dhe më shumë kontribut ekonomik.
Nga ana ekonomike, madhësia e kompleksit Auto Moto Park do të kërkojë personel për aktivitetin e përditshëm dhe personel shtesë gjatë garave, pra do të këtë ndikim në punësim lokal dhe më gjerë.
Pozicioni gjeografik i Elbasanit ofron lehtësi aksesi për pilotët nga Shqipëria dhe vendet e rajonit.
Duke u bërë një destinacion i këndshëm, është e madhe mundësia që të rritet turizmi ditor. Afërsia me Portin e Durrësit dhe Aeroportin e Rinasit e bën lehtësisht të arritshëm nga pilotët dhe të pasionuarit e shumtë nga Europa Perëndimore.
Pra, do të ketë efekt pozitiv në rritjen e turizmit dhe të ardhurave për bizneset e Elbasanit dhe qyteteve përreth. Prania e pilotëve të huaj pritet të shoqërohet me ndërtimin e Auto Moto Park, si dhe me ndërtimin e Unazës së Elbasanit, e cila pritet të sjellë ndikim në rritjen e vlerës së pronave të zonës rreth kompleksit.
Ndërkohë pritet rritje e aktiviteteve sportive për qëllime argëtimi për individët apo biznese, për importuesit e markave të ndryshme të automjeteve dhe motomjeteve dhe industrive të lidhura me to.
Auto Moto Park është projekt win-win (me fitim për të gjithë).
Cilat janë aktivitetet për të cilat ACA është e angazhuar këtë vit dhe si është interesi për të marrë pjesë në to?
Strategjia e Klubit ACA është zhvillimi i motorsportit, duke u fokusuar në zhvillimin e garave në disiplinat bazë, veçanërisht te moshat e reja.
Për vitin 2023, kemi kalendar të ngjeshur me gara dhe kampionate në disiplinat e karting dhe karting slalom, eSports dhe autoslalom.
Dhe sigurisht garën ndërkombëtare Trofeu Skënderbej-Kruja Hill Climb në disiplinën shpejtësi në malore të regjistruar në kalendarin e FIA-s për Zonën e Europës Qendrore që e zhvillojmë prej vitit 2014.
Në disiplinën eSports kemi shansin të marrim pjesë në Olimpiadën që do të zhvillohet në tetor në Singapor, për herë të parë.
LEXONI EDHE:
Këmba në gaz për dimensione të reja të motorsportit; Shanset për Formula 1 në Shqipëri
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.